Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë lidhur me dënimin e ish ministrit të tij të Brendshëm Saimir Tahiri, ku tha se nuk komenton vendimet e gjykatës. I pyetur nëse dënimi me burg i Tahirit ishte vendim surprizë, Rama tha se e ka ditur mirë se çfarë ka bërë kur ka udhëhequr Reformën në Drejtësi dhe se po të kthej pas do të bënte sërish të njëjtën gjë. Rama e ka bërë gjithmonë të qartë se kush ka probleme me ligjin do të përgjigjet i vetëm para drejtësisë dhe se PS nuk do të bëhet mburojë e askujt,

"Unë nuk komentoj vendimet e gjykatave, unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësisë  dhe 100 herë të kthehesha mbrapsht prapë të njëjtën gjë do bëja. Nuk do doja të shfokusoheshim nga çështja e Ukrainës", tha Rama.

Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.  Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal". Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit. Saimir Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

Tahiri është lënë i vetëm në qelinë e godinës nr.2 të burgut 313 , për arsye  sigurie pasi në kohën kur ka qenë ministër i Brendshëm, janë arrestuar shumë nga të burgosurit që ndodhen aty. Ish ministri do të jetë nën vëzhgimin e autoriteteve të IEVP për 10 ditë, ndërsa pritet që dhe dënimin ta kryer po te 313.