TIRANE - Ai është 22 vjeç, por ka vetëm një vit që jeton normalisht. Ka ndryshuar rrjedhën e jetës në vitin 2013, kur përfundoi operacionin e pestë. Bëhet fjalë për Ilir Minjën. “Unë jam buzëlepur”, - rrëfen Iliri dhe instinktivisht kalon gishtërinjtë nëpër buzën e sipërme. Aty ka dy shenja të dukshme që janë pasojë e operacioneve. Për shkak se hunda e tij ka qenë që në lindje e zënë, zëri i vjen i trashë. Jo vetëm hunda është problem për Ilirin. “Buzëlepur” është një defekt i lindur që prek gojën dhe qiellzën. Iliri ka lindur në vitin 1992 dhe defekti në gojën e tij ishte i rëndë. Ardhja e tij në jetë u shoqërua me një impakt të rëndë psikologjik. E ëma tregon sesi ja fshehën fytyrën e të birit për orë të tëra.

“Kur unë linda, mamia ma tregoi veç me kurriz Ilirin, më pas më tha se duhet të niseshim menjëherë për në spitalin e Krujës. Mjekët flisnin dhe unë nuk arrija t’i dëgjoja. Më pas shkuam në Tiranë, aty na dhanë më shumë shpresa për djalin”, - tregon nëna fytyrëhequr, Shpresa. Iliri ka lindur me formën më të rëndë të sëmundjes. Qiellza ishte e çarë dhe e dalë jashtë, ndërsa buza e kthyer, e bashkuar me hundën. Mbijetoi falë operacioneve që kreu në kohën kur ishte 6 muajsh dhe më pas në moshën 1 vjeç e gjysmë dhe 3 vjeç. U kap fort pas jetës jo vetëm se kirurgët ja dolën mbanë me rastin e tij, por edhe sepse dy prindërit nuk ndalën së kujdesuri për të. “Problemet me Ilirin e vogël nuk ishin vetëm operacionet, por edhe të ushqyerit. Për shkak të problemeve në gojë, e ushqenim me shumë kujdes”, - tregon Pëllumbi, babai me sy të kaltër. 

Nëna kujton mes lotësh dëshpërimin për të birin. Ajo tregon sesi teksa rritej, Iliri kishte probleme me të folurën. Ajo ia përsëriste shumë herë fjalët e sakta, por për Ilirin ishte pothuajse e pamundur të shqiptuarit siç duhet. “E kam pasur shumë të vështirë që dikush që më takonte për herë të parë të më kuptonte, kjo ishte e sikletshme për mua”, - tregon Iliri. Vështirësia në të folur nuk e pengoi Ilirin që të kompozojë vetë të ardhmen. I pafajshëm për mënyrën sesi erdhi në jetë, ai mësoi të pranonte fatin e tij. 

Defekti i njohur si “buzëlepur”

“Buzëlepur” është emërtimi në gjuhën e përditshme, për sëmundjen “Cheilo- Gnato-Palato-Schisis-Bilaterale”. Në gjuhën mjekësore njihet si defekt i lindur i gojës dhe qiellzës. Shkaqet e këtij defekti, për 30 për qind të rasteve, janë gjenetike. Ndërsa, rastet e tjera janë të panjohura. Sot, defekti mund të dallohet te nënat që në muajin e katërt të shtatzënisë. Impakti psikologjik te prindërit në këto raste është i rëndë. “Gjatë një viti në Shqipëri operohen rreth 50 të prekur, por duhet pasur parasysh që një pjesë e tyre kryejnë operacionet edhe jashtë vendit”, - thotë Ramazan Isufi shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Oro-Max-Fax. Numri i operacioneve është minimumi pesë, dhe zgjasin nga lindja deri në moshën 20 vjeç. Përveç defekteve në buzë, qiellzë, hundë dhe dhëmbë që janë të dukshme, ka ndikime edhe në të folur dhe frymëmarrje. Këta persona shpesh kalojnë pneumoni dhe kanë imunitet të dobët ndaj sëmundjeve. Këto defekte pothuajse shmangen përmes ndërhyrjeve kirurgjikale, përveç të folurit. E folura për personat “buzëlepur” nuk vjen asnjëherë në tërësi. Shkalla e vështirësisë së operacioneve është e lartë sipas kirurgëve, ndërsa rrezikshmëria për jetën është minimale.

Operacionet për të minimizuar defektin 

Iliri ka kryer pesë operacione. Fillimisht për të mbijetuar dhe më pas për të përmirësuar aparatin e gojës. Operacionet e para ai nuk i mban mend, edhe pse qenë hapat e para të jetës së tij. Me të drejtë nuk i kujton, sepse ishte në duart e kirurgëve vetëm 6-muajsh. Fillimisht ndërhyrjen e parë e bëri në buzë në qershor të vitit 1992. Më vonë, u operua në moshën 1 vjeç e gjysmë për qiellzën. “Operacioni i dytë ishte i vështirë dhe Iliri shpëtoi për fije të perit. Pas disa ditësh, mjeku më tregoi se përpara Ilirit atij i kishin vdekur dy fëmijë të tjerë me të njëjtin problem. Iliri është me fat”, - tregon babai. Kur ishte tre vjeç u fut përsëri në sallën e kirurgjisë për operimin e tretë. Më 10 nëntor 1994, u larguan nga dyert e spitalit me shpresën se nuk do të shkelnin më aty. “Për shkak të rritjes, shërimi për të prekurit zgjatet në kohë. Ai shtrihet nga lindja deri në moshën 20-vjeçare”, - na tregon shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Oro-Max-Fax, Ramazan Isufi. Për këtë arsye, Iliri jo vetëm që nuk u nda përfundimisht nga spitalet kur ishte i vogël, por me kalimin e viteve u lidh edhe më shumë pas tyre. Për 8 vite me radhë ai është marrë me rregullimin e dhëmbëve.

“Dhëmbët e mia kanë qenë të dala vertikalisht dhe të çrregullt”,- tregon Iliri, ndërsa përmes lëvizjes së buzëve i dallohen dhëmbët e rregullt tashmë. “Puna me Ilirin ka qenë e vështirë dhe kërkoi shumë kohë”, - na tregon një nga pjesëtarët e ekipit të dentistëve që ka asistuar në rregullimin e tyre. Pas sistemimit të dhëmbëve dhe kur Iliri mbushi 19 vjeç, kishte ardhur koha për dy operacionet e fundit. Për rastet e ngjashme me të, janë të domosdoshme operacione në hundë dhe nofull. Këto ndërhyrje janë plotësisht të arritshme edhe nga mjekësia shqiptare. Shumë afër Shqipërisë jeton xhaxhai i Ilirit. Falë ndihmës së tij, Iliri udhëtoi në Itali dhe atje kreu dy operacionet e fundit. “Nuk kam dëshirë të dëgjoj më për operacione qëkur kalova dy të fundit”, - rrëfen i riu 22-vjeçar. Ndërhyrja në nofullën e sipërme dhe lëvizja e saj për tu zhvendosur më jashtë, ishte e dhimbshme për të. Një dhimbje që i dha fund dhimbjeve. Pas operacionit të fundit ai u kthye në Shqipëri. Në fshatin e tij në Budull të Fushë- Krujës, u kthye një Ilir tjetër. Kursimet e pakta që vëllai i vogël ja dha para nisjes, humori i prindërve gjatë operacioneve dhe financimi i xhaxhait e kthyen në tjetër person. Ai pati përmirësime jo vetëm në pamje, por edhe në të folur. 

"Dëshiroj të jetoj si gjithë të tjerët" 

Me insistimin e prindërve Iliri e renditi shkollën në krye të prioriteteve. Atë nuk e ndalën as vështrimet paragjykuese rreth tij dhe as vështirësia në të folur. Fundja ka disa gjëra që nuk kërkojnë shumë fjalë dhe dukje të mirë. Një prej tyre është edhe matematika. Ndërkohë që problemet i shtoheshin, ai nga ana tjetër radhiste njëra pas tjetrës fletët e lavdërimit, si i dalluar në lëndët shkencore. Në klasën e tetë u radhit ndër të parët në qytetin e Krujës, edhe pse ishte në një shkollë fshati. Gjimnazin e vazhdoi fillimisht në Tiranë, por më pas u kthye për ta përfunduar në gjimnazin e Fushë- Krujës. Aty përsëri ra në sy. Jo vetëm për karakteristikat e tij fizike, por edhe për rezultatet pozitive. “Iliri ka qenë një nxënës me shumë interes, intuitë, vullnet dhe rezultate të larta”, - thotë mësuesja e matematikës pranë gjimnazit, Bukurie Tali. Sot, Iliri është student në fakultetin Politeknik. Ai studion për Gjeoinformatikë në vitin e tretë. Nga klasa e parë deri sot përveç përkushtimit ndaj shkollës e ka ndjekur dhe pasioni për informatikën. “Iliri është shumë i lidhur me kompjuterin. Ka arritur të realizojë vetë formatimin dhe di shumë gjëra për programimin”, - tregon shoku i tij Enea Dhamo. Kompjuteri u bë miku i tij, ndoshta ngaqë nuk ka nevojë t’i flasësh dhe gjithashtu nuk të mërzit me ndonjë fjalë.

Fillimisht djali nga Budulli jetoi në konvikt, dhe ndau dhomën së bashku me Enean dhe një tjetër shok. Ndërsa vitin e fundit, ai ka vendosur të qëndrojë në shtëpinë e tij dhe të bëjë çdo ditë rrugën vajtjeardhje në kryeqytet. “I ndrojtur fillimisht dhe fjalëpakë. Ndërsa, vitin e fundit Minja është ndryshuar për mirë”, - tregon Francesko Topi, një nga miqtë e Ilirit. Tani që është liruar nga çdo defekt ka nevojë veç për pak vetëbesim. “Tani dua të jetoj si gjithë të tjerët, të zgjeroj njohuritë e mia për informatikën dhe shpresoj të nis një punë”,- tregon Iliri. Për momentin, ai ka problem në shqiptimin e shkronjave të veçanta, ndaj beson se puna pranë kompjuterit është gjëja që di të bëjë më mirë. Në jetën e re ai ka nevojë për ndihmë. Nga jeta e mëparshme nuk ka asnjë foto të buzëqeshur, nga frika se dhëmbët i duken shëmtuar. Sot teksa qesh, papritur vë dorën para gojës nga ndrojtja që ka pasur ndër vite. Pastaj kujtohet se dhëmbët e tij tani janë në rregull, dhe e qeshura i vazhdon përsëri.

* Shkrimi mbërriti në redaksinë e Shqiptarja.com përmes rubrikës "Raportoni Ju", nga Entila Cuka

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)