Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka cilësuar sulmin ndaj makinës së analistit Fatos Lubonja, si të paramenduar prapa së cilit qëndron kryeministri Edi Rama. Sipas saj, sulmi ka ardhur pikërisht se Lubonja është kritik i kreut të qeverisë, teksa thekson se kjo është një dëshmi që Rama nuk kërkon që në këtë vend të ketë një mendim ndryshe.

"Të frymëzuar nga dhuna e pushtetit dhe mbytjes së demokracisë prej atyre që kanë rrëmbyer shtetin, simboli i lirisë së mendimit, Fatos Lubonja është kthyer në viktimë të një sulmi të dhunshëm. Dënoj me forcë aktin, i cili është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes. Kjo dhunë ndaj njërit prej përfaqësuesve më të denjë të fjalës së lirë, është paraprirë nga ligji i inkuizicionit ndaj medias së pavarur miratuar nga Qeveria e paligjshme vetëm disa ditë më parë. Kjo dhunë e ushtruar sot është modeli, që Edi Rama frymëzon çdo ditë me sulmet e tij prej një rrugaçi dhe banditi politik ndaj kritikëve të qeverisë së tepsisë dhe skandaleve. Dhuna ndaj mendimit të lirë nuk ka vend në demokraci", shkruan Kryemadhi.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, që e ka bërë fajtor të drejtpërdrejtë për sulmin kreun e qeverisë.

"Gurë mbi makinën e analistit Fatos Lubonja, sulmi i frymëzuar nga armiqtë e fjalës! Sulmi ndaj gazetarit dhe analistit të njohur Fatos Lubonja është një ngjarje tronditëse. Guri, që për nga madhësia duket sikur të jetë shkulur nga sheshi “Skënderbej”, u hodh mbi makinën e publicistit, i kërcënuar dhe shantazhuar direkt disa herë për qëndrimet e tij kritike ndaj Kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj. Edi Rama nuk ka nevojë të jetë dhunues apo urdhërues direkt, por ai me fjalorin që përdor, me statuset që shkruan, me ligjet që miraton, është nxitësi numër 1 i dhunës ndaj gazetarëve, analistëve apo kritikëve të keqqeverisjes së tij Koalicioni i 7 organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias gjatë një misioni faktmbedhës, në takimin me Kryeministrin Rama, ngritën shqetësimin se gazetarët janë të rrezikuar nga fjalori i tij dhe sulmet e shpeshta ndaj tyre.

Por vetëm pak ditë pas takimit, në një postim në tëitter në dt 28 qershor, Edi Rama shau dhe sulmoi disa gazetarë, përfshirë edhe z. Lubonja. Tre ditë pas këtij statusi të Kryeministrit, gurë urrejtjeje sulmojnë makinën e analistit. A është kjo rastësi??Shënim: më poshtë postimi në Tëitter Kryeministrit Edi Rama dt 28 qershor 2019, vetëm tre ditë para sulmit ndaj analistit z. Lubonja", shkruan Vokshi.