Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë një takimi me Drejtorin e Policisë greke Konstantinos Tsouvalas në Tiranë i kërkoi që të hetohen rastet e vdekjeve të shqiptarëve Ilia Kareli dhe Pëllumb Marknikollaj.
 
Nisur nga rastet e humbjes së jetëve të dy shqiptarëve në dy vitet e fundit, ministri i kërkoi kryepolicit grek që të respektohen të drejtat themelore të shtetasve shqiptarë, pavarësisht faktit nëse janë të ndaluar ose arrestuar.

Të zhvillohen hetime transparente dhe të plota për 2 rastet e humbjes së jetës në rajonet e policisë greke të shtetasve Ilia Kareli dhe Pëllumb Marknikollaj, si edhe të respektohen të drejtat themelore të shtetasve shqiptarë, pavarësisht faktit nëse janë të ndaluar ose arrestuar nga autoritetet ligjzbatuese të Greqisë” deklaroi Tahiri gjatë takimit.
 
Ministri Tahiri u kërkoi autoriteteve greke të marrin të gjitha masat në mënyrë që të mos përsëriten raste të tilla në të ardhmen.
 
Gjithashtu, pas rasteve të fundit ku janë kthyer disa shqiptarë nga pala greke, ministri i Brendshëm Tahiri i kërkoi drejtorit të policisë greke që të respektohet lëvizja e lirë e shtetasve në zonën “Shengen” dhe të mos kthehen shtetas shqiptarë në kufi pa shkaqe ligjore e të motivuara mirë.

 Në muajt e fundit shumë qytetarë shqiptarë janë kthyer nga pala greke në pikat doganore me Greqinë, sipas tyre pa asnjë motivacion të ligjshëm.


dy.b/shqiptarja.com