TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani takoi sot Raporterin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, zotin Nikolaos Chountis, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të përgatitjes së një raporti për integrimin evropian, që do t’i paraprijë një rezolute, që PE-ja pritet të miratojë për Shqipërinë.

Kryetari i Shtetit vuri në dukje se në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve janë shënuar hapa të rëndësishëm në përmbushjen e detyrimeve dhe realizimin e standardeve të kërkuara.

Dhënia e statusit, shtoi më tej Presidenti, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e standardeve për zbatimin e ligjit nga ana e institucioneve shqiptare dhe shoqëria shqiptare në tërësi.

Raporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis u shpreh se ka konstatuar hapa seriozë sa i përket realizimit jo vetëm të kritereve, por edhe standardeve të kërkuara.

Së fundmi, europarlamentari Chountis tha se do të vazhdojë të luajë rolin e tij inkurajues në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)