Prokurorët federalë kanë publikuar të enjten pamje që tregojnë momentin kur zyrtarët thonë se Cole Tomas Allen u përpoq të hynte me forcë në darkën e javës së kaluar të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë për të vrarë Donald Trump.

Sipas pamjeve, Allen duket teksa vëzhgon ambientin e hotelit një natë para darkës së së shtunës.

Gjatë orëve kur zhvillohej darka, pothuajse një duzinë agjentësh sigurie janë të mbledhur rreth një pike kontrolli në hotel. Një burrë me një pallto të gjatë të errët ecën nëpër korridor dhe zhduket në një derë.

Pak çaste më vonë, personi i armatosur, pasi ka hequr pallton, rishfaqet dhe vrapon përmes një detektori metali me të dyja duart mbi një armë.

Sipas një deklarate të paraqitur nga prokurorët, bëhej fjalë për një pushkë gjahu të kalibrit 12.

Pamjet duket se tregojnë një agjent duke qëlluar me pistoletën e tij ndaj të dyshuarit. Prokurorët kanë thënë se agjenti u godit nga të shtënat, por autori nuk u qëllua.

Avokatët mbrojtës të Allen kanë vënë në dyshim pretendimet e prokurorëve se klienti i tyre ka hapur zjarr.

Të enjten, drejtori i Shërbimit Sekret të SHBA i tha Fox News se i dyshuari kishte qëlluar ndaj një agjenti të Shërbimit Sekret nga “distancë shumë e afërt”.

“Të gjitha provat që kam parë tregojnë se i dyshuari qëlloi oficerin tonë nga shumë afër me një pushkë gjahu,” tha Sean Curran.

“Oficeri ynë iu kundërpërgjigj me zjarr në mënyrë heroike, ndërsa u qëllua nga shumë afër në gjoks me një pushkë gjahu, duke arritur të qëllojë pesë herë. Duket se i dyshuari goditi gjurin, ndërsa po përballej me oficerin, në një nga kutitë e magnetometrit dhe filloi të binte në tokë. Në atë moment oficerët dhe agjentët arritën ta neutralizojnë dhe ta mbërthejnë”, tha ai.

Pamjet nuk tregojnë momentin kur hetuesit thonë se autori i dyshuar u neutralizua dhe u arrestua në Washington Hilton të shtunën.

Videoja, e cila është ngadalësuar dhe e shoqëruar me shënime në disa momente, tashmë i është dorëzuar gjykatës federale të distriktit ku Allen u akuzua, sipas Prokurores së Shtetit. Ajo nuk përmban audio.

Cole Tomas Allen, 31 vjeç, akuzohet për tentativë për të vrarë Presidentin Trump. Ai nuk ka dhënë ende një deklaratë për të pranuar fajësinë ose pafajësinë.

Allen përballet edhe me akuzat për transportimin e një arme zjarri ndërmjet shteteve për të kryer një krim të rëndë dhe përdorimin e armës në një krim të dhunshëm. Të dyja parashikojnë dënim maksimal deri në 10 vjet burg.