Superliga shqiptare e futbollit do të fillojë edicionin e ri 2026-27 këtë fundjavë, me ndeshjet që janë të shpërndara në tre ditë, nga e premtja deri të dielën. Ky do të jetë edicioni numër 88-të i elitës së futbollit shqiptar, me një formulë të ndryshuar dhe pa 'Final 4', teksa në fund të edicionit vetëm një ekip do të rrëzohet direkt, kjo pasi edicioni 2027-28 do të vijojë me 12 ekip, nga dhjetë që janë për momentin.

Të premten spikat dueli mes Vllaznisë dhe të rikthyerve në elitë, Skënderbeut. Ndeshja hapëse do të zhvillohet në 'Loro Boriçi' në orën 21:00.

Të shtunën në orën 16:00 do të kemi dy përballje që nisin nga ora 16:00. Laçi pret AF Elbasanin, ndërsa Partizani luan me Teutën në kryeqytet. Të dielën në orën 18:30 luhet Dinamo - Vora, ndërsa në orën 21:00 Egnatia - Tirana. Vlen për t'u përmendur se Egnatia dhe Dinamo do të jenë në fushë edhe të enjten (nesër) për ndeshjet evropiane.

Formati - Edicioni 2026-27 do të zhvillohet fillimisht me tre faza të rregullta. Në përfundim të tyre, skuadrat do të ndahen në fazat play-off dhe play-out, ku pikët e grumbulluara gjatë sezonit të rregullt do të përgjysmohen.

Në fazën play-off do të garojnë gjashtë skuadrat e renditura në vendet 1-6, të cilat do të zhvillojnë ndeshje vajtje-ardhje për 10 javë për përcaktimin e ekipit kampion, si edhe të renditjes përfundimtare.

Ndërkohë, në fazën play-out do të marrin pjesë katër skuadrat e renditura në vendet 7-10. Këto ekipe do të zhvillojnë ndeshje sipas formulës vajtje-ardhje-vajtje, me secilën skuadër që do të luajë gjithsej 9 ndeshje.

Ekipi i renditur në vendin e 10-të do të bjerë direkt nga kategoria, ndërsa skuadra e renditur në vendin e nëntë do të luajë një ndeshje play-off me ekipin humbës të finales së play-off-it të Kategorisë së Parë, mes skuadrave të renditura në vendet 3-4-5-6.

Një tjetër risi e rëndësishme është aktivizimi i detyrueshëm i futbollistëve të rinj. Në Superligë dhe Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare. Ky rregull synon të krijojë më shumë mundësi për talentet e rinj shqiptarë dhe të kontribuojë në zhvillimin e brezit të ardhshëm të futbollistëve.

Superliga, sezoni 2026-27, raundi i parë:

E premte, 21 gusht 2026

21:00 Vllaznia - Skënderbeu

E shtunë, 22 gusht 2026 - 16:00

Laçi - AF Elbasani

Partizani - Teuta

E diel, 23 gusht 2026

18:30 Dinamo - Vora

21:00 Egnatia - Tirana