TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar në Report Tv situatën e krijuar në veri të Kosovës, si edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare. Ndërsa po bëhen përpjekje që opozita dhe mazhoranca të dalin me një rezolutë të përbashkët që të dënohet sulmi në veri të Kosovës, Tabaku thotë se kjo nuk duhej të ishte zvarritur, pasi ende nuk kanë nisur bisedimet për përmbajtjen e rezolutës që pritet të kalojë në Kuvend më 12 tetor.
“Nuk duhej të kishim debate për Kosovën, duhej të mblidheshim për të mbështetur parlamentin e Kosovës. Patëm debate edhe në Konferencën e Kryetarëve edhe në Kuvend më shumë për procedurë, ende nuk jemi ulur ta diskutojmë përmbajtjen e rezolutës. Kosova është e interesuar ta ketë Shqipërinë në krah. Do ti kishim bërë nder Kosovën nëse s’do kishim debatuar por të kishim rënë dakord për ta mbështetur me një rezolutë që ka një qëndrim të njëjtë me atë të Kuvendit të Kosovës.
Në një intervistë për gazetarin Nertil Agalliu, deputetja Tabaku tha se qeveria shqiptare ka dështuar të ketë një koordinim me qeverinë e Kosovës.
“Të gjithë kanë qenë të shqetësuar në lidhje me sjelljen e qeverisë shqiptare. Duhet të kishte një koordinim me qeverinë e Kosovës. Kjo është një çështje që i takon Kosovës se si e trajton këtë çështje, qëndrimet që mban. Qeveria shqiptare ka dështuar të ketë një koordinim me Kosovën. E papranueshme që Shqipëria në disa raste të dalin kundër Kosovës, por deklarata që NATO të marr në administrim veriun, tejkalonte çdo parim të mirë diplomatik, por tejkalonte edhe ato parime që Shqipëria dhe Kosova nuk i ka tejkaluar kurrë në këto vite”, tha Tabaku.
Deputetja Tabaku si edhe deputeti i CDU Knut Abraham kanë propozuar miratimin e një rezolute në Këshillin e Europës që dënon sulmin në Kosovë.
“Kemi prezantuar një rezolutë që do diskutohet javës që vjen në Këshillin e Europës, dënon sulmin që ndodhi në veri, vlerëson mënyrën se si Kosova e menaxhoi situatën e vështirë, dënon Serbinë për qëndrim e mbajtur dhe ditën e zezë. I kërkon Kosovën të bëjë transparente të gjitha provat me KFO dhe EULEX, kërkon një hetim që ti japë dritë dhe kërkon nga Serbia që ta dënojë aktin”, tha Tabaku.