Studimet: Omicron më i lehtë por më ngjitës sesa Delta

Studimet: Omicron më i lehtë por më ngjitës sesa Delta

Foto ilustruese

Të dhënat fillestare të dy studimeve të reja në Britani tregojnë se infektimi me variantin 'Omicron' të koronavirusit mund të kalohet më lehtë sesa infektimi me variantin Delta. Por gjetjet gjithashtu tregojnë se Omicron është variant shumë më ngjitës krahasuar me atë Delta.

Kryesuesi i një studimi mbi variantin Omicron të koronavirusit në Britani, paralajmëron se sistemi i kujdesit shëndetësor mund të përballet me mbingarkesë, ndonëse gjetjet tregojnë se infektimi me variantin e ri nuk shkakton sëmundje të rëndë.

Studiuesit nga Kolegji Imperial në Londër thonë se të infektuarit me Omicron kanë 20 për qind më pak shanse që të shkojnë në spital krahasuar me të infektuarit me variantin Delta, dhe 40 për qind më pak që të shtrohen në spital për një ose disa netë.

Gjetjet erdhën pas analizimit të të gjitha rasteve të konfirmuara nga testimet e kryera në Angli në gjysmën e parë të dhjetorit, periudhë kjo kur u identifikuan 56 mijë raste me Omicron dhe 269 mijë me Delta.

Drejtuesi i programit, Paul Elliot, tha se rezultatet e studimit janë inkurajuese. Megjithatë, shqetësuese janë të dhënat se Omicroni është shumë ngjitës.

"Kemi parë shtim të shpejtë të rasteve. Në nivel kombëtar rastet shkojnë deri në 100 mijë. Më shumë raste nënkupton më shumë ngarkesë, sepse edhe nëse një pjesë e vogël e tyre sëmuren rëndë ose shkojnë në spital, kur infeksionet janë të shumta, krijohet mbingarkesë për sistemin shëndetësor”, thotë ai.

Edhe Sekretari britanik i Shëndetësisë mirëpriti gjetjet e studimit, por bëri thirrje për kujdes.

“Ende nuk është e qartë se sa i pakësuar është rreziku. E dimë se varianti Omicron përhapet shumë më shpejt dhe është më ngjitës sesa Delta. Kështuqë përparësitë e fituara nga rreziku i vogël i shtrimit në spital, duket të maten me këtë. Për shembull, nëse një përqindje më e vogël e një grupi shumë më të madh njerëzish është në rrezik të shtrimit në spital, nënkupton se një numër shumë i madh njerëzish mund të përfundojnë në spitale”, tha Sajid Javid.

Një studim tjetër në Skoci, nga shkencëtarët e Universitetit të Edinburgut dhe ekspertë të tjerë, thotë se rreziku i shtrimit në spital pas infektimit me Omicron është për dy të tretat më i vogël sesa krahasuar me variantin Delta.

Por studimi tregon se gati 24 mijë rastet me Omicron në Skoci ishin kryesisht të rinj të moshës 20 deri 39 vjeç, dhe se shanset që të rinjtë të sëmuren rëndë nga COVID-19 janë më të vogla.

Ekspertët vazhdojnë të theksojnë se vaksinimi dhe respektimi i masave është arma më e fortë kundër COVID.

"Po shohim shtim të numrit të njerëzve që vaksinohen me dozën e parë. Mendoj se shumë njerëz që besonin tek imuniteti i tufës ose që vetëm prisnin dhe shpresonin, e kanë kuptuar se COVIDI është larg fundit”, thotë doktori Zakir Bukhari.

Gjetjet e këtyre dy studimeve ende nuk janë analizuar nga ekspertë të tjerë./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan