S’u parashikua asnjë fond për buxhetin 2025, i paqartë tranzicioni i vetingut! Zbardhen 2 shkresat e Komisionerit Publik drejtuar Kuvendit

Tirane- “Komisionerit Publik’, një nga tri institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë i përfundon mandati më 31 dhjetor 2024. E duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, 2025, kompetencat e vetingut sipas ligjit do të ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, konkretisht Altin Dumani.

Por kur kanë mbetur vetëm 2 muaj,nga filimi i këtij transferimi kompetencash, mbetet i paqartë tranzicioni institucional i procesit të vetingut, duke lënë të paqartë dhe vijimësinë e këtij procesi nëse nuk ndërhyhet shpejt, pasi praktika ligjore dhe financiare për këtë periudhë tranzitore nuk është parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2025.

Gjithashtu nga 1 janari 2025, grupi i këshilltarëve që punojnë pranë dy institucioneve të vetingut, Komisionerit Publik, dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konsiderohen të papunë dhe nuk dihet se kush do ta bëjë transferimin dhe mbështesë drejtuesin e SPAK-ut në çështjet që do të shpallë për gjykim Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Sipas të dhënave zyrtare janë mbi 41 ankime të Komisionerit Publik që presin të gjykohen në Kolegj që nga janari.

Shkresat e Komisionerit Publik

Ligji ligjit 84/2016 ka parashikuar vetëm vazhdimësinë e mandatit të sekretarit të përgjithshëm dhe një personeli për këtë kalim funksionesh, që parashikon procese të arkivimit dhe dorëzimin e gjithë dokumentacioneve dhe aseteve nga njëri institucion tek tjetri.

Brenda 4 muajve Komisioneri Publik i është drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjeve me dy shkresa ku kërkon miratimin e “një strukture organike” prej 16 personash pranë këtij institucioni që do të bëjë të mundur tranzicionin e funksioneve për një periudhë 6 mujore.

Shqiptarja.com ka arritur të sigurojë të dy shkresat në të cilat kërkohet që të zgjidhet ngërçi i strukturës organike të institucionit për vitin 2025, dhe janë firmosur nga Komisionerët publikë Florian Ballhysa dhe Irena Nino.

Shkresa e parë mban datën 14 qershor 2024.

Në shkresën që Komisionerët Publikë i kanë dërguar Komisionit të Ligjeve dhe për dijeni ONM-së thuhet se ‚realizimi i detyrës së transferimit tek SPAK kërkon të paktën një periudhë 6 mujore, pas përfundimit të mandatit kushtetues‘ Për këtë kërkohet mbështetja për miratimin e strukturës organike prej 16 personash të këtij Institucioni për këtë periudhë

"Kjo kërkesë është parashtruar edhe në dokumentin e fazës së parë të projektbuxhetit për periudhën afatmesme 2025-2027",thuhet në dokument ku i janë bashkangjitur dhe personeli që do të ndihmojnë të realizojnë transferimin.

Shkresa e dytë po me lëndë Për strukturën organike të institucionit për vitin 2025‘  mban datën 24 tetor 2024, 4 muaj pas letrës së parë.

Këtë herë shkresa që i është dërguar Komisionit të Ligjeve, për dijeni i është dërguar edhe Këshillit të Ministrave, ONM-së dhe SPAK, institucionit ku do të transferohen kompetencat.

"Duke qenë se mbeten rreth 2 muaj deri në përfundim të mandatit kushtetues të Komisionerëve Publikë, na lejoni të sjellim sërish në vëmendjen tuaj kërkesën për miratimin e strukturës organike të njësisë administrative, e cila do të asistojë Kancelarin në përmbushjen e detyrimit ligjor, për të përmbushur detyrat për mbylljen e aktivitetit të institucionit, sikurse parashikohet në nenin 70, pika 2 të ligjit 84/2016", thuhet në shkresën e firmosur nga të dy komisionerët.

Por si për shkresën e parë dhe të dytë komisioneri Publik nuk ka marrë asnjë përgjigje ndërsa problematikat dolën në pah në seancën dëgjimore të pr/buxhetit 2025 për SPAK mbajtur më 8 nëntor në Komisionin e Ligjeve.

3 apo 6 muaj tranzicioni

Nga ministria e Financave është parashikuar që stafi i administratës të Komisionerit Publik të kalojë në varësi të KLP-së, KLGJ-së e SPAK për një periudhë tremujore për të lehtësuar dhe mundësuar përmbylljen e procesit administrative që duhen për mbylljen e këtyre dy institucioneve. 

Por për deputetët e opozitës, transferimi i stafit teknik dhe ligjor i Komisionerit Publik është i paqartë dhe i pabazuar në ligj dhe rrezikon vijimësinë e punës. Situatë e paqartë është dhe për KKP-në, funksionet e të cilit do i kalojnë KLGJ-së e KLP-së.

Ministria e Financave, nga ana e saj, ka reduktuar periudhën e tranzicionit, nga 6 që ka kërkuar Komisioneri Publik në 3 muaj. Si dhe ka lënë në dorë të institucionevve numrin e punonjësve që do të angazhohen dhe fondet buxhetore për pagat e tyre.

 "Kemi bërë dhe përcaktim duke parashikuar brenda muajit janar institucionet, (SPAK, KLGJ e KLP) që marrin këto funksione të paraqesin pranë ministrisë së Financave numrin dhe periudhën përkatëse kohore të personave që do të punojnë për të mbyllur gjithë çështjet administrative. Mbi këtë bazë do të mundësohet akordimi i fondeve për këtë numër punonjësish që do të përmbyllin procesin",deklaroi përfaqësuesja e ministrisë së Financave Vilma Çausholli në komision.

Ndërkohë SPAK-ut i është buxhetuar një shtesë prej 10 këshilltarësh ekonomikë dhe ligjore për përballuar këto funksioneve të reja.

Nga ana e SPAK, prokurori Alfred Shehu kërkoi një shtesë në formulimin e nenit 12 të pr/buxhetit 2025, sipas të cilit punonjësit të transferohen në SPAK për periudhën 3 mujore të  tranzicionit dhe të trajtohen me pagën që kanë pasur.

Sugjerojmë Kuvendit të shtohet një fjali ku saktësohet se punonjësit administrativë të transferuar për procesin e mbylljes të trajtohen financiarisht me të njëjtën strukturë page të trashëguar”.

Por për opozitën kjo mënyrë ka paqartësi, si për mënyrën që ekipi teknik i Komisionerit Publik do të vijojë punën pas përfundimit të afatit kushtetues të funksionimit të tij por dhe çfarë do të bëhet me dosjet në proces.

Gazment Bardhi: „Ka një absurditet me propozimin e ministrisë së Financave. Nga 1 janari deri kur tju mbushte mendja për të miratuar këtë numër ju çfarë do të bëjnë këta njerëz? Si do të paguhen? 
Bledion Nallbati: Nga prilli hapet buxheti
Gazment Bardhi: Prandaj është një proces që legjislatori e ka menduar që të vijojë ai institucion që është. Të bëjë transferimin dhe jo një pjesë e staf të shkojë tek SPAK. Ka mospërputhje logjike me këtë rast që ka ardhur.  Se i bie në janar apo shkurt kur do të duhet të miratohet struktura e tyre këta njerëz do të duhet të qëndrojnë 2 muaj pa pagë, e nuk besoj se do të rrijë dikush 2 muaj pa pagë.

Duhet komunikimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë. Ata nuk janë të qartë, nëse do të qëndrojnë aty, do të kalojnë në SPAK apo do të gjejnë një punë tjetër. Kjo duhet të qartësohet.

Sa kohë vetë institucioni thotë se për këtë proces është e nevojshme një periudhë 6 mujore a mendoni se shkurtimi me një të rënë të lapsit nga ministria e Financave në 3 muaj është e justifikuar. Çfarë ndodh nëse ky proces nuk përfundon brenda 3 muajve, do ti lëmë dosjet që janë në proces rrugës? Se nëse ata mbarojën mandatin i bie që të mos përfundojnë detyrën. A keni bërë ndonjë analizë?” tha Bardhi

Edhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka pranoi se ka mospërputhje në nenin 12 të projekt-buxhetit 2025, duke sugjeruar që komisioni të riformulojë.

“Ka mospërputhje. Kemi rënë dakord që do të ketë riformulim i nenit 12 e të buxhetohen institucionet sipas numrit që kërkojnë. Do të qëndrojnë ata që do të merren me arkivimin e dosjeve, indeksimin e tyre dhe kalimin nga një institucion në tjetrin. Tjetër është stafi që do të kenë SPAK e KLGJ e KLP me funksionet e reja që do të marrin. Edhe atyre do të duhet ti përfshihet në buxhet, tha Bushka.

Kryetarja e Komisionit propozoi sugjerimin e një amendamenti për komision përgjegjës por para kësaj u duhet të miratojmë numrin e strukturës së instituconit që mbyllet, që mbetet që të jetë pjesë e buxhetit.

Jo vetëm kaq Komisionerët e dy institucioneve dhe stafet e tyre që kryen procesin e rivleresimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, një reforme unike e realizuar në Shqiperi, me mbështetjen e ShBA-ve dhe Bashkimit Europin, e kanë të paqartë statusin e tyre, duke rrezikuar të mbeten të papunë. Dy institucioneve të vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë, u përfundon mandatin kushtetues në datën 31 dhjetor 2024.

Çfarë parashikon neni 12 i pr/buxhetit 2025

1. Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 86 314. Numri maksimal i punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror, i dhënë në tabelën 2, që i 7bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij, detajohet nga ministritë dhe institucionet qendrore në përputhje me strukturat e miratuara për çdo institucion varësie. Këshilli i Ministrave mund të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve të përmendura në tabelën 2, në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese ose krijimit të institucioneve të reja.

Për vitin 2025, për një periudhë jo më shumë se tre muaj, për të finanlizuar procesin e mbylljes së veprimtarisë administrative të Komisionerit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik, një pjesë e numrit të punonjësve administrativë transferohen pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), numër i cili tejkalon numrin total të miratuar në tabelën 2, për këto institucione. Brenda muajit janar, SPAK-u dhe KLGJ-ja paraqesin në ministrinë përgjegjëse për financat numrin dhe periudhën përkatëse kohore të punonjësve të domosdoshëm, numër i cili depozitohet në degën e thesarit. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet, që rrjedhin nga procesi i mbylljes, i transferohen KLGJ-së dhe SPAK-ut.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Letra e Komisionerit Publik drejtuar Komisionit të Çeshtjeve ligjore

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

 

 

S.G/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Flori: 11/11/2024 11:07

    Gazit i arestuan gjysmen e partis e e xa maraku per komisioneret. kta ua shtyn nji her mandatin, tash duan prape dhe i majn zvar gjajnat vet. duan me hijn ne SPAK, kur kta duhen arestu nga SPAK per allishverishet.

    Përgjigju
  • Niku: 10/11/2024 17:06

    Riketheni gjin gjonin eshte amanet i berishes,te rikethehen gjithe te korruptuarit se keshtu i pelqen saliut ..

    Përgjigju
  • Rita: 10/11/2024 13:05

    Rregullojini keta tse gjynah. Nga dy milione euro minimumi kane bere secili dhe nuk iu dalin tani qe iu mbaron mandati. Rregullojini se beni sevap se prisnin te beheshin gjyqtate e te vazhdonin me garuzhde gjithe jeten. Tani ndjehen te pasigurte e duan mbrojtje. Kane frike se nuk do i lene te shijojne ato eurot e mbledhura. Vari l… kesaj pune.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Nënpresidenti i Këshillit të Sigurimit rus: Evropa rrezikon dëme katastrofike nëse vazhdon të mbështes Ukrainën

Lufta/ Nënpresidenti i Këshillit të Sigurimit rus: Evropa rrezikon dëme katastrofike nëse vazhdon të mbështes Ukrainën