Ukraina shpalli gjendje lufte në një pjesë të vendit pas asaj që e quajti "akt të agresionit" rus. Moska tha se anijet e Ukrainës kanë hyrë ilegalisht në ujërat e saj.
Gjendja e luftës në, siç u tha, zonat më të cenueshme nga “agresioni rus” në Ukrainë, u miratua nga Parlamenti i Ukrainës, me kërkesë të presidentit të këtij vendi, Petro Poroshenko.
Ajo do të hyjë në fuqi të mërkurën dhe do të zgjasë 30 ditë. Masa përfshin një mobilizim të pjesshëm të forcave, forcim të mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe hapa të tjerë.
Shtetet perëndimore shprehën mbështetje për Ukrainën, pasi Rusia aneksoi tri anije të saj dhe kapi 23 pjesëtarë të ekuipazhit, në Detin e Zi. Në Kombet e Bashkuara, udhëheqësit perëndimorë e dënuan, siç thanë, shkeljen e sovranitetit të Ukrainës nga Rusia, si dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare detare, ndërsa i bënë thirrje Moskës që menjëherë t’i lirojë detarët e ndaluar.
Në përplasjet detare që ndodhën të dielën, jashtë brigjeve të Krimesë – gadishull i Ukrainës i aneksuar nga Rusia në vitin 2014 – anijet e rojes bregdetare ruse hapën zjarr, përpara se forcat e saj të sulmonin anijet e Ukrainës. Gjashtë ukrainas u plagosën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha përmes një deklarate se e dënon “këtë veprim agresiv të Rusisë" dhe i bëri thirrje Moskës që t’i lirojë anijet dhe ekuipazhin, si dhe të respektojë "kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht të Ukrainës".
Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadorja amerikane, Nikki Haley, e cilësoi incidentin si "shkelje të egër të territorit sovran të Ukrainës" dhe si "përshkallëzim rrëqethës” të konfliktit të Rusisë me Ukrainën.
Zëvendësi i ambasadorit të Britanisë së Madhe në OKB, Jonathan Allen, tha se Rusia "dëshiron të konsolidojë aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe të aneksojë Detin Azov", ku Ukraina ka disa porte.
Bashkësia ndërkombëtare nuk do ta pranojë këtë, tha Allen, duke shtuar se Rusia "nuk duhet të lejohet të rishkruajë historinë, duke krijuar realitete të reja në terren". Putin shprehu shqetësimin e tij serioz për këtë vendim të Ukrainës në një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel.