Nga data 6 deri më 22 shkurt në Itali do zhvillohen Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 dhe gjithë vëmendja në botën e skive është te Lara Colturi, italo-shqiptarja që përfaqëson ngjyrat kuqezi.
Në podcastin “More than the Score” në BBC, Colturi ka thënë se katër vite më parë vendosi t'i dedikohej skive dhe jo patinazhit artistik, ku ajo ishte shumë e zonja. Nëse ia del të sigurojë një medalje në Olimpiadë, Lara Colturi do shkruante historinë pasi do ishte medalja e parë për Shqipërinë.
“Colturi është vetëm 19-vjeç, por është njëra nga skiatoret më të mira në slalom falë katër podiumeve të marra në Botërorin e Skive. Ajo do të jetë pjesë e Lojrave Olimpike Dimërore Milano-Cortina dhe do të ketë mundësi që të shkruajë historinë për Shqipërinë në këtë format nëse arrin që të marrë medalje”, kështu e prezanton BBC skiatoren kuqezi, Lara Colturi.
Në episodin në fjalë për të folur për Lara Colturin ishin të ftuara ish-kampionia olimpike e Britanisë së Madhe, Chemmy Alcott dhe Alesia Burnazi.
“E vlerësoj shumë Larën pasi konkurron në Botëror në një moshë të re. Pjekuria që ka treguar në nivele të tilla mendoj se rrëfen shumë për skiatoren dhe talentin e saj”, thotë Alcott.
Ndërsa Alesia Burnazi në fjalën e saj i shpjegoi prezantuesit të podcastit, Ed Harry, impaktin që kishte Lara Colturi për historinë e sportit shqiptar në këtë disiplinë.
“Shqipëria është një vend i vogël, me një traditë modeste në sportin e skive. Lara Colturi me talentin e saj është kthyer në një model për të rinjtë shqiptarë, të cilët një ditë aspirojnë që të kenë sukses në këtë disiplinë”, shpjegon Burnazi, e cila ka ndjekur nga afër Lara Colturin në Botërorin e Skive.
Në këtë episod të publikuar nga BBC rrëfehet edhe vetë Lara Colturi, e cila pranon se vetëm katër vite më parë i është dashur që të marrë një vendim të rëndësishëm pasi mund të vazhdonte karrierën e saj edhe në patinazhin artistik.
“Unë jam rritur në shtëpi me një kampione si Daniela Ceccarelli, e cila nuk është vetëm nëna ime, por është edhe trajnerja ime. Në moshë të re bëja ski për t’u argëtuar dhe që kur ishte 9-10 vjeçe të gjithë më thonin se do të bëhesha si Mikaela Shiffrin, por në atë kohë nuk mendoja shumë për këtë aspekt doja vetëm të argëtohesha. Katër vite më parë kam marrë një vendim shumë të rëndësishëm sa i përket karrierës sime pasi unë kam qenë mjaft e zonja edhe në patinazhin artistik. Në moshën 15-vjeçare vendosa që t’i dedikohesha plotësisht skive dhe konkretisht slalomit”, rrëfen Colturi.
Komente








