Sulova Socialiste

Sulova Socialiste

Sulova

Ç'janë ata male me Devoll te këmbët ?
Cilët janë ata trima që jetojnë atje ?
A e shkrepin pushkën ?
A e zhgrrapsin penën ?
A e ngasin parmëndën ?
Nga Dumreja deri në rrëzë të Tomorrit, nja 30 e ca katunde, male, kodra, pyje, përrenj, liqere, shtrihet e shtriqet, e ulet e ngrihet, madhështorja Sulova.
Gjithajo Sulovë nuk shetitet me duar në xhepa duke vërshëllyer.
Sulova shetitet me lodhje shenjtërore, me sakrifica dashurie.
Sulovën mund ta depërtosh nga disa drejtime.
E mira është nga Tunja, nga Mollasi, ose nga Lapardhaja.
Po e provoj nga Mollasi.
Mollasi ndodhet rrëzë maleve të Sulovës, 12 kilometra nga Ura e Gostimes.
Ura e re mbi Devoll është aq e bukur dhe e dobishme sa të bëhet ta puthësh, ta përqafosh, ta dashurosh.
Me Dumre më të djathtë, Devoll në mes, katundet e Sulovës më të majtë duken si gjerdan me perla në gushë të malit.
Kudo ku hedh sytë, shtëpitë, vilat, oborret, lokalet, bizneset, janë ujdisur dhe qëndisur në mënyrë aq të admirueshme, gjithçka është e ndrequr nga dora dhe mendja sulovare me aq kujdes, sa pamjet duken si kryevepra të piktorëve rinascimentalë.
Mirë Sulova, po sulovarët ku janë ?
Pretendim i tepërt. Sulovarët nuk ja kanë një aventurieri ku rrafsha mos u vrafsha si unë. Sulovarët janë në punë. Nëpër ara, nëpër vreshta, nëpër ullishta.
Nëpër katundet e Shqipërisë së sotme nuk ka më njerëz që enden kot si në kohën e traktorave që çanin arat. Megjithatë tek-tuk edhe sheh ndonjë banor anës rrugës. Në Sulovë jo. Në Sulovë nuk gjen asnjë. Të takosh sot një sulovar në rrugë është Fat si me të ra Llotaria e Brazilit.
Ka një arësye pse rrallë e për mall mund të dëgjosh nëpër televizione apo gazeta ndonjë haber për Sulovën. Shkaku është i thjeshtë. Sulovarët, meqënse punojnë shumë, nuk kanë nge' të vrasin tjetrin ose veten. Duke mos prodhuar krim por vetëm perime, fruta, rrush, mjaltë, mollë, dardha, qershi, mana, pekmez, verë, raki, Sulova nuk bën lajm. Madje, duke mos bërë lajm, Sulova duket sikur nuk ekziston.
Bëj si bëj mezi gjej dy diva sulovarë në një lokal duke pirë kafe më këmbë. U them të më orientojnë si dal që këtu për në Lapardha.
Lënë kafetë mënjanë. Ua zura në fyt. Eja, pas nesh, më thonë.
Sulovarët para me makinën e tyre, unë nga pas me timen. Ndalemi në Mollas. Më japin udhëzimet përkatëse. I falenderoj. Buzëqeshin me njerzillëk. Para se të ndahem, i pyes:
-Ore, me kë jeni ju ?
-Me socjalisten, njëzëri të dy duke ngritur duart përpjetë sikur donin të thonin, ja po deshe na kontrollo xhepat, s'kemi tjetër, vetëm me Socjalisten jemi.
Ndahem miqësisht me divat e Socjalistes sulovare.
Sa me fat jam që rrugën ma tregojnë sulovarë të sjellshëm dhe jo GPS-të ose hartat e ftohta.
Sipas sulovarëve të urtë që për qefin tim braktisën kafenë, kjo rrugë do ta preki rrugën Tunjë-Lapardha diku në Lumas.
Pas nja gjysëm nëpër një të përpjetë plot me dredha, lart në mal para sysh më doli...Bota.
Dumreja e ergjëntë si nuk e kisha parë kurrë.
Krraba, Peqini, Rrogazhina, Divjaka, Lushnja, në pëllëmbë të dorës.
Kur ngjitja ka mbaruar, rruga me dredha shkon përmes një lugine të begatë me vreshta, ullishta, koshere bletësh.
Anës rrugës, mbi ullishtat dhe pemishtat, kanë ndërtuar rezervuarë të panumurt betoni me uji shiu që bie nga Qielli ose ujë përroi që e ngrenë me pompa.
Në thellësi të Sulovës nëpër male e gryka, vazhdon kujdesi i sulovarëve për arat e pjerrëta me ullinj ose vreshta. Impiantet e vaditjes dhe përkujdesjet e tjera janë perfekte. Bujqit sulovarë punëve u rrinë te koka.
Zonjë sulovare me të bijën te dera e shtëpisë së re jep spjegime për rrugën:
Pas 1 kilometri, thotë Zonja, jo djathas por majtas. Kujdes kur të zbresësh në përrua. Po rrëshqite gjen belanë. Pas 2 kilometrash, jo majtas por djathtas. Pastaj s'ke më ngatërresa. Drejt e në Lumas.
Faleminderit Zonjë sulovare me pamje serioze dhe përpikmëri kompjuterike.
Pyll i dendur me driza dhe lisa.
Zbritje dramatike në rrugë argjilore rrëshqitëse me kthesa të ngushta në një përrua si në filmat hollividianë me ndjekje policore nëpër xhungël.
Çoban dhish me kërrabë, pagure, nagaçe, jep udhëzime të sakta. Por jo sa të Zonjës kompjuterike.
Thotë çobani:
-Kam 30 dele,
Dhe pa e pyetur shton:
-Jam me Socialisten.
Mbi rrugë ka shenja gomash makine. Por, as përballë as pas, asnjë makinë.
Aty-këtu majtas e djathtas, rrugë të ngushta që të degdisin nëpër fshatra ose mëhalla prapa maleve ose buzë përrenjve.
Rretheqark sa të ha syri, asnjë shtëpi
Te një vreshtë, matanë gardhit, rrush.
Tundim i pa përballueshëm.
Zbres nga makina. Kapërzej gardhin. Marr dy vile rrush.
Të kishte qënë aty afër i zoti i vreshtit do më falte rrush me arka. Por rrushi i vjedhur është më i ëmbël se rrushi i falur. Dhe prej shumë vitesh s'kisha provuar rrush kaq të shijshëm. Më kujtoi kohët e kalamallëkut.
Nëpër brinja e lëndina, koshere bletësh.
Larg mbi faqe mali, stane surrealë të vetmuar.
Rruga vazhdon drejt jugut.
Tomorri në horizont.
Në lindje po nxihet qielli. Kërcënim serioz. Jo me llafe. Me shi Sulove.
Ku është kthesa më të djathtë drejt perëndimit për ti ikur shiut që po afrohet nga lindja ?
Vrundujt e shiut kanë mbërritur. Aktivizoj fshesat e xhamit.
Un' para, shiu pas, ose e kundërta, nëpër gryka e gërxhe me kilometra e kilometra të tëra.
Ja, më së fundi, rruga Gramsh-Lapardha.
Prej aty drejt perëndimit, shiu që vjen nga lindja dhe e kam vetëm nga pas, herë më tërheq pas qafe për të më lagur, herë më lëshon të iki në të thatë.
Prezenca e gjurmëve të gomave dhe mungesa e makinave, e paska pasur një spjegim. Sulovarët me makina ja njohin nazet Motit. Mund të duket thatë, si sot, por ata e nuhasin shiun, dhe nuk nisen.
Anës rrugës, nën shi, me kasketë në kokë, pa dhjamë në bark, ecën i kërrusur një sulovar i moçëm.
E marr.
Sulovari i lagur është i muhabetshëm. Thotë se ishte te çupa e martuar në Sarasel. Shkon në Lumas ku ka bërë shtëpi të re të madhe me dy kate. Është 91 vjeç. Nga Belesova. Ka pesë bij e bija. Të gjithë të martuar këtej rrotull. Asnjë në emigracion. Numuron punët që ka bërë: Brigadier, postier, korrier, stallier, karrocier, roje, kuzhinier etj. I qeshuri dhe i këndshmi Leonardo sulovar i gjithë këtyre profesioneve mburret se s'ka punuar asnjë ditë në Kooperativë, dhe se është me Socjalisten.
Në Lumas është thatë. Mesa duket shiu u lodh duke më ndjekur. Mbeti në Sarasel. Ose u kthye në Katërlis.
Të isha nisur nga Mollasi nja gjysëm ore më vonë, do kisha ngecur në mes të kurrkundit kushedi sa ditë e netë në ndonjë përrua a gropë derisa të vinte NATO të më nxirrte me helikpter. Në mos, do kisha mbetur andejrrotull duke ngrënë arra, rrush, fiq, mjaltë, a duke zjerë ndonjë supë me gjethe ferre si Robinson deri në beharin e ardhshëm sa ta thante Dielli rrugën sulovare.
Ujvara e Sinecit nuk është larg. Por ta nakatos idilin bukolik sulovar me muhabete protestash dhe burokratësh, sikur nuk shkon. Mos mu zemëro Sinec. Do vi përsëri.
Drejt Lapardhasë, mesogrua në shi. Thotë:
-Le të lagemi. S'ka problem. Shyqyr që bie shi.
-Me kë je ?
-Me kë të jem ? Me Socjalisten jam.
Një sulovare me kosore në sup dhe sozinë e saj që ngiste një Nissan pickup, nuk i pyeta me kë janë.
Në një kafene, ulur në një kolltuk të trashë, një "Sula" sulovar 14 vjeç, kafe dhe ujë të gazuar përpara, shkruan mesazhe në celular.
Te një dyqan ku bëra dhe hëngra një përshesh të vogël, shitësi, pasi tha me kranari se është me Socjalisten, shtoi, ose më këshilloi, të mos pyes kot se këtu të gjithë me Socialisten janë.
Lugina e Lapardhasë është aq e bukur dhe e begatë sa për nga rregulli dhe begadia, i vetmi konkurrent që ka, është Roskoveci i bishës së punës, Majlinda Bufit.
Duke u kthyer, diku në Myzeqe, pa kimikate, pa kungull, sharqi Bio. Për të udhëtuar edhe pak në kohën e kalamallëkut, pasi hëngra një të tërë si i babëzitur, pyeta lëkurat e shalqinit:
-Edhe ju me Socjalisten jeni ?
Afër Rrogozhinës kam një mik që ka një Servis. Ky mik, që nuk është as me Socjalisten as me Komunisten, ka një huq. Punën nuk e lyp, nuk e blen, nuk e shet, nuk e vjedh, nuk e këmben. Ky punën e shpik. Ja se si: Pronari i këtij Benzit të madh që sapo ka ardhur në servis, një Lac nga Lekli, për tu tërhequr vëmendjen dashnoreve të panumurta, ka ardhur ta bëjë Benzin të nxjerrë zhurmë të skëterrshme duke i hequr marmitat.
Kaq ishte ky udhëtim. Jo fort i pasur në kronikë. Por i pafundëm në emocione dhe me plot sulovarë që janë me Socjalisten.
S'ëshë hera e parë që nisem me diell dhe vazhdoj me shi nga pas që më thotë:
-Do të kap, do të lag, do të kalb.
E un ja kthej:
-Shi budalla. Më ndiq e më lag sa ke fuqi. Un' prap e prap do vi. Qoshe e rrëzë s'do i lë pa parë të bukurës Shqipëri.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Faleminderit!: 15/09/2021 13:15

    Te Lumte Edison. Ky shkrim artistik dhe narrativ (dhe edhe politik), mendoj se eshte nga me te bukrit dhe me te arriret qe ke shkruar. Ketu ke pershkruar Njerezit e Punes, Njerezit e Vertete. Atyre qe i fillon emri Njeri me Germe te Madhe. Njerezit e ndershem, punetore, te zgjuar, madheshtore ne shpirt e ne vepra. Kjo eshte pjesa me e mire e shoqerise njerezore, ajka e saj. Prej tyre mbeshtetet dhe fundja e me ne fund, ushqehet dhe ka ekzistencen e saj e gjithe shoqeria... TANI PER SA I PERKET kOMUNIZMIT DHE SOCIALIZMIT, NUK KA SE SI TE MOS JENE ME KOMUNIZMIN NJEREZIT E VERTETE, SE ATA E KANE KUPTUAR DHE E KENE NDJERE NE ÇDO QELIZE TE TYRE DHE NE ÇDO PIKE GJAKU QE RRJEDH NE ARTERIET, SE ESHTE VETEM SISTEMI I SHENJTE KOMUNIST AI QE DO TE SHPETOJE DHE ÇLIROJE TE GJITHE BOTEN, PO TE GJTHE BOTEN MBARE NGA TMERRET E KAPITALIZMIT DHE DJALLIT QE E UDHEHEQ ATE. VETEM KOMUNIZMI I SHENJTE DO TE MUND TA SHPETOJE BOTEN NGA KATASTROFA E PASHMANGSHME DHE FUNDI I AFERT QE PO I VJEN RROTULL DHE PO E KANOS TANI BOTEN ME RROKULLISJEN PERFUNDIMTARE NE HUMNERE. VETEM KOMUNIZMI ESHTE SISTEMI I NJEREZVE TE PUNES DHE TE NDERSHEM E TE DREJTE. VETEM AI DHE VETEM AI E ASKUSH TJETER. Faleminderit i nderuari Edison YPI per kete shkrim teper te bukur dhe mund te them legjende. FALEMINDERIT!

    Përgjigju
  • O tej: 14/09/2021 16:54

    Po qe e ke qa Edison?

    Përgjigju
    • Nadire Asllani: 15/09/2021 05:48

      Ç’të ka gjetur Edison që nuk ke bërë artikull të shash komunistët, se ajo zonë është jo socialiste por komuniste komplet. Atje nuk ka vrasje për tokat e hunj gardhi, atje nuk vret njeri gratë e vajzat. Gratë e vajzat respektohen nuk rrihen me rripin e pantallonave. Edhe më përpara në kohën e zogut kur kishte hasmëri për të evituar vrasjet pleqësia e fshatit bënte pajtimet duke bërë martesa ndërmjet fiseve që ishin në gjak. Ajo zonë ka një popull bujar që politika vetëm për vota e shfrytëzon por një rrugë me asfalt që të lidhin gjithë Sulovën për ta shfrytëzuar turizmin nuk ja u bëri. Ata kanë qënë me PPSH-në që ti e urren për vdekje Edison, sot janë me socialisten se e njësojnë me komunizmin dhe janë besnikë të tij se tradhëtojnë atë. Nuk janë si matrapazët e politikës që i ndërrojnë partitë për pushtet. Sulova nuk ka kohë të vrasin apo të spiunojë, ata veç punojnë.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

5 netë 'roje' për të vrarë Eduard Reçin/ Shkëlqim Dukaj u fsheh te shkallët e një hoteli, autorët e dyshuar kyçin gojën në polici

5 netë 'roje' për të vrarë Eduard Reçin/ Shkëlqim Dukaj u fsheh te shkallët e një hoteli, autorët e dyshuar kyçin gojën në polici