Sulmi në Banjskë, shtyhet seanca e parë gjyqësore ndaj 45 të pandehurve (Emrat)

Sulmi në Banjskë, shtyhet seanca e parë gjyqësore ndaj 45 të pandehurve (Emrat)

Seanca e parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës

Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi ta shtyjë seancën fillestare në rastin Banjska kundër 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe për vepra të rënda kundër Kushtetutës së Kosovës, përfshirë Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Një seancë e re u caktua për 9 tetor, pas kërkesës së tre avokatëve të të akuzuarve që gjenden në paraburgim.Ata donin më shumë kohë për t'u përgatitur.

Në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë: Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Shumica dërrmuese e të akuzurave ndodhen në arrati.

Si rrodhi seanca?

Prokuroria konfirmoi se të pranishëm në seancën e së mërkurës ishin vetëm tre të pandehur dhe kërkoi që të sigurohet prania e të gjithë të akuzuarve, ose që ata të gjykohen në mungesë.

Derisa prokuroria tha se ndryshimet në Kodin Penal e mundësonin gjykimin në mungesë, Lubomir Pantoviq, avokati i të arrestuarit Blagoje Spasojeviq, theksoi se nuk ekzistonte bazë ligjore për një gjë të tillë.

Avokatët e të akuzuarve kërkuan nga prokuroria t'ua dorëzojë dosjet e rastit në formë fizike, pasi disa dosje të pranuara në mënyrë elektronike "nuk kanë mundur t'i hapin" dhe se nuk mund të përgatiten për mbrojtje, prandaj kërkuan që seanca të shtyhej.

Prokuroria kërkoi që seanca të shtyhej vetëm nëse të pandehurit do ta pranonin fajësinë, gjë që nuk u pranua nga gjykatësi. Megjithatë, të pandehurit do të deklarohen rreth fajësisë në seancën e re muajin e ardhshëm.

Avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, i kërkoi gjykatës ta shqyrtojë gjykimin e të gjithëve në mungesë, duke argumentuar se veprat për të cilat akuzohen ata janë specifike dhe se të pandehurit mund ta rrezikojnë sigurinë e Kosovës.

Gjyqtari Arben Hoti njoftoi se do të kërkojë mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit kur bëhet fjalë për gjykimin në mungesë.

Gjykata vlerësoi se tani dhe në të ardhmen ekzistojnë kushtet për gjykimin e atyre që ndodhen në paraburgim.

Kjo seancë vjen një ditë pas përvjetorit të sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi të armatosur ndodhen në Serbi.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), më 24 shtator, tha se ligjet e Kosovës lejojnë që të gjykohet në mungesë, dhe se Serbia “herët a vonë do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët”.

Lubomir Pantoviq, avokati i të arrestuarit Spasojeviq, javën e kaluar i tha REL-it se gjyqi do të jetë “i vështirë, serioz dhe kompleks”, pasi veprat penale të përmendura në aktakuzë janë të tilla.

Klienti i tij, Blagoje Spasojeviq, i ka treguar policisë disa detaje pas arrestimit, por theksoi se nuk e dinte se më 24 shtator 2023 do të ndodhte një sulm i armatosur. Ndërkohë, me sugjerimin e avokatit të tij, ai më vonë vendosi të mbrohet duke heshtur.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkon të akuzuarit, ndër të tjera, me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Më herët, prokurori Naim Abazi ka thënë se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Në Kosovë, Radoiçiq gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb dhe frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor që lidhet me ndërtimet ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Hetimin e sulmit në Banjskë po e udhëheq edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila ngarkon Radoiçiqin me tre vepra penale – ndër të cilat janë prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjskë një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./REL

Kush janë të pandehurit?
1-Millan Radoiçiq
2-Bllagoje Spasojeviq
3-Vlladimir Tolliq
4-Dushan Maksimoviq
5-Vlladimir Radivojeviq
6-Uglesha Jarediq
7-Millorad Jevtiq
8-Vllastimir Andriq
9-Aleksandar Millosavleviq
10- Llazar Shmigiq
11- Velko Gjorgjeviq
12-Vlladimir Vuçetiq
13-Stefan Jovanoviq
14-Millovan Kërstoviq
15-Urosh Milliq
16-Trajko Vasiq
17-Danillo Vasiq
18-Vukashin Jarediq
19-Sasha Periq
20-Nemanja Stankoviq
21-Momçillo Vuçkoviq
22-Stefan Radojkoviq
23-Marjan Radojeviq
24-Marko Arsiq
25-Zharko Cvetkoviq
26-Kërsto Damjanoviq
27-Stefan Millosavleviq
28-Marko Saviq
29- Aleksandar Jevremoviq
30-Radosh Gvozdiq
31-Ivan Milliq
32-Gojko Zubaq
33-Nemanja Radivojeviq
34-Radak Axhiq
35-Millosh Millenkoviq
36-Gjorgje Balloviq
37-Danijell Gjukiq
38-Danillo Virijeviq
39-Aleksandar Tanaskoviq
40-Millosh Kragoviq
41-Milan Nedelkoviq
42-Nikolla Illiq
43-Vlladan Illiq
44-Radulle Steviq
45-RAD D.O.O.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)