Forcimi i lekut nuk po përkthehet në një ekonomi më të fortë dhe as në më shumë mirëqenie për familjet shqiptare. Përkundrazi, rënia e euros po godet të ardhurat nga emigracioni, eksportet, bujqësinë, fasonerinë dhe bizneset që arkëtojnë në valutë, por i paguajnë kostot në lekë.

Këtë shqetësim ka ngritur deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një video të publikuar në rrjetet sociale, ku vë në dyshim narrativën se kursi aktual i këmbimit është shenjë e forcimit të ekonomisë shqiptare.

Sipas saj, një monedhë kombëtare e fortë do të duhej të ishte rezultat i rritjes së prodhimit, eksporteve, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë. Por asnjë prej këtyre treguesve, argumenton Tabaku, nuk e shpjegon rënien e fortë të euros.

“Vlera prej 93 lekësh që ka arritur euro nuk vjen as nga një prodhim më i sofistikuar, as nga rritja e ekonomisë prodhuese, as nga rritja e produktivitetit dhe as nga rritja e eksporteve”, shprehet ajo.

Tabaku e zhvendos debatin nga kursi i këmbimit si shifër te pasojat e tij në jetën e përditshme. Një biznes që siguron të ardhura në euro, ndërsa pagat, taksat dhe shpenzimet i përballon në lekë, humbet një pjesë të të ardhurave vetëm nga këmbimi. Të njëjtën goditje e marrin eksportuesit, fasoneria dhe prodhuesit vendas, të cilët bëhen më pak konkurrues në tregjet e huaja.

Pasojat ndihen drejtpërdrejt edhe te familjet që mbështeten në remitancat e të afërmve emigrantë. E njëjta shumë e dërguar nga jashtë këmbehet sot në më pak lekë, duke ulur fuqinë blerëse të mijëra familjeve.

“Bujqësia humbet, eksportet shqiptare humbasin, fasoneria humbet, prodhimi humbet dhe familja shqiptare humbet”, thekson Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, problemi nuk është vetëm te kursi i euros, por te modeli ekonomik që e ka prodhuar këtë situatë. Një model i mbështetur pak te prodhimi dhe eksportet, por i ekspozuar ndaj flukseve të mëdha valutore dhe kapitaleve që nuk burojnë domosdoshmërisht nga ekonomia reale.

Për Tabakun, kjo është arsyeja pse forcimi i lekut nuk po sjell përfitime për shumicën e shqiptarëve. Ai mund të krijojë pamjen e një ekonomie të qëndrueshme, ndërsa në terren bizneset humbasin të ardhura, prodhuesit tkurren dhe familjet marrin më pak nga paratë që u dërgojnë të afërmit jashtë vendit.

Ajo kërkon një strategji që të mbrojë sektorët prodhues, eksportet, bujqësinë dhe familjet e prekura nga kursi i këmbimit, duke e lidhur situatën me dështimin e modelit ekonomik të ndërtuar nga mazhoranca socialiste.

“Ekonomia shqiptare po humbet nga zhvlerësimi i euros. Prodhimi shqiptar po humbet. Bujqësia shqiptare po humbet. Ky është rezultati i një modeli ekonomik që sot ka dështuar”, përfundon Tabaku.