Subashi: Referendumi nuk
mund të bëhet në vitin 2013

Subashi: Referendumi nuk <br />mund të bëhet në vitin 2013
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka argumentuar në një intervistë të detajuar çështjen e referendumit për ndryshimet në Kushtetutë dhe në bazë të kujt neni duhet të bëhet. Sipas Subashit, zhvillimi i referendumit do të kondicionohet nga koha, pasi jemi përpara një viti elektoral. Subashi ka shtuar se nëse bëhet referendumi për ndryshimin e Kushtetutës në nenet e imunitetit, nuk mund të zhvillohet në të njëjtën ditë edhe referendumi i plehrave, që është kërkuar nga PS-ja.

Znj.Subashi Kryeministri Berisha ka paralajmeruar shqiptarët për të bërë një referendum popullor. A është i saktë termi që ai përdor, se Kushtetuta ka formulime për tre referendume?
Kushtetuta e Shqipërisë trajton referendumet në dy pjesë; në pjesën e njëmbëdhjetë, që përfshin nenet 150,151,152 dhe në pjesën e shtatëmbëdhjetë që përmban nenin 177. Në nenin 150, Kushtetuta përcakton të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, si dhe t'i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e një referendumi për çështje të një rëndësie të veçantë. Gjithashtu Kuvendi, me propozim e jo më pak se një të pestës së deputetëve ose me propozim të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet për referendum. Nga përcaktimet e këtij neni të Kushtetutës kuptohet qartë që kategoria e çështjeve që shtrohen për referendum janë dy: shfuqizimi i një ligji, apo një çështje me rëndësi të veçantë. Pyetja që shtrohet është se a përbëjnë çështje të rëndësisë së veçantë ndryshimet kushtetuese. Ligjvënësi në këtë përcaktim nuk përfshin ligjin kushtetues. Ndryshimet kushtetuese, janë përcaktuar në dispozitë të posaçme, duke përjashtuar nenin 150 të Kushtetutës për një referendum kushtetues. Për ndryshimet kushtetuese flitet qartësisht në nenin 177 të Kushtetutës. Që në krye të kësaj dispozite shkruhet "Rishikimi Kushtetutës". Ne të përcaktohen rregullat për ndryshimin e Kushtetutës, duke parashikuar edhe rastet kur ky ndryshim kushtetues do të duhet t'i nënshtrohet referendumit. Në piken 1, të nenit 177, thuhet se nisma për ndryshimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. Projekti miratohet nga jo më pak se se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Dallimi midis referendumit kushtetues dhe referendumit për anullimin e një ligji apo për një çështje të rëndësisë së veçantë e bën edhe vetë Kodi Zgjedhor. Kodi Zgjedhor ka bërë dallimin e "referendumit kushtetues" nga "referendumi i përgjithshëm". Sipas nenit 122 të Kodit Zgjedhor, "Referendumi kushtetues, sipas pikës 5 të nenit 177 të Kushtetutës, është referendumi që kërkohet nga një e pesta e deputetëve, për t'ia nënshtruar votimit popullor amendamentin kushtetues, të miratuar nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit". Ndërsa referendumi i përgjithshëm është referendumi që mund të kërkohet nga pesëdhjetë mijë zgjedhës të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve, për shfuqizimin e një ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 150 të Kushtetutës, si dhe me dispozitat e Kodit Zgjedhor, neni 126/1. Kërkesa për fillimin e procedurave të referendumit të përgjithshëm paraqitet në KQZ nga një grup prej jo më pak se 12 nismëtarësh, të cilët janë zgjedhës të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve (neni 126/2 i KZ). Ndërsa për referendumin për një çështje të veçantë, për një projektligj të rëndësisë së veçantë, ndonëse procedura nis me amendamente të propozuara nga një e pesta e anëtarëve të Kuvendit, ose me propozim të Këshillit të Ministrave, votimi në Kuvend është i thjesht, nuk kërkon votim të cilësuar. Pra siç shihet nga përcaktimet ligjore dallimi është jo vetëm në Kushtetutë, por edhe në Kodin Zgjedhor, Kod i cili në mënyrë të detajuar bën këtë dallim edhe në subjektet që legjitimohen në nisjen e procedurave të një referendumi. Dallimi është i dukshem jo vetëm në subjektet që mund të iniciojnë një referendum, por edhe në procedurat e tjera. As që mund të ketë dy përcaktime të ndryshme në Kushtetutë, për një çështje, siç është referendumi kushtetues. Ky dallim është i dukshëm nga elementët e neneve 150 dhe 177 të Kushtetutës. Referendumi është një votim i drejtëpërdrejtë i shtetasve me të drejtë vote për një çështje sipas përcaktimeve ligjore. Termat që janë përdorur mediatikisht, përdoren për qëllime politike; ato marrin vlerë reale juridike nëse fillojnë procedurat ligjore.

A mund të kemi referendum në këtë kohë që ndodhemi sot? Jemi para një viti elektoral...
Viti 2013 është një vit elektoral. Gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit deri tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri, nuk është e lejuar zhvillimi i referendumit. Nëse Kuvendi me dy të tretat e anëtarëve vendos që amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës t'i miratojë me referendum, zhvillimi i referendumit do të kondicionohet nga koha, duke mbajtur gjithnjë parasysh afatet e ndalesave ligjore.

U lakua neni 150,155, por me sa duket nuk e favorizon Kryeministrin Berisha, Alibej ka hedhur një tjetër alternativë, atë nëpërmjet një akti normativ, a qëndron kjo alternativë për të bërë një referendum?
E thashë hollësisht edhe më sipër. E vetmja rrugë për të realizuar një referendum për ndryshime kushtetuese janë përcaktimet e nenit 177 të Kushtetutës dhe nenet 122-125 të Kodit Zgjedhor. Neni 122 të Kodit Zgjedhor përcakton: "Referendumi kushtetues është … referendumi që kërkohet nga një e pesta e deputetëve, për t'ja nënshtruar votimit popullor amendamentin kushtetues, të miratuar nga jo më pak se dy të tretat e të gjithe anëtarëve të Kuvendit. Qartësisht për këtë çështje është shprehur Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.25 date 24.9.2009. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, një amendament kushtetues i miratuar, mund t'i nënshtrohet referendumit në dy raste: “1) kur vendosin dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit(neni 177/4); 2) kur kërkohet nga një e pesta e anëtarëve të Kuvendit (neni 177/5). Duke qenë se neni 177 i Kushtetutës së Shqipërisë është dispozitë e veçantë për ndryshimin e Kushtetutës duhet prezumuar se, ky nen, trajton në mënyrë të hollësishme mundësitë e organizimit të një referendumi kushtetues për një ndryshim të Kushtetutës. Nga kuptimi i nenit 177 del se, një amendament kushtetues nuk i nënshtrohet referendumit në mënyrë të detyrueshme, por vetëm në rastin kur e kërkojnë subjektet e përmendura më sipër. Kjo do të thotë që, përfshirja e drejtpërdrejtë e popullit në procesin kushtetutëbërës mundësohet vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend”. Gjykata thekson se Kushtetuta, si ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë, duhet të jetë një akt i qëndrueshëm. Stabiliteti i Kushtetutës është një veçori, e cila, së bashku me veçori të tjera të saj e bën rregullimin normativ kushtetues të ndryshëm nga rregullimi normativ i bërë me akte ligjore të një fuqie më të ulët. Stabiliteti i Kushtetutës është një vlerë kushtetuese. Kjo garantohet nga një procedurë e vështirë dhe komplekse e amendimeve të Kushtetutës, e parashikuar nga neni 177 i Kushtetuës. Këto argumenta të vendimit të Gjykatës Kushtetuese përjashtojnë çdo mënyrë tjetër përbërjen e një referendumi kushtetues jashtë kërkesave të nenit 177 të Kushtetutes, që do të thotë se rruga e vetme është miratimi i referendumit në Kuvend me dy të tretat e votave të anëtarëve të saj.

Kemi një referendum të kërkuar nga shoqëria civile për shfuqizimin e ligjit që importon mbetje, a mundet që ky t'i bashkëngjitet këtij referendumi, nëse gjejnë gjuhën për të bërë referendum?
Kushtetuta ka përcaktuar se, gjatë vitit referendumet bëhen në një ditë. Nëse referendumi kushtetues do të mund të zhvillohet këtë vit, referendumi për shfuqizimin e ligjit të importit të mbetjeve, nuk mund të zhvillohet në një ditë me të, për shkak të pengesave që sjell vendimi i KQZ-së, që ndonëse e pranoi kërkesën për zhvillimin e këtij referendumi, nuk lejoi vazhdimin e procedurës në Gjykatën Kushtetuese deri më 3 Janar 2013, duke bërë pengesën për realizimin e këtij referendumi.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Atyre të PD u ka rënë sakica në mjaltë’, Rama i jep certifikatën e pronësisë Kishës në Theth: Ata ngroheshin në diell, punën e tyre e bëjmë ne  

‘Atyre të PD u ka rënë sakica në mjaltë’, Rama i jep certifikatën e pronësisë Kishës në Theth: Ata ngroheshin në diell, punën e tyre e bëjmë ne