Viti 2016 do të shënojë fundin e shitjes me operator gjatë natës në karburantet e vendit. Duke nisur nga viti 2017 karburantet në të gjithë vendin do të aplikojnë shitjen me pakicë me vetëshërbim duke hequr kontaktin e parasë ‘cash’ me punonjësin dhe duke e paguar atë në automat.

Këtë masë sigurie e prezantoi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë një tryeze me administratorët e karburanteve me fokus rritjen e sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
"Operatorë mund të ketë i cili ndihmon dhe asiston konsumatorin, po jo që shkëmben para me konsumatorin. Pra mjafton kjo masë, mjafton kaq për ta bërë me interes zero, për cilindo keqbërës vjedhjen apo grabitjen e një pike karburanti. Kësisoj praktikisht e bën të pamundur. Është njëlloj si sistemi bankar.
Sot ka automate ku mund të tërhiqen para dhe nuk ka operatorë banke që të jep para në dorë gjatë natës. Është njëlloj si shumë sektorë të tjerë  të cilët shërbimin gjatë natës e klasifikojnë të automatizuara apo të elektronizuara. Kjo sepse pa asnjë dyshim ka një interes biznesi nga pas, pra një interes të efektivitetit të sipërmarrjes, por ka dhe një interes për investimin e përbashkët të sigurisë".

Ndërkohë nga ana e tyre përfaqësuesit e bizneseve deklaruan se tashmë mbi 50 % e tyre e kanë instaluar këtë pajisje.

Në 5 vitet e fundit sipas statistikave të policisë së shtetit 170 karburante afro 3 në cdo muaj kanë rënë pre e vjedhjeve dhe grabitjeve me armë ndërsa zbulueshmëria e autorëve ka qenë e ulët. Kjo shifër u bë publike nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ku në takimin me administratorët e shitjeve me pakicë të hidrokarbureve prezantoi projektin për rritjen e sigurisë për pikat e shitjes.

Nga 2011-2016 janë mbi 170 vjedhje dhe grabitje dhe janë zbuluar jo më shumë se 40% e tyre. Kjo sepse jemi përpara një lloj fenomeni kriminal që ka vështirësi në hetim. Unë iu jam adresuar me një letër që synoj bashkëbisedimin paraprak mbi të cilin duhet të shohim mënyrën sesi të marrim masa që këta faktorë nxitës ti bëjmë zero, që të eliminojmë vjedhjen dhe grabitjen e karburanteve në të gjithë Shqipërinë”, tha ndër të tjera Tahiri.

Sipas ministrit Saimir Tahiri shmangia e parasë gjatë ofrimit të këtij shërbimi ul rrezikun për cënimin e jetës së punonjësve të çdo pike por po ashtu dhe ndikon në rritjen e sigurisë së përbashkët.

"Nëqoftëse bëjmë një provë në një qytet, supozoj Tirana, që ka parametra sigurie shumë më të lartë sesa qytetet e tjera; bëjmë një provë që çdo pikë karburanti të mos ketë operatorë që të shesin karburant me lekë në dorë, por që asistojnë qytetarët në vetëshërbim dhe paratë futen në një automat elektronik, siç janë këto të bankave, atëherë është provë e mjaftueshme për të vërtetuar që vjedhjen zbresin në nivelin zero. I kemi hequr shoqërisë një kërcënim jo të vogël kur vjen puna të ngjarje kriminale që kanë të bëjnë me këtë sektor. Dhe mbi të gjitha ju kemi hequr juve një mundësi që të dëmtoheni realisht, jo vetëm nga pikëpamja financiare por dhe nga pikëpamja e investimit në biznesin dhe sipërmarrjen tuaj. Është kjo arsyeja që ne kemi hapur këtë dritare komunikimi për t’u këshilluar bashkërisht në mënyrë paraprake, në lidhje me masat që Policia mendon duhet të marrim në sektorin tuaj".

Por si do të funksionojë shërbimi i automatizuar në pikat e karburanteve i cili vjen si detyrim nga ligji për masat shtesë të sigurisë publike.

ReportTv ka mësuar se karburantet në të gjithë vëndin do të pajisen me aparat që bënë shitje automatike të hidrokarbureve duke aplikuar pranimin e para në prerje 1000 deri në 5000 lekë si dhe po në të njëjtin aparat blerja mund të bëhet dhe me kartë krediti.

Ministri Tahiri u ndal dhe tek sistemi i kamerave të sigurisë të cilat do të monitorohen në kohë reale për të identifikuar çdo mjet apo person me precedent apo në kërkim që furnizohet në një pikë karburanti.
"E dyta masë e domosdoshme është sistemi i kamerave. Thuajse të gjithë pa përjashtim sot keni bërë investimet tuaja personale për të pasur një sistem kamerash në çdo pikë karburanti. Thuajse të gjithë pa përjashtim këtë e keni bërë si pasojë e vetëdijes suaj se duhet ky investim për të qenë më të sigurt. Thuajse të gjithë pa përjashtim e keni bërë këtë mbi bazën e njohurive personale apo profesionale, pa një konsultim paraprak me Policinë, sepse kjo çështje nuk ka qenë as në vëmendjen e Policisë më parë".

Sipas projektit i cili do të jetë unik në të gjithë vendin dhe për të gjitha pikat, ky automat do të jetë e vetmja mënyrë për t'u furnizuar me karburant gjatë natës pasi nuk do të ofrohet shërbim por gjithçka do të jetë vetëshërbim.

Me hyrjen në fuqi të ligjit për masat shtesë të sigurisë publike subjektet të cilat detyrohen të instalojnë masat parandaluese janë Kopshtet, Shkollat, Transporti Publik, Bankat, Parkimet dhe parqet apo këndet e lojërave.