Nga veri në jug, disa qytete të vendit u përfshinë nga reshje shiu dhe stuhi të fuqishme mbrëmjen e së martës. Një punonjës i OSHEE ndërroi jetë në Himarë teksa, sipas policisë, ishte në punë për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit. Elektricisti 54-vjeçar Bashkim Boçi nga Elbasani, i cili ishte pjesë e grupit të punës për sezonin, u dërgua në spital pa shenja jete. Ndërkohë, burime nga OSHEE sqarojnë për Shqiptarja.com se dyshohet se elektricisti është rrëzuar nga shtylla elektrike.

Për ngjarjen, ka reaguar edhe ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, i cili bën me dije se elektricisti shërbente në degën e Elbasanit që prej vitit 2000.

“Bashkimi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000 dhe e ushtroi detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm deri në momentin e fundit. Nderojmë me mirënjohje kontributin dhe sakrificën e Bashkim Boçit në shërbim të qytetarëve”, shprehet ai në një postim në Facebook.

Stuhia e furishme shkaktoi dëmet më të mëdha në qytetin bregdetar të Sarandës, ku disa persona mbetën të lënduar, ndërsa 3 prej tyre morën ndihmë në spital. Mësohet se ata janë plagosur nga thyerja e xhamave të automjeteve të dëmtuara nga rrëzimi i një pishe pranë stadiumit. Një prej tyre është goditur nga degët e një peme ndërsa ecte me motor.

Stuhia rrëzoi pemë të shumta në bulevardin e Sarandës, si edhe shëtitoren e Ksamilit, të cilat janë hequr gjatë natës. Në Vlorë u rrëzuan pemë dhe u shkaktuan dëme në lokalet përgjatë Lungomares. Disa zona kanë pasur probleme me energjinë elektrike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:24
‘Ushtroi detyrën me përkushtim deri në momentin e fundit’, Karakaçi reagon për elektricistin që humbi jetën në Himarë

Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi ka reaguar për elektricistin e OSHEE që humbi jetën ndërsa punonte në Himarë për rikthimin e energjisë. Teksa shpreh dhimbjen dhe ngushëllimin për familjarët, Karakaçi bën me dije se 54-vjeçari Bashkim Boçi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000.

Në fund, ai nderon edhe punën e sakrificën e punonjësit të ndjerë që humbi jetën në shërbim.

Postimi i plotë:

“Pas çdo rikthimi të energjisë, është kontributi i njerëzve që punojnë në kushte të rrezikshme, larg familjeve të tyre, për t’u shërbyer qytetarëve. Sot, një prej tyre nuk u kthye më.

Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen e jetës së kolegut tonë, Bashkim Boçi, i cili ra në krye të detyrës, ndërsa ishte i angazhuar në riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq në zonën e Himarës.

Bashkimi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000 dhe e ushtroi detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm deri në momentin e fundit.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të tij. Ndajmë dhimbjen me ta në këtë moment të vështirë dhe nderojmë me mirënjohje kontributin dhe sakrificën e Bashkim Boçit në shërbim të qytetarëve.

U prehtë në paqe”, shkruan Karakaçi.

Ora 09:02
Po punonte për lidhjen e energjisë pas stuhisë në Himarë, vdes elektricisti 54-vjeçar

1784703944_1781122212ambulance.JPG

Një elektricist 54-vjeçar që po punonte në Himarë për rikthimin e energjisë elektrike pas stuhisë së furishme të një nate më parë, ka ndërruar jetë.

Bashkim Boçi, i cili banonte në Elbasan, ishte pjesë e grupeve të gatishmërisë për sezonin turistik. Sipas burimeve nga OSHEE, dyshohet se ai ka rënë nga shtylla elektrike.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 03:40, në Qendrën Shëndetësore Himarë është dërguar pa shenja jete shtetasi B. B., 54 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sezonal i OSHEE-së.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se shtetasi B.B, gjatë punës për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit, Himarë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.