Ndonëse zgjedhjet vendore të vitit 2027 janë ende larg, Partia Socialiste ka nisur punën përgatitore duke ndarë punët për secilin prej drejtuesve politikë të qarqeve të vendit. Për të folur më shumë rreth kësaj pune përgatitore, në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV ishte i ftuar këshilltari i PS-së në Bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi.

“Deri në datën 30 qershor PS do të ketë një riorganizim që do të ndahet në 3 etapa ku do të ketë zgjedhje në çdo qelizë, edhe për kryetarët e njësive administrative. Do të ketë një bashkëbisedim me çdo qytetar për punët e Shqipërisë. Kjo është fuqia e besimit të 83 mandateve më 11 maj. Do të jetë një komunikim intensiv me qytetarët që vizioni i PS, Shqipëria në BE në vitin 2030, është një vizion i qartë dhe i qëndrueshëm, që do e shoqërojë edhe në fitoren e zgjedhjeve lokale. PS është një organizëm që kur merr në dorë qeverisjen e drejton në mënyrën më të mirë të mundshme” tha Muharremi.

Sipas Muharremit, veriu i vendit është lënë në dorë të tre drejtuesve të rinj: Erion Malaj, Ermal Nufi dhe Enea Karakaçi. Kjo, sipas Muharremit, nuk është thjesht një ndarje detyrash por një strategji politike dhe e komunikimit me qytetarët.

“Fushata e zgjedhjeve lokale ka të bëjë me punët e qeverisë vendore dhe asaj qëndrore. Nuk ka asnjë dorëheqje apo përjashtim. Është një strategji politike që kryetari i Bashkisë të vazhdojë punën ndërsa drejtuesi politik do të merret me gjithë organizimin në territor dhe komunikimin publik sa i përket pritshmërive të qytetarëve” tha Muharremi.

Duke listuar arritjet e socialistëve në mandatin e tyre të katërt, Muharremi insistoi se PS ka ardhur në pushtet për të bërë shtet dhe ia ka dalë t’i japë vendit një drejtësi profesionale dhe me standarde

“Sot jemi në një realitet krejt tjetër ku PBB është 3 herë më i lartë se në vitin 2013.  PS ka ardhur në pushtet për të bërë shtet dhe e ka bërë. Sot në mandatin e katërt, ne përpiqemi t’i bëjmë punët ashtu siç duhet. Kemi reformën në drejtësi që ne se kemi sulmuar dhe po e lëmë ta bëjë punën e saj.  Në rastin e Belinda Ballukut, drejtësia kërkoi që të kishim arrest pa gjyq, pa fakte dhe pa një vendim të formës së prerë. Ka ikur koha e komunizmit kur të vrisnin në shesh dhe të bëhej gjyqi popullor. Sot kemi një drejtësi profesionale dhe me standarde” tha Muharremi.

Veç të tjerash, Muharremi premtoi se viti 2027 do të jetë viti kur çështja e legalizimit të pronave në vend do të marrë fund.

“Brenda 2027 e gjithë çështja e pronave në Shqipëri do të marrë fund, sepse është një nga kapitujt kryesorë të negociatave që kemi hapur me Bashkimin Europian” tha Muharremi.