"Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë ia ka lënë vendin filmit të vjetër të konfliktit, sherrit e dhunës." Me këtë koment, kryeministri Edi Rama reagoi pas incidenteve gjatë protestës para Kuvendit, ku u sulmuan me vezë deputetë socialistë dhe me gurë efektivë të Policisë së Shtetit. Pas tij reaguan edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, të cilët dënuan aktet e dhunës.

“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Aktet e dhunës, përfshirë hedhjen e gurëve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së sotme, janë të papranueshme dhe të pajustifikueshme. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në respekt të ligjit dhe të institucioneve”, shkroi Gogu.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës dy efektivët e policisë që mbetën të plagosur në kokë gjatë përplasjes me protestuesit. Lamallari e cilësoi sulmin ndaj efektivëve si “sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.”

“Kam një mesazh për të gjithë ata vandalë që guxuan të hedhin gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë identifikuar dhe do të vihen para drejtësisë menjëherë. Do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji. Ky është një akt kriminal”, tha Lamallari.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:37
Ministri Gogu: Hedhja e gurëve ndaj Policisë e pajustifikueshme! Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj efektivëve nga protestuesit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Gogu shprehet se dhuna është e pajustifikueshme dhe nuk ka vend në një shoqëri demokratike.

"Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.

Aktet e dhunës, përfshirë hedhjen e gurëve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së sotme, janë të papranueshme dhe të pajustifikueshme. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në respekt të ligjit dhe të institucioneve.

Askush nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë e efektivëve të Policisë, të cilët janë në krye të detyrës për të garantuar rendin publik dhe sigurinë e çdo qytetari.

Shteti i së drejtës ndërtohet mbi respektimin e ligjit, të institucioneve dhe të njëri-tjetrit. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur bindjet apo pakënaqësitë politike", shkruan Gogu në rrjete sociale.

Ora 12:36
Pas akteve të dhunës te protesta tek Kuvendi, Lamallari dhe Hita vizitojnë policët e lënduar: Sulm ndaj shtetit, autorët do të përballen me focën e ligjit

Autorët që goditën me gurë efektivët e Policisë së Shtetit gjatë protestës para Kuvendit janë identifikuar dhe do të përballen me drejtësinë. Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, pasi vizitoi në Spitalin e Traumës dy punonjësit e policisë që mbetën të plagosur në kokë gjatë përplasjes me protestuesit.

Sipas Lamallarit, gjendja e dy efektivëve është e stabilizuar, ndërsa ai paralajmëroi se personat përgjegjës për këtë sulm ndaj shtetit "do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji".

“Kam një mesazh për të gjithë ata vandalë që guxuan të hedhin gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë identifikuar dhe do të vihen para drejtësisë menjëherë. Do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji. Ky është një akt kriminal”, tha Lamallari.

Më herët, ministri reagoi edhe në rrjetet sociale, ku dënoi sulmet ndaj efektivëve të policisë dhe tha se tre punonjës mbetën të plagosur gjatë protestës. Ai e cilësoi sulmin ndaj tyre si sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues, ndërsa uroi shërim të shpejtë për efektivët e lënduar.

“Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ku mbetën të plagosur tre efektivë, të cilët ishin në krye të detyrës. Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim. Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë të hedhur ndaj punonjësve të Policisë. Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën shembullore të ligjit" shkruajti ai