Sulmi i Iranit ndaj impiantit kryesor Ras Laffan në Katar ka tronditur tregjet globale, duke rritur me 35% çmimet e gazit në Europë dhe duke hapur një krizë që siç paralajmëruan ekspertët në Report TV, nuk do të jetë afatshkurtër.
Në emisionin “Bota Report” me Denis Mingën, dy ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilir Aliaj dhe Faik Basha, ranë dakord se për shkak të kësaj krize, tregjet energjetike po futen në një fazë të rrezikshme paqëndrueshmërie.
Aliaj theksoi se goditja ka pasoja të rënda ekonomike, duke sjellë në vëmendje humbjet në sektorin e gazit në Katar dhe investimet gjigante që rrezikohen. Sipas tij, rritja me 35% e çmimit të gazit në Europë është vetëm fillimi i një vale më të gjerë pasigurie.
“Kjo është një krizë që nuk është afat shkurtër. Katari sot ka humbur 17% të gazit për 5 vjet. Exxon ka investuar 76 miliard dollarë në këtë fushë gazi për ta kthyer në gaz të përdorshëm. Imagjinoni çfarë humbjesh kemi. Çdo orë e më shumë kjo po bëhet në luftën e Izraelit ku SHBA kanë hyrë pa strategji në këtë luftë. Shefja e sigurisë kombëtare amerikane tha në Kongres se ‘objektivat e luftës së SHBA-ve ndryshojnë nga ato të Izraelit” Kjo është një luftë që SHBA-të po e kryejnë të shtyrë nga Izraeli. Europianët janë të interesuar se çmimi i gazit në Europë është rritur me 35%.” tha ai.
Nga ana tjetër, Basha e sheh konfliktin si pjesë të një strategjie më të gjerë gjeopolitike, ku përfshihen SHBA, Izraeli dhe fuqitë e tjera globale. Ai argumentoi se lufta po zhvillohet në disa faza dhe mund të zgjasë deri në tre muaj, duke paralajmëruar se rajoni po shkon drejt një “pike pa kthim”.
“ Kemi një sulm të organizuar që do marrë disa faza dhe maksimumi do të shkojë deri në 3 muaj. Pjesa e parë ishte goditja e pikave strategjike, pjesa e dytë është faza ku çorientohen tregjet për shkak të goditjeve dhe faza e tretë do jetë bashkimi i vendeve të Gjirit dhe vendeve të tjera. Ne po shkojmë drejt një pike pa kthim për rrëzimin e regjimit në Iran. Objektivi kryesor i SHBA është Kina. SHBA-të shohin larg. Eliminuan Venezuelën dhe po i kthejnë interesat e atij vendi me SHBA. Irani ishte një goditje e domosdoshme ndonëse përpuhet me interesat e Izraelit. Faktori i parë është destabilizimi në rajon, kemi Hezbollahun që ka 100 mijë raketa balistike, kemi milicinë Shiite, kemi Huthët, kemi Hamasin, pra kemi grupe të fuqishme që krijonin destabilizim në të gjithë rajonin. Këto grupe kanë kryer masakra. Ngushtica e Hormuzit duhet dhe do të çlirohet duke u bashkuar të gjithë dhe rrëzuar regjimin në Iran. Nëse nuk bie regjimi atëherë do të flasim për dështim” tha Faik Basha, ekspert për çështjet ndërombëtare.
Debati mes dy ekspertëve u fokusua fort te roli i SHBA dhe Izraelit. Aliaj ngriti dyshime se objektivat e Uashingtonit nuk përputhen plotësisht me ato të Tel Avivit dhe paralajmëroi një ndryshim të doktrinës në Iran.
“Amerikanët kanë kërkuar 200 miliard dollarë dhe mund të tentojnë të bëjnë një fushatë ushtarake tokësore por qe do jetë shumë e vështirë dhe do ketë shumë humbje jete nga Amerika. Regjimi ka 10 vjet që përgatitet për këtë situatë. Sidomos lufta 12-ditore e qershorit 2025 u kanë ndryshuar doktrinën ushtarake që njihet si doktrina mozaik. Pavarësisht se janë vrarë liderët kryesorë ushtria është e decentralizuar me kontroll të fortë nga personalitete të regjimit. Qëllimi i Amerikës me atë të Izraelit janë dy të ndryshme. Izraeli ka synim të bëjë sa më shumë kaos në të gjithë rajonin dhe kështu përfiton. Zëra brenda Izraelit thonë se vetëm duke luftuar Benjamin Netanjahu arrin të qëndrojë në pushtet. Sot ka dalë një sondazh në Tel Aviv dhe ushtria IDF merr 73% mbështetje nga populli ndërsa përkraha për Netanjahun është tek 21%” tha Aliaj.
Ndërkohë, Basha këmbënguli se SHBA mbetet aktori kryesor dhe se ndërhyrja ndaj Iranit lidhet edhe me përballjen e madhe globale me Kinën. Sipas tij, Lindja e Mesme është nyja kryesore për kontrollin e energjisë dhe ndikimit ekonomik në botë.
“SHBA është superfuqi, pavarësisht lobimeve të Izraelit. Në këtë luftë interesat e Izraelit përputhen 100% me Amerikën por lufta është nisur për interesa më të gjëra dhe çështje më të mëdha se Izraeli. Edhe vendet e Gjirit e duan sulmin ndaj Iranit njësoj si Izraeli. Irani u godit për t'i dhënë mesazh Kinës. Rusia e ka humbur postin që kishte në rendin global. Kina është futur fuqishëm në lojë, me ekonomi, teknologji e asete ushtarake. Është ekonomi shumë e fortë që do e zbehë fuqinë e SHBA. Por Lindja e Mesme është burim për zhvillimin e superfuqive. Irani ishte kthyer në një vend që po ndihmonte shumë Kinën dhe anasjelltas, pra Kina merr 20% të naftës nga Ngushtica e Hormuzit” tha Basha.
Ndryshe nga kjo qasje, Aliaj këmbëngul se ka lëvizje të tjera në sfond.
“Kina 90% të energjisë e merr nga Irani dhe vazhdon ta marrë pa problem. Që me 28 shkurt e deri 2 ditë më parë, Irani ka eksportuar në Kinë 140 milionë dollarë naftë dhe gaz, dhe janë 4 vende që kanë të drejtë të kalojnë Hormuzin, Kina, India, Pakistani dhe Turqia. Edhe vendet e Europës plus Japonia po kërkojnë tu lejohet kalimi në Hormuz. Ka një tentativë të fshehtë me Iranin për t'i lejuar këto kalime e duke lënë mënjanë SHBA” tha Aliaj.
Një tjetër pikë e fortë e diskutimit ishte rreziku i një përshkallëzimi ushtarak në terren. Ekspertët paralajmëruan se një ndërhyrje tokësore nga SHBA do të ishte shumë e kushtueshme dhe me humbje të mëdha, ndërsa Irani ka vite që përgatitet për një skenar të tillë me një ushtri të decentralizuar.
“Forcat speciale mund të hapin rrugë për kryengritje të brendshme, pra 200 milionëshi mund të furnizojë grupet e brendshme me armatime” tha Basha.
Në fund, të dy ranë dakord për një gjë: edhe nëse regjimi në Iran ndryshon, vendi pritet të drejtohet nga figura edhe më konservatore, çka do ta mbajë tensionin në rajon të lartë për një kohë të gjatë.
Komente








