Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit kundërshtojnë anashkalimin e dëshmorëve, të rënë gjatë viteve të gjashtëdhjeta, tetëdhjeta e edhe në periudhat e mëhershme.
Ata kërkojnë që t'ju njihet e drejta e statusit të dëshmorit të gjithë atyre që u ekzekutuan në burgjet jugosllave, ata që u vranë me atentat nga UDB-ja jugosllave, ata që u vranë duke luftuar në rrethim dhe ata që u vranë nëpër demonstrata. Pra, të gjithë atyre që u vranë nga forcat serbe, pa dalluar periudhat kohore.
Ata po thirren në ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjestarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre, përkatësisht në nenin 8, paragrafin 2, ku thuhet se të drejtat i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit, të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit, në periudha të ndryshme historike. Kështu, kërkojnë nga Komisioni Qeveritar për verifikim, që të mos anashkalojnë këto raste.
Kryesuesi i Komisionit të Familjeve të Dëshmorëve, Naim Zhitia, vëlla i dëshmorit Afrim Zhitia i rënë më 2 nëntor të vitit 1989, thotë se do të shqyrtojnë edhe të drejtën e formimit të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, e cila nuk do t'i ndajë dëshmorët në periudha e në vite, por do t'i mbrojnë të drejtat e të gjitha familjeve të dëshmorëve.
Sipas tij, kjo kategori e dëshmorëve nuk është marrë fare parasysh që nga paslufta./kosovapress/ /atsh/