Superliga shqiptare e futbollit është në raundin e 33-të, teksa ndeshjet janë të shpërndara në tre ditë. Të dielën në fushë zbritën katër skuadra, ndërsa sot ky raund do të mbyllet me sfidat AF Elbasani - Vllaznia dhe Flamurtari - Dinamo; të vlefshme për objektiva të ndryshme.

Dje në stadiumin 'Adush Muça' të Ballshit, vendasit e Bylisit fituan 2-0 kundër Teutës. Serxhio Emini kaloi të tijtë në epërsi pas vetëm tre minutave lojë, me asistin e Vieira. Durrsakët u munduan, por nuk mundën të shënonin. Në shtesën e pestë të ndeshjes ishte Aboubacar Camara që shënoi edhe golin e dytë për të besuarit e Mirel Josës. Kjo humbje e Teutës bën që ekipi durrsak të futet 'në vallen' e mbijetesës.

Në Rrogozhinë, Egnatia vendase u mposht 0-2 nga Vora. Pasi siguruan finalen e Kupës së Shqipërisë, Egnatia e cila është në zonën 'Final 4' ka tre humbje radhazi kundër tre skuadrave që luftojnë për mbijetesën; Tirana, Flamurtari dhe Vora. Ndeshja u vendos nga dopieta e Irgi Kasallës në minutat 5 dhe 26 (me 11 metërsh), ndërsa goli i parë erdhi si pasojë e gabimit të portierit Tandilashvili.

Ky raund nisi të shtunën me fitoren 2-1 me përmbysje të Tiranës në derbin kundër Partizanit. Pas sfidave të sotme do mësohet edhe renditja e plotë, ndërsa faza e rregullt e kampionatit ka 36 raunde.

Superliga, raundi 33:

E shtunë, 25 prill 2026

KF Tirana 2-1 Partizani

E diel, 26 prill 2026

Bylis 2-0 Teuta

Egnatia 0-2 Vora

E hënë, 27 prill 2026 - 19:00

AF Elbasani - Vllaznia

Flamurtari - Dinamo

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:01
Ndeshja delikate mes AF Elbasanit dhe Vllaznisë, policia: Ndalohet qarkullimi i mjeteve rreth stadiumit, s'do të lejohen grumbullime tifozësh

1777273338_elbasan.jpg

Këtë të hënë në orën 19:00 në qytetin e Elbasanit do të zhvillohet ndeshja mes vendasve të AF Elbasanit dhe Vllaznisë, e vlefshme për raundin e 33-të të Superligës. Të dyja skuadrat e kanë siguruar një vend në 'Final 4', megjithatë interesi i tifozëve pritet të jetë i lartë çka ka shtyrë policinë që të dalë me një plan masash.

Gjatë kohës që do të zhvillohet aktiviteti nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve rreth stadiumit "Elbasan Arena" si dhe do ketë kontrolle të shtuara për tifozët që do futen në stadium. Policia bën me dije se tifozët do të shoqërohen në stadium përgjatë një itinerari të caktuar dhe nuk do lejohen grumbullime, kjo për të shmangur çdo përplasje të mundshme. Pritet që në këtë ndeshje të ketë edhe tifozë miq nga Shkodra.

Njoftimi i plotë i policisë së Elbasanit:

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve “AF Elbasani” dhe “Vllaznia”, e cila do të zhvillohet ditën e sotme, datë 27.04.2026, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Gjatë këtij aktiviteti do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në perimetrin përreth stadiumit.

Qarkullimi do të lejohet vetëm për mjetet e pajisura me autorizim të posaçëm, ku duhet të jenë të shënuara edhe targat e automjeteve.

Policia do të garantojë dhe sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë itinerareve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullime apo kalime jashtë itinerarit të përcaktuar.

Në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike etj.). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohet hyrja në stadium e shtetasve pa dokument identifikimi. Gjithashtu, fëmijët e mitur nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor të shoqëruar me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohet hyrja në stadium e tifozëve të identifikuar më parë nga Policia si problematikë në aktivitete të ndryshme sportive.

Policia e Elbasanit kërkon mirëkuptimin e tifozerive për zbatimin e masave të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për shmangien e lëvizjes me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura gjatë orareve të përcaktuara.

Faleminderit