Krahasimi im ishte me kulturën totalisht të kundërt të ndjekur nga Izraeli, i cili përkujton çdo ditë dhe në çdo vend të mundshëm martirët hebrej të shfarosjes së nazistëve. Por surpriza më erdhi nga miku dhe kolegu Afrim Krasniqi, i cili më bën me dije se që nga 2010 ekziston edhe në Shqipëri "Dita e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri". Dita e përzgjedhur është ajo e 20 shkurtit, ditë e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës.
Nisma është marrë nga qeveria e Sali Berishës që më pas ka çuar në Parlament ligjin nr. 10 241, i votuar dhe i miratuar me 25 shkurt 2010. Por befasia qëndron në faktin se asnjë qeveri, duke filluar nga vetë qeveria e PD që e bëri, nuk është kujtuar ta festojë.
Dita e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri ka mbetur kështu për pesë vite rresht një vendim i harruar, bashkë me dy projekte të përfshira në atë ligj. Neni 4 në fakt parashikon: ''Ngarkohet Këshilli i Ministrave të krijojë Muzeun Kombëtar të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri'' ndërsa neni 5: ''Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore për ngritjen e Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, si dhe të monumenteve përkujtimore në qytetet e tjera të Shqipërisë''.
Pra, jo vetëm që nuk është festuar ndonjëherë dita e Kujtesës e fiksuar me ligj me 20 shkurt, por qeveria e PD (në pushtet deri më 2013) nuk ka zbatuar as nenet 4 dhe 5 të ligjit, të cilat parashikojnë krijimin e një Muzeu Kombëtar, të një obelisku në Tiranë dhe të monumenteve në qytete të tjera dedikuar viktimave të krimeve të komunizmit.
Vetëm nëse, për Muze Kombëtar nënkuptohet pavioni i varfër dhe periferik në katin e fundit të Muzeut ekzistues Kombetar dhe për Obelisk në Tiranë nënkuptohet bunkeri i vogel (sot për fat të keq kthyer në një banjo publike) dhe një copëz muri Berlini përballë Rognerit. Atëherë, tallja me këtë pjesë të vuajtur të popullit shqiptar duket e dyfishtë.
Falenderoj Afrim Krasniqin për saktësimin e tij të vlefshëm, që për fat të keq nuk ndryshon thelbin e denoncimit tim, përkundrazi në disa aspekte e rëndon: ekzistenca e një ligji mbi Kujtesën i lënë i pazbatuar tregon në fakt që zgjedhja për të mos përkujtuar viktimat e terrorit komunist nuk ka qenë një harresë e thjeshtë edhe pse e rëndë, por një vendim i vërtetë politik.
Qeveria aktuale ka tani mundësinë për të treguar se politika e indiferencës ndaj historisë dhe viktimave të terrorit komunist e imponuar prej vitesh nga Sali Berisha dhe nga partia e tij, i përkasin të shkuarës. 20 shkurti 2017 nuk ka ardhur akoma.
Nëse festa e Çlirimit me të drejtë përkujton heroizmin e atyre që sakrifikuan jetën për të çliruar vendin nga pushtuesit nazi-fashistë, festa e 20 shkurtit u duhet dedikuar atyre që pas Çlitimit humbën jetën e tyre dhe dinjitetin e tyre, të shtypur nga një regjim i ngjashëm me atë që donte të krijonte pushtuesi. Organizimi atë ditë i një ceremonie solemne do të ishte një hap i vogël drejt ripajtimit mes shqiptarëve dhe me të kaluarën e errët, një ripajtim që strategjia e fshehjes së historisë e ndjekur deri tani ka penguar.
dy.b/shqiptarja.com