Të huaj që ikin, të huaj që rrinë

Të huaj që ikin, të huaj që rrinë
Komentet e medias së huaj lidhur me konfliktin e krijuar në Shqipëri midis CEZ Group dhe qeverisë, ditën e djeshme kanë qenë tejet kritike. Bëri përshtypje, madje, edhe një njoftim i një gazete të njohur ekonomike austriake, sipas të cilës edhe kompania Verbund, një nga ndërtueset në sistemin energjetik shqiptar, me HEC-in e Ashtës, por që kishte shprehur synimin për të marrë pjesë në vepra të tjera, deklaroi se do të rishohë qendrimin e saj pas kësaj ngjarjeje.

 CEZ është kompania numër një e listuar në bursë në Evropën qendrore dhe për një evropian është e vështirë të kuptojë se si sektori publik në një vend refuzon të paguajë faturat për një shërbim. Shteti është krijuar për të mbrojtur dhe realizuar në praktikë kuadrin ligjor, ndërkohë që shteti shqiptar ka vepruar në mënyrë të hapur ndryshe nga fryma dhe nenet e ligjeve në fuqi. Një qendrim i tillë nga shteti shqiptar vështirë se e ndihmon këtë shtet. Investitorët nuk joshen vetëm nga deklaratat se ne jemi më mirë se të tjerët apo se kemi miratuar reforma të suksesshme.

Gjithçka bie poshtë nga arrestimi i punonjësve të investitorit apo vendosja e gjobave marramendëse, që synojnë vijimin e praktikës së mospagimit të detyrimeve nga shteti tek privati. Po kështu, vështirë është të mendohet se si, këtë herë, do të gjejë argumenta studioja ligjore Patton Boggs për të shpëtuar Shqipërinë nga gjoba e pashmangshme e Arbitrazhit Ndërkombëtar të Parisit. Kjo studio është ofruar deri tani për të mbështetur procese privatizimi, që orkestroheshin nga qeveria për t'u dhënë miqve të saj asetet e mëdha të shtetit. Lidhjet e saj me lobistë që ndihmojnë Berishën - kundrejt pagesës nga buxheti - për të përmirësuar imazhin në SHBA nuk mund të sjellin sukses në një gjyq tregtar.

Megjithatë, nuk ka se si të mos bëjë përshtypje fakti që qeveria shqiptare operon në shumë raste me të njejtët subjekte, të besuar të saj. Pra, disa investitorë janë të përkëdhelur dhe nuk kanë ndërmend të largohen prej këtej, duke qenë se kanë gjetur telat e qeveritarëve. Këtu hyn edhe Fazlliçi dhe ndonjë kompani serbe e shitjes së energjisë elektrike. Janë ata që nuk ka pse të jenë të pakënaqur, pasi paratë e shqiptarëve i marrin gjithnjë në rregull, ndryshe nga të tjerët, që hyjnë sipas rregullave të tregut në Shqipëri dhe më pas heqin të zitë e ullirit për të dalë prej andej.

Lekët që hyjnë në një rrjet lobimi, i cili duhet të zbardhë fytyrën e qeverisë jashtë vendit, rrjedhin nga mospagesa e faturave për investitorë që kanë kryer punë e shërbime. Një rrjet i ri ky, jashtë rregullave të ekonomisë së tregut, në bazë të të cilit edhe të huajt ndahen në dy kategori: ata që duan të ikin nga Shqipëria dhe ata që kanë gjetur këtu parajsën.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!