Të gjendur në panik nga tërmetet e shumta që kanë rënë gjatë orëve të mbrëmjes së të shtunës dhe deri në të gdhirë të ditës së dielë, banorët e Gjirokastrës, kanë preferuar ta kalojnë natën jashtë duke mos vënë gjumë në sy.

Prej orës 23:00 të ditës së shtunë e deri në orën 06:00 të së dielës, kanë rënë afërsisht 7 tërmete të cilat janë ndjerë mjaft nga banorët e pallateve në pjesën e poshtme të Gjirokastrës. 

Për të qenë të sigurtë, ata kanë dalë jashtë banesave dhe apartamenteve.  

Ka pasur edhe nga ata që familjarisht kanë preferuar xhirot në rrugët e qytetit apo dhe kafe në lokalet që kanë qenë hapur dhe nuk janë mbyllur përgjatë mbrëmjes dhe orëve të para të së dielës.

Paniku ka qenë i madh pasi për herë të parë, ndodh kjo situatë në Gjirokastër të paktën gjatë 7 dekadave të fundit. Të moshuarit, nuk mbajnë mend që valë sizmike kaq të afërta me njëra-tjetrën dhe me intensitet mjaft të madh, të kenë goditur Gjirokastrën. Ajo që po ndodh, është e pashpjegueshme në fakt.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Memaliaj dhe Tepelenë ku tërmetet kanë qenë mjaft intensive. Tërmeti i rënë, ka çuar në panik, banorët e qytetit të Memaliajt. Dëmet konsiderohen fare minimale veçse në thyerje xhamash në katet e sipërme të disa pallateve.

Për pasojë, banorët e këtyre pallateve sidomos atyre të kateve të fundit në lagjen nr 3 në Memaliaj kanë qëndruar jashtë nga frika e rënies së tërmeteve.

Gjendje paniku ka pasur edhe në Tepelenë ku ashtu si në Memaliaj, tërmetet janë ndjerë shumë herë. Deri tani dëme në njerëz dhe në materiale, nuk ka pasur.

[gallery]19109[/gallery]


Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com