Ta kemi borxh mirënjohjen, Nebi !

Ta kemi borxh mirënjohjen, Nebi !

Sot lexova se i ndjeri nga Kavaja që ndërroi jetë para dy ditësh në moshën 41-vjeçare, paska një histori prekëse, mallëngjyese e njerëzore. Përmes një postimi të drejtorit të spitalit të Kavajës, z. Daiu, mësova se i ndjeri me emrin Nebi nuk paska qenë si ne të tjerët, egoist, individualist e i ushqyer me kultin e pasurisë dhe të bollëkut. I ndjeri Nebi paska qenë një njeri me ato vlera që, për fat të keq, ne po i humbasim. Ai nuk ka dashur që t’i përmendet emri kur ka arreduar pediatrinë e spitalit të qytetit të tij, kur ka vënë kondicionerët dhe kur ka krijuar enkas edhe një dhomë për të luajtur fëmijët e sëmurë. Të gjithë këto i ka bërë se ashtu ia donte shpirti dhe i ka kërkuar drejtorit që të mos ia përmendë emrin.

Të qoftë dheu i lehtë, Nebi !

Nuk është mirë që ne ta marrim vesh se çfarë vlere të posaçme ke ti për ne të tjerët tani që ti ke ikur nga kjo botë. Sot Shqipëria ka humbur një NJERI, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, sot ne të gjithë duhet të kuptojmë se nga modeli ynë i jetës u largua edhe ai pak virtyt që na ka mbetur. Sot ne nuk kemi mundësi që t’ia kthejmë mirënjohjen Nebiut, sepse ai nuk është më në këtë botë, por kemi mundësi që, përmes tij, përmes atij veprimi të thjeshtë dhe pa u ndier që ka bërë Nebiu, të shohim veten tonë dhe ata që po na e mërzisin këtë vend.

Unë nuk e di se çfarë biznesi ka pasur Nebiu dhe as nuk dua ta di. Di vetëm kaq: që ai, nga fitimet e tij, ka menduar që një pjesë t’ua dhurojë të tjerëve duke investuar në një spital fëmijësh dhe, ajo që është më e rëndësishmja, ka kërkuar që të mos i përmendet emri. Jam i sigurtë që ashtu si Nebiu mund të ketë dhe të tjerë shqiptarë që ruajnë ende virtytin si përmasë të jetës. Mirëpo ne nuk i njohim ata. Për fat të keq, ne njohim e shohim përditë çakejtë, ujqërit, kriminelët dhe budallaçkat e pasura që, në kohë luftë siç është kjo që po kalojmë, na tregojnë pasurinë, na tregojnë luksin e shfrenuar dhe gjejnë kohë edhe të na tregojnë se më e bukura e fermrave shqiptare qenka nusja e Sali Berishës.

Ti Nebi, me veprimin tënd dhe me ikjen nga kjo botë në mënyrën më të pamerituar, na tregove se virtyti rri i fshehur, se ne do të vazhdojmë të shohim përditë e përnatë shembëlltyrat më të pështira

të jetës në tokë: ata dhe ato që e kanë grabitur këtë vend, që ndërtojnë pasuri jo si mundësi për ta ndarë të mirën me të tjerët, por si sfidë, si karshillëk për të na treguar neve se ata janë më të zotë, më të mirë dhe më të fortë se ne.

I dashur, Nebi,

Gjesti yt fisnik dhe i thjeshtë më bëri të kujtoj që u bënë gati 30 vjet në këtë vend dhe askush nuk ka parë që pasunarët e këtij vendi, ata që numërojnë orat e dorës së fëmijëve, vilat e tyre apo miliardat që kanë fituar, të kenë krijuar një fondacion privat dhe të kenë ndihmuar me këtë fondacion shkollën, spitalet, universitetet apo familjet në nevojë.

I dashur Nebi,

Ti, me gjestin tënd, na kujtove se ne jemi një vend i mbushur me mburravecë të këqinj, me pasunarë që janë gati të shesin nënën e tyre për të fituar një tender apo për të grabitur pasuritë e këtij vendi. Të vjen tmerrësisht keq kur sheh se një pjesë e madhe e pasurisë së këtij vendi është në dorë të banditëve, kriminelëve, politikanëve të pashpirt dhe në dorë të një kaste biznesi që është bërë simbol i arrogancës dhe që ka ngritur si kult të jetës vetëm pasurinë dhe e vërtit këtë flamur si një leckë të lerosur me yndyrën e ankthit të tyre për të bërë pasuri me çdo kusht dhe për ta paraqitur atë si një armë që të na mbyllë gojën ne të tjerëve.

I dashur Nebi,

Ti na kujtove përsëri edhe diçka tjetër. Sot, mjekët infermierët dhe personeli shëndetësor që po përballet me këtë virus të llahtarshëm që ka ndalur rrotullimin e planetit, janë bërë personazhet tona më të dashura. Por, bashkë me ta, dua të përmend edhe dy djem të një laboratori dentar që në kushte modeste bënë një eksperiment dhe, me shpenzimet e tyre dhe me ato të asaj klinike, arritën të modifikojnë një respirator që ai të ndajë oksigjen për katër persona. Këta dy djem, Nebi, që ashtu si ti kanë mbetur anonimë dhe pronari i asaj klinike janë modeli yt, janë ata që na mbajnë ende si shoqëri. Nuk dua ta përmend, por më vjen keq për gjithë ata pasunarë të Shqipërisë që nuk u kujtuan në këtë kohë lufte të krijonin një fond për të blerë pajisje të urgjencës si respiratorë apo edhe të tjera. Këta pasunarë, i dashur Nebi, ne do t’i kemi përsëri nëpër këmbë dhe këta do të vijojnë ta shkretojnë moralisht këtë vend.

I dashur Nebi,

Nuk di ç’të të them tani në fund. Ti nuk doje që të të përmendej emri për punët e mira që bëje. Tani që ike në qiell, këtë amanet nuk ta mbajmë dot.

Qofsh i paharruar!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • eli: 25/03/2020 22:32

    njeri fantastik dhe me zemer te madhe sic te kam njohur shok qofsh i xhenetit

    Përgjigju
  • Edmond Lura: 25/03/2020 12:56

    Shume i sakte pershkrimi. Do deshroja te theksoja se :nuk jane pak por druhen se perfolen nuk duam shume qe ta nxjerrim kete veti si shoqeri mjafton paresia te jetee drejte prandaj dhe shkrime te tilla duhet te shtohen. Rruge embare Nebi.

    Përgjigju
  • Lori: 25/03/2020 10:43

    Ju falenderojme pafund per kete shkrim kaq domethenes dhe ju jemi mirenjohes.... me respekt nga nje familjare e Nebit....

    Përgjigju
  • Or Tej: 24/03/2020 18:00

    I paharruar Nebi. Vdekshin vampiret e Shqiperise duke filluar nga Gjiri i Lazit e deri ke TEGU

    Përgjigju
  • Erik: 24/03/2020 17:59

    Ju lumte per shkrimin! Me e pakta qe mund te bente shoqeria per nje njeri qe la pas nje emer te mire dhe qe fatkeqesisht e njohem vetem pas vdekjes. I paharruar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidentja Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi prioritet strategjik për Kosovën

Presidentja Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi prioritet strategjik për Kosovën