TIRANE- Tre javë pasi gazeta “Shqiptarja.com” denoncoi dy vendime tepër të dyshimta të Gjykatës së Apelit Vlorë, ku nëpërmjet tyre fituan lirinë dy trafikantë të kërkuar në Itali, zbulohet një tjetër rast në Kavajë, ku gjyqtari Osman Aliu brenda 46 ditëve, ka liruar 9 persona të arrestuar nga policia. Pavarësisht provave të administruara në dosjet penale dhe kërkesave të prokurorisë për lënien në qeli të këtyre personave, gjyqtari Osman Aliu, ka vendosur lirimin e 9 shtetave të proceduar penalisht.

Kjo “maratonë” shkeljesh ligjore, ka sjellë dhe reagimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pasi është njohur me rastet konkrete, ka vendosur t’i drejtohet me një letër të hapur Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ku i kërkon këtij të fundit marrjen e masave radilake ndaj këtij gjyqtari. Në letrën e tij, Tahiri e informon Nishanin se nëpërmjet vendimeve absurde të këtij gjyqtari, kanë rifituar lirinë 9 persona, duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve. Njëri nga të liruarit është Aleksandër Tafam, i proceduar për përdhunim të një të miture, ndërsa mes të liruarve është dhe Ermir Gjuzi, ish-punonjës i CEZ i kapur për korrupsion.

Letra e Tahirit
Në letrën e tij Saimir Tahiri i drejtohet Nishanit me fjalët se: “Strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë përmbushjes së detyrave dhe misionit të tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përballen me një sërë problematikash, të cilat vështirësojnë punën e përditshme. Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe me besimin që ndani të njëjtin shqetësim për kulturën e pandëshkueshmërisë, mungesën e drejtësisë në disa segmente të sistemit gjyqësor, korrupsionin e përhapur e po kështu, ndani edhe të njëjtin interes lidhur me sundimin e së drejtës dhe zbatimin e ligjit, dëshiroj t’ju bëj me dije shqetësimin e përsëritur lidhur me gjyqtarin e gjykatës së rrethit gjyqësor Kavajë, Osman Aliu.

Vendimet absurde dhe shpeshherë haptazi të kundërligjshme të këtij gjyqtari, përbëjnë shqetësim serioz për Policinë e Shtetit, e cila gjendet e detyruar të luftojë kriminalitetin ndaj të njëjtëve njerëz që riciklohen të lirë në shoqëri nga vendime të tilla, tërësisht skandaloze të gjykatës. Për sa më sipër, lutemi të merrni në shqyrtim informacionin bashkëlidhur, me shpresën se do të vini në lëvizje të menjëhershme Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke marrë masa radikale ndaj të tilla fenomeneve që cënojnë rëndë shtetin ligjor dhe drejtësinë, duke sjellë pasoja për sigurinë e qytetarëve”.

Shkrimi u publikua sot (29.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)