Suedia do të aplikojë për anëtarësim në NATO. Në një konferencë për mediat, Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad tha se ka folur me kryeministrin Rama dhe ministren Xhacka, të cilët e kanë mbështetur Suedinë për këtë proces. Aplikimi do të dorëzohet në ditët në vijim së bashku me Finlandën.

"Ne do të jemi një anëtar i besueshëm në të cilën vendet e tjera mund të mbështeten dhe ndihmohen. Ky ndryshim në politikën tonë të jashtme është më i madhi. Së bashku me fqinjën tonë, Finlandën do të ecim në adresimin në NATO. Ambaadori i Suedisë do të dorëzojë aplikimin në ditët në vijim. Ne po presim për Finlandën që të bëjmë aplikimin njëherësh. Duhet të presin ratifikimin nga strukturat e NATO-s. Dje u takova me kryeministrin Edi Rama dhe kam qenë në kontakt me ministren e jashtme Olta Xhackën, të dy më kanë garantuar mbështetjen e tyre në këtë proces. Kjo është ditë historike jo vetëm për Suedinë, por edhe NATO-n", tha Hastad.

Ambasadorja Hastad tha se janë të përgatitur dhe presin sulme kibernetike e disinformim nga Rusia për të destabilizuar Suedinë.

“Anëtarësimi i Suedisë në NATO do të kishte një rol parandalues në konfliktet në Europën Veriore. Edhe nga publiku ka një mbështetje të gjerë. Mënyra më e mirë për Suedinë që të garantojë siguri kombëtare është të anëtarësohet në NATO. Edhe ne e kemi bluar këtë çështje. Ne, nëse diçka e tillë ndodh, Suedia është e përgatitur. Ne presim sulme kibernetike ose dezinformimi për destabilizimin e Suedisë”, tha Hastad.  

Sa i përket mbështetjes që i jep Suedia vendit tonë për procesin e integrimit në BE, ambasadorja Hastad tha se Suedia prej më shumë se 20 vitesh po ndihmon Shqipërinë në Bruksel dhe me fonde.

“Çdo vit, alokohen 15 milionë euro nga Suedia në procesin e anëtarësimit të saj në BE”, përfundoi Hastad.