Të përndjekurit, Veliaj: Likujdim
brenda 2015 për ata që janë gjallë

Të përndjekurit, Veliaj: Likujdim<br />brenda 2015 për ata që janë gjallë
TIRANE- Për herë të parë një kryeministër i PS-së në 23 vite postkomunizëm që hyn brenda selisë së ish-të përndjekurve politikë. Kryeministri Edi Rama, teksa ka marrë pjesë në përurimin e rikonstruksionit të plotë të selisë, bashkë me ministrin e Mirëqënies Sociale e Rinisë Erjon Veliaj, tha se duhet t’i jepet fund hipokrizisë e abuzimit ndaj shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Janë 545 të tillë që do marrin këstin e parë të dëmshpërblimit javën që vjen, nga të cilët 180 ish të përndjekur mbi 85 vjeç. Ministri Veliaj, kur nënvizoi se do donte të ishin më shumë se 18 milionë USD, përpos dëmshpërblimit në tërësi të ish-të përndjekurve, theksin e ka vënë në likujdimin komplet brenda vitit të ardhshëm të atyre që janë gjallë, duke kërkuar dhe ndryshim të ligjit, thjesht për të lëvizur renditjen në favor të ish të përndjekurve që janë akoma gjallë.

“Prioriteti im si ministër është që ata ish të përndjekur që janë gjallë - dhe nuk janë më shumë se 2 mijë - të marrin të 6 këstet e dëmshpërblimit, pra likujdim total brenda vitit të ardhshëm. Për këtë do inicioj një ndryshim në ligj, thjesht për të ndryshuar formulën e shpërndarjes së dëmshpërblimit, që radha të jetë në fillim për ata që janë gjallë, në mënyrë që brenda vitit të ardhshëm të përfundojë dëmshpërblimi për ta, pasi mjaft janë zvarritur 23 vite pa marrë asnjë lek”, deklaroi për gazetën “Shqiptarja.com”, ministri Veliaj. Ai tha se parashikon dhe zëra kundër ndryshimit, por shprehet i vendosur që fëmijët, mbesat e nipërit e ish të përndjekurve të presin sa të dëmshpërblehen të gjallët. Ndërsa Rama nënvizoi: “Të mbyllim plagët e keqtrajtimit moral dhe pastaj hap pas hapi do ecim me kompensimin material. 18 milionë dollarë vendosëm këtë vit.

S’janë shumë, por ne, dhe pse gjetëm një mal borxhesh të paditura më parë, kemi akorduar sasinë më të madhe të fondeve që një qeveri ka akorduar nga një qeveri jo në një vit elektoral. Unë nuk mund ta krahasoj fondin kur qeveria e shtoi me urgjencë, kur vdiq i ndjeri Lirak. Në mars, rreth 500 persona do marrin këstin e parë. Ne evidentuam rreth 300 dosje problematike që s’ishin plotësuar, por harruar”,- tha Rama. “Si do mund të justifikohej kushdo qoftë që ka pasur detyrë për t’u marrë me çështjen e të përndjekurve, dhe 2027 dosje s’janë prekur kurrë me dorë, edhe pse një pjesë e tyre janë në fund të jetës. Hipokrizi e pashoqe”,-tha Rama.

Ai tha se të vetmet hapa në këto 23 vjet, janë bërë në vitet e para të pluralizmit, që ishin 400 shtëpi e disa bursa për studentë. “Dhe të përndjekurit u ndanë në tanët e atyre, duke i futur në kurthin e Enver Hoxhës, të përçarjes dhe duke shtypur mendimin ndryshe”, shtoi Rama. Ai theksoi se edhe pse kanë kaluar mbi 20 vite që kanë dalë nga terri i Enver Hoxhës, të përndjekurit e kanë të pamundur të ndjehen që jetojnë si të tjerët në hapësirën e lirisë që solli rënia e regjimit komunist. 

Skema e dëmshpërblimit të përndjekurve
 
Dhënia e parave, shifra e fakte
 
45 vite kalvar komunist ku vuajtën mijëra shqiptarë
 
23 vite kalvari postkomunist për ish të përndjekurit
 
400 shtëpi janë ndërtuar për ish të përndjekurit në 23 vjet
 
720 milionë dollarë borxhe të pa ditura nga qeveria Berisha
 
10 milionë dollarë fondi për ish të përndjekurit më 2008
 
14 milionë dollarë fondi për ish të përndjekurit më 2012
 
18 milionë dollarë fondi për ish të përndjekurit më 2014
 
10 milionë dollarë kësti i parë për ish të përndjekurit më 2014
 
8 milionë dollarë dëmshpërblim për ish të përndjekurit që janë gjallë 2014
 
12 760 dosje për ish të përndjekur që kanë marrë këste, janë trajtuar
 
2170 kanë marrë të gjitha këstet, më pak të përndjekur nga të pakompensuarit
 
2027 dosje të verifikuara e të stërverifikuara që marrin këstin e parë
 
545 ish të përndjekur fillojnë marrjen e parave javën e ardhshme
 
180 të përndjekur që përfitojnë javën që vjen janë mbi 85 vjeç
 
300 dosje janë problematike, që nuk ishin plotësuar, ishin harruar

Premtimet
Reformë të pensioneve me masa specifike për të përndjekurit
Në vendin ku ka qenë biblioteka e Enver Hoxhës, do të bëhet një zyrë ku do të ruhen intervistat e 70 të burgosurve politikë

Shkrimi u publikua sot (29.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin