Sulmi me dron në Kabul, SHBA fillon hetimet pas raportimeve se mes viktimave kishte edhe fëmijë

Një ditë para përfundimit të afatit për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, disa raketa janë lëshuar në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit.

Shtëpia e Bardhë, e cila konfirmoi sulmin, tha se operacionet e evakuimit në aeroport nuk janë ndërprerë duke shtuar se Presidenti amerikan Joe Biden u informua për sulmin e fundit me raketa të hënën në mëngjes që kishte për synim aeroportin Hamid Karzai . Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se disa nga raketat u kapën nga një sistem i mbrojtjes raketore.

Sulmi vjen një ditë pasi forcat amerikane filluan sulmin e dytë me dron në Afganistan, pas shpërthimit vetëvrasës të së enjtes në aeroport që la gati 200 viktima. 13 prej tyre ishin ushtarë amerikanë, ndërsa mbi 150 persona mbetën të plagosur.

Ndërkohë ditën e sotme kanë arritur edhe trupat e ushtarëvë të vrarë në kabul, në Bazën e Forcave Ajrore Dover, Delaware, me nderime të larta dhe me flamurin kombëtar të vendosur në arkivole. Presidenti Joe Biden mori pjesë si komandanti i katërt i përgjithshëm në ritualin ushtarak, të caktuar për ata që vriten në luftime të huaja.

Si pasojë e sulmit të djeshëm me dron, mediat ndërkombëtarë raportojnë se kanë humbur jetën nëntë anëtarë të një familjeje, përfshirë gjashtë fëmijë. Më i vogli prej të cilëve ishte një vajzë 2 vjeçe, shkruan CNN. Personat e vrarë janë: Zamaray (40 vjeç), Naseer (30), Zameer (20), Faisal (10), Farzad (9), Armin (4), Benyamin (3), Ayat (2) dhe Sumaya (2). Për CNN, familjarët thonë se ata ishin "një familje e zakonshme", tha ai. "Ne nuk jemi ISIS apo Daesh dhe kjo ishte një shtëpi familjare - ku vëllezërit e mi jetonin me familjet e tyre."

Menjëherë pas deklaratave se në mes të të vrarëve ka pasur fëmijë, forcat amerikane kanë bëreë të ditur se ka filluar hetimet në lidhje me çështjen..Zyrtarët amerikanë deklarojnë se sulmi kishte në shënjestër një automjet që mbante të paktën një person të lidhur me ISIS dhe kishin parandaluar një sulm tjetër vdekjeprurës në aeroport.

"Ne jemi të vetëdijshëm për mundësinë e viktimave civile pas goditjes sonë në një automjet në Kabul. Ne e dimë se ka pasur shpërthime pasuese të konsiderueshme dhe të fuqishme nga shkatërrimi i automjetit, duke treguar se në makinë ndodhej një sasi e madhe të materialit shpërthyes brenda që mund të ketë shkaktuar viktima shtesë”,  tha zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA, kapiteni Bill

Goditja u ndërmor dy ditë përpara se Shtetet e Bashkuara të përmbyllin tërheqjen e plotë nga Afganistani, një operacion që ka përfshirë evakuimin e dhjetëra mijëra shtetasve amerikanë dhe aleatëve të tyre afganë. Përmbyllja e tërheqjes, e planifikuar për 31 gusht, do të shënojë përfundimin e luftës më të gjatë të Amerikës, ndërsa në Afganistan kontrolli është në duart e talebanëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:03
Borrel: Situata në Afganistan është një katastrofë! Duhet krijuar një plan evropian reagimi dhe një forcë ushtarake hyrëse prej 5,000 ushtarësh

Qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian duhet të ecin përpara me një forcë evropiane të reagimit të shpejtë për t’u përgatitur më mirë për krizat e ardhshme sikur ajo në Afganistan, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në një intervistë për  “Il Corriere della Sera”. Borrel tha se dislokimi i trupave amerikane në Afganistan me përkeqësim të sigurisë tregoi se BE-ja kishte nevojë të përshpejtonte përpjekjet për ta ndërtuar një politikë të përbashkët mbrojtëse.

 “Ne duhet të nxjerrim mësime nga kjo përvojë… si evropianë ne nuk kemi qenë në gjendje t’i dërgojmë 6,000 ushtarë rreth aeroportit të Kabulit për ta siguruar zonën. SHBA-ja ka qenë, ne nuk e kemi bërë”, tha ai.

Borrell tha se 27 anëtarët e BE-së duhet të kenë një “forcë fillestare hyrëse” prej 5,000 ushtarësh. “Ne duhet të jemi në gjendje të veprojmë shpejt.”

Në maj, 14 vende të BE-së përfshirë Gjermaninë dhe Francën propozuan një forcë të tillë, ndoshta me anije dhe avionë, për të ndihmuar qeveritë e huaja demokratike që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Teoria e krijimit të një force të tillë është diskutuar për herë të parë në vitin 1999 në lidhje me luftën në Kosovë, një sistem i përbashkët i grupeve të luftimit me personel prej 1.500 trupash nga secili vend u krijua në vitin 2007 për t’iu përgjigjur krizave, por nuk janë përdorur sepse qeveritë e BE -së nuk ishin dakord se si dhe kur t’i vendosnin ato.

Borrel në anën tjetër u shpreh se situata në Afganistan ishte një katastrofë për popullin afgan dhe një dështim i botës perëndimore dhe ndryshues i lojës për marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë që theksoi se nuk ka ende një shifër të saktë për numrin e personave që duhet të ishin evakuuar nga shteti.

Ora 11:37
Thesari qindra miliardë dollarë i talebanëve

Deri tani talebanët kanë fituar kryesisht nga shitja e opiumit dhe tregtisë së heroinës. Por luftëtarët militantë islamistë do të qeverisin një vend që ka pasuri të mëdha tokësore. Kina e ka zgjatur dorën ndërkohë.

Tani që e morën pushtetin për herë të dytë talebanët kanë qasje edhe në thesaret e rëndësishme të vendit. Në një raport të vitit 2010 ekspertët ushtarakë dhe gjeologët amerikanë vlerësojnë, se Afganistani, një nga vendet më të varfra të botës, ka pasuri tokësore që kapin vlerën e 1.000.000.000.000 dollarëve amerikanë, 1 bilionë dollarë ose 850 miliardë euro.

Hekuri, bakri, kobalti, litiumi dhe minerale të rralla janë pasuritë kryesore. Në vitet në vazhdim pasuri të tilla mbetën të pashftyrëzuara për shkak të dhunës së vazhdueshme në vend. Ndërkohë vlera e këtyre mineraleve është rritur tej mase, edhe për shkak të trendit global të energjisë proklimatike. Sipas një raporti të qeverisë afgane të vitit 2017, pasuria në minerale arrin në 3 bilionë dollarë, por këtu përfshihen vetëm lëndët fosile.

Litiumi, që duhet për prodhimin e baterive për automjetet elektrikë, smartphones apo laptops është shumë i kërkuar. Kërkesa këto kohë është rritur me 20%. Sipas një dokumenti të Pentagonit, Afganistani është ndërkohë "Arabia Saudite e litiumit" dhe vlerëson se pasuritë janë kaq të mëdha, sa ato të Bolivisë, që ka rezervat më të mëdha në botë. Edhe kërkesa për bakrin është rritur në kohën e rimëkëmbjes ekonomike, kur pandemia e Coronës po shkon drejt fundit. Vitin e e kaluar kërkesa për bakrin është rritur me 43%. Më shumë se e një e treta e pasurisë së ardhshme të Afganistanit mund të arrihet përmes zgjerimit të nxjerrjes së bakrit.

Kina dhe Pakistani janë gati

Që tani Kina dhe Pakistani janë gati të bëjnë biznese me talebanët radikalë-islamikë, duke dashur kështu të theksojnë edhe më shumë dështimin e SHBA dhe Europës në Hindukush. Si prodhuesi i gjysmës së mallrave industrialë të botës, Kina ka uri të madhe për të gjitha lëndët e para. Pekini, i cili është investitori më i madh në Afganistan, është në krye të garës, për ngritjen e një sistemi eficient të shfrytëzimit të mineraleve.

"Kontrolli i talebanëve vjen në një moment, kur furnizimi me minerale në një të ardhme të afërt pritet të ngecë dhe Kina ka nevojë të madhe për të", i tha Michael Tanchum, nga Insituti për Politikën e Sigurisë në Austri Deutsche Welles.

"Kina është gati për t'i nxjerrë këto minerale nga Afganistani." Korporata Metalurgjike e Kinës, MCC një nga koncernet më të madhe kineze ka siguruar të drejtat e nxjerrjes së mineraleve në provincën afgane Logar për 30 vjet.

A kanë vullnet talibanët?

Disa ekspertë të Afganistanit shprehen me dyshime, nëse talibanët e kanë aftësinë dhe vullnetin për t'i shfrytëzuar burimet natyrore të vendit, para të ardhurave që ata marrin nga tregtia me drogën.

"Këto burime", sipas Hans-Jakob Schindler, drejtor i Institutit, "Counter Extremism Project", "kanë qenë edhe në vitet 90-të po në tokën afgane dhe ata (talebanët) nuk ishin në gjendje t'i nxirrnin ato. Duhet të jemi skeptikë, kur bëhet fjalë për aftësinë e tyre të zhvillojnë ekonominë afgane, apo edhe për vullnetin e tyre ta bëjnë këtë."

Një përfaqësues i lartë taliban u takua muajin e kaluar në Tianjin me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi. Me këtë rast, Mullah Abdul Baradar, që përflitet si bashkëthemelues i talebanëve, e sot shihet jozyrtarisht si diplomat i parë i grupit militant, është shprehur se shpreson që Kina të luajë "një rol më të madh në rindërtimin e Afganistanit dhe zhvillimin ekonomik."

Stacione të reja në "Rrugën e re të Mëndafshit"

Mediat kineze shkruajnë ndërkohë, se Afganistani mund të përfitojë nga iniciativa e Pekinit, Belt and Road Initiative (BRI) që njihet si Rruga e re e Mëndafshit. Por fillimisht duhet të merren parasysh aspektet e sigurisë. Përhapja e dhunës nga Afganistani në vendet e tjera aziatiko-qendore e rrezikon rrjetin e tubacioneve, duke i sjellë Kinës probleme në furnizimin me gaz dhe naftë. Nga ana tjetër Pekini ka frikë, se ky vend i përçarë mund të kthehet në zonë ku të tërhiqet pakica myslimane uigure dhe interesat e saj ekonomike mund të rrezikohen me vazhdimin e dhunës në Afganistan. "Planet e minierës së MCC, (Metallurgical Corporation of China) janë prekur ndjeshëm nga mungesa e stabilitetit dhe konfliktit mes talibanëve dhe qeverisë së mëparshme afgane", shprehet Michael Tanchum.

Siguria e para

"Nëse talibanët për Pekinin mund të krijojnë kushte të stabilizuara pune, atëherë nxjerrja e bakrit ka potencialin më të madh të sjellë miliarda dollarë në të ardhura dhe të mundësojë me këtë edhe nxjerrjen e mineraleve të tjera në vend", sipas Tanchum.

Edhe Pakistani fqinj mund të përfitojë nga nxjerrja e mineraleve në Afganistan. Qeveria në Islamabad, që mbështeti në vitin 1996 ardhjen e talibanëve në pushtet, ka lidhje me këtë grup. Pakistani bën pjesë po ashtu tek përfituesit kryesorë të projektit të Rrugës së re të Mëndafshit. "Pakistani ka një interes bazë, sepse lëndët do të transportoheshin përmes Rrugës së Mëndafshit nga Pakistani drejt Kinës", thotë Michael Tanchum për DW, dhe shton, se një marrëveshje me talibanët mund t'i japë Islamabadit të drejtën të kujdeset për një sistem stabil të sigurisë.

Muzikë e së ardhmes

Pushtetarët e rinj në Afganistan kanë ende një rrugë të gjatë e të vështirë përpara, nëse duan të shfrytëzojnë pasuritë e vendit. Ngritja e një sistemi eficient të shfrytëzimit të minierave në një shtet të dështuar do të kërkonte vite. Edhe siguria nuk do të vijë brenda një nate. Po ashtu korrupsioni, që në vend është shumë i përhapur, mund të pengojë investimet e huaja.

"Një nga problemet kryesore atx ka qenë, se asnjë nga burimet e vendit nuk mund të nxirrej pa një ushtri private, që të mbronte nga talibanët", thotë Hans-Jakob Schindler. "Ky kërcënim tani nuk është më, por mungon ende infrastruktura, kështu që nevojiten investime të mëdha."

SHBA dhe Europa që janë të varura nga furnizimet me minerale të rralla nga Kina, ndodhen tani në një dilemë në mënyrën si të veprojnë me talibanët. Shumë investitorë perëndimorë kanë ngurruar të investonin në vend për shkak të pasigurisë ligjore dhe gjendjes së sigurisë. Nëse ata bashkëpunojnë tani me talibanët, do të përballen me akuzën, se injorojnë rrëzimin e një demokracie të sapolindur në vend nga talibanët dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Nëse nuk bashkëpunojnë ata do të nxirren jashtë loje nga Kina.

Ora 11:35
Pamje surreale, drejtuesi i emisionit televiziv i rrethuar nga talebanët me kallashnikovë

Situata në Afganistan ka ndryshuar totalisht dhe përditë e më shumë jeta atje po fillon t’i përshtatet realitetit të ri. Me mijëra njerëz kërkojnë të largohen nga vendi i tyre pasi kanë frikë së çfarë do të ndodhë më pas dhe një edicion i lajmeve atje, është me të vërtet një shembull sesi do të jetë jeta me talebanët.

Gazetarja e BBC Yalda Hakim ka publikuar një video në një studio televizive në Kabul, ku pamjet duken surreale. Luftëtarët talebanë të armatosur rëndë qëndrojnë në këmbë dhe shikojnë drejtuesin të mos thotë ndonjë gjë të gabuar. Prezantuesi flet për rënien e qeverisë Ghani dhe thotë se populli afgan nuk duhet të ketë frikë.

Megjithëse pamjet e ushtarëve talebanë nga pas, mund të quhen çdo gjë veçse jo qetësues.

 

Afghanistan TV - surreal

This is what a political debate now looks like on Afghan TV, Taliban foot soldiers watching over the host. The presenter talks about the collapse of the Ghani govt & says the Islamic Emirate says the Afghan people should not to be afraid #Afghanistan pic.twitter.com/oEverVgLOE

— Yalda Hakim (@BBCYaldaHakim) August 29, 2021
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë