Sulmi ndaj Bregoviç nga mendësi primitiviste

Sulmi ndaj Bregoviç nga mendësi primitiviste

Goran Bregoviç

Shoh këto ditë një vërshim llumi nëse ia vlen a s’ia vlen të këndojë Goran Bregoviç në Korçë?! Dhe llumi sjell llumin, dmth ndezjen e urrejtjeve të vjetra e të reja, ikën nga tingujt muzikorë dhe shkon bash aty, te nacionalizmi i verbër, periferia, mbyllja në haurin tënd, në shpellën tënde.

E provuam mbylljen 50 vjet, u dashka provuar sërish nga një mori kinse “patriotësh”, që bartin mbi shpinë veçse kasollen e tyre të mjerë, shpellën inkuizicioniste të ideologjive të sëmura nga bacili i vetmisë, ksenofobisë, urrejtjeve. Bota vrapon e ethshme drejt një kozmopolitizmi të hapur, aktiv, ku njeriu bëhet Zot, me gjithë liritë dhe të drejtat e tij, me punën dhe familjen, kudo ku ai jeton, në hapësirën pa klone e kufij.

Unë nuk e di se si tingujt e këngëve të dala nga një shpirt artisti mund të kthehen në plumba, gjyle e topa. Ç’është kjo mendësi primitiviste kështu? Ç’janë këto kreni të ngjyera në idiotësitë e luftërave dhe urrejtjeve nacionaliste, pa arsyetuar. Kjo e shtyn dhe një shekull më tej domosdonë e komunikimeve, marrëdhënieve mes shqiptarësh e serbësh, duke ringjallur makthe, pandehma dhe paranoja, jashtë kontekstit historik. Kohët nuk janë të ngrira. As marrëdhëniet mes popujve, qoftë dhe rasti mes serbëve dhe shqiptarëve, që ka përsipër ankthin e gjakut.

Arti nuk është senjor i gjakut. Them se është e kundërta. Arti bashkon zemrat njerëzore, nuk i përçan dhe as i fut nëpër kolibet arkaike të mendjeve të stërmunduara nga dyshimet, paragjykimet. Korça është qytet i kulturës, i pritjes së të huajve, nuk është një gjelltore urrejtjesh dhe përçarjesh. Është në nderin e saj ta presë edhe një këngëtar të njohur serb si Goran Bregoviç.

E ç’u bë se ai na këndoi në këtë qytet kulture? Thjesht do të lërë udhëve dhe qiellit të Korçës ca tinguj njerëzie, ca tinguj miqësie, dashurie. Vallë i bën keq dikujt tingulli? Në i bëftë keq, le të vërë pak dyll në vesh, më pas do të mësohet se shpirtrat e popujve ngjajnë. Arti bashkon…

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë