TIRANE- 101 vjet më parë, burra të shquar dhe të lavdishëm shqiptarë, të zotë të penës dhe të pushkës, që për Shqipërinë vetëm jepnin dhe për të marrë as mendja u shkonte, bënë të mundur shpalljen e Shtetit Shqiptar.
 
Nga koha kur më 28 nëntor 1912, me shtizën e duhur dhe në lartësinë e merituar, Ismail Qemali ngriti në Vlorë Flamurin kombëtar, për të ardhur sot në këtë 101 vjetor, u deshën shumë përpjekje, shumë mundime, shumë lodhje dhe shumë sakrifica.
 
Arritëm deri këtu, shpejt ose ngadalë, me apo pa gabime, për meritë të vetes por edhe me ndihmesën e të tjerëve, këto tashmë kanë rëndësinë e vet si Histori.
 
Në atë kohë, kufijtë e shtetit shqiptar u vendosën nga fuqitë e mëdha të cilat lanë padrejtësisht jashtë trungut, troje shqiptare.
 
Përtej kësaj padrejtësie të kohës, rëndësi ka që shtetin e bëmë, shtetin e kemi, dhe që ta mbajmë duhet t'i shërbejmë.
 
Me kokën lart', me vështrimin përpara pa harruar edhe ndonjë vështrim pas, tash e tutje duhet të kujdesemi dhe të punojmë; për më tepër begati, më tepër Liri, më tepër shpresë, më tepër prosperitet.
 
Mos mbetja mbrapa zhvillimeve globale ndaj një bote që ndryshon furishëm, kërkon shumë përkushtim, shumë idealizëm.
 
Sfida të vështira kemi përpara. Të vijojmë reformat e nevojshme.

Të vijojmë reformën arsimore. Që shkollat të na prodhojnë njerëz të thellë në dije dhe mendime, të aftë për të përballuar sfidat e mëdha të punëve të mëdha të së nesërmes.
Të bëjmë çmos ta zbusim klimën politike ndërpartiake.

Të ndërtojmë strategji të mira punësimi për të evituar sa të mundim pak nga pak lëmoshat e padenja dhe jo-efikase asistenciale.
Të vazhdojmë të punojmë edhe më tepër për sa na ka mbetur për afrimin me Europën.

Të kujdesemi për fëmijët, dhe në përgjithësi për brezin e ri. Që brezi i ri të jetë i pajisur me vlera qytetare, edukatë, respekt, dashuri për dije, patriotizëm, pasion për punë. Në të kundërt, s'kemi pse habitemi kur të rinjtë na vriten nëpër kafene, në aksidente rrugore, apo nga krimi në familje.

Të kujdesemi më tepër për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Dhe ta pasurojmë atë trashëgimi. Nëse nuk prodhojmë Kulturë për t'ja shtuar trashëgimisë, nuk i kemi dhënë asgjë kombit, është krejt njëlloj sikur nuk kemi bërë asgjë. Sepse Kultura mbetet. Të gjitha të tjerat konsumohen.
 
Vetëm në këtë mënyrë do të mundësojmë stabilitet më të madh, progres më të harmonishëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat.
 
Ndërkohë, t'i promovojmë dhe t'i shtojmë vlerat kombëtare. Por pa e tepruar. Në mënyrë dhe masë të ekuilibruar. Se diktaturat merren me veten, me glorifikimin e vetes.
 
Demokracitë funksionojnë në harmoni edhe me të tjerët. Demokracitë ecin më fuqishëm së bashku, me fqinjët sidomos, me të cilët duhet të jemi mirëkuptues edhe më bashkëpunues në të gjitha aspektet. Në fund të fundit, sado të vjetër dhe të lavdishëm, me Gjuhë të pasur, Kulturë dhe Histori të lashtë, jemi një Komb si gjitha kombet e tjera. Në këtë këndvështrim, na duhet t'i kthejmë sytë nga vetja, të përveshim llërët, të ndreqim gabimet dhe të ecim përpara.
 
Të mos lejojmë që Shqipëria të bëhet Atdheu i njerëzve sipërfaqësorë të babëzitur për pasurim material, vend i luftës së papërmbajtur politike, fushëbetejë e fanatikëve të çdo lloji.
 
Ta bëjmë Shqipërinë vendin e njerëzve që Shqipëria meriton, vendin e njerëzve seriozë dhe të përmbajtur, njerëzve zemërmëdhenj me shpirt fisnik, që punojnë shumë, pak mendojnë për veten dhe shumë për tjetrin, që duan atdheun, që njohin meritën e tjetrit, që nuk e teprojnë me të drejtën.
 
Ju falenderoj, gëzuar dhe gjithmonë qofshim bashkë!


Fjala e plotë e Presidentit Bujar Nishani në pritjen e organizuar në "Pallatin e Brigadave" për 28 Nëntorin.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)