Tajvan, Kina rrethon ishullin me avione dhe anije! Pekini: Paralajmërim i ashpër për Forcat e Pavarësisë! SHBA: Jemi të shqetësuar

Pekin - Stërvitjet ushtarake “Joint Sword 2024-A” u zhvilluan në maj dhe për këtë arsye ishte thuajse e pritshme që këtë vit Kina pas stërvitjes “A” do të realizonte edhe stërvitjen “B”.

Vetëm katër ditë pas fjalimit të Presidentit të Kinës Lai Ching-te me rastin e festës kombëtare të Tajvanit, Pekini nisi manovrat e reja ushtarake rreth ishullit. Siç pritej, Kina po tregon forcën e saj ushtarake në një shfaqje të re fuqie. Një përgjigje që Taipei e kishte parashikuar.

Objektivi është edhe një herë simulimi i një rrethimi, një përsëritje e asaj që ndodhi në maj: manovra të dobishme për Pekinin për të praktikuar se si të vendosë një bllokadë të mundshme, duke demonstruar se Kina është e aftë të kontrollojë zonat strategjike detare.

“Është një paralajmërim i ashpër për forcat e pavarësisë së Tajvanit. Ky është një operacion legjitim dhe i domosdoshëm për të mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe unitetin kombëtar”, thotë Pekini.

Operacionet, që përfshijnë ushtrinë, marinën, forcën ajrore dhe forcën raketore, po zhvillohen "në zonat në veri, jug dhe lindje të ishullit të Tajvanit", tha kapiteni Li Xi, zëdhënës i Komandës Lindore të ushtrisë kineze, me qëllimin e testimit të aftësive të përbashkëta operacionale”.

Stërvitja fokusohet në “patrulla gatishmërie për luftim, bllokadë të porteve dhe zonave kyçe, sulme ndaj objektivave detare dhe tokësore dhe arritjen e epërsisë së përgjithshme”, shtoi zëdhënësi.

Komanda ka publikuar ​​një hartë që tregon nëntë zona rreth Tajvanit ku po zhvillohen stërvitjet: dy në bregun lindor të ishullit, tre në bregun perëndimor, një në veri dhe tre rreth ishujve të kontrolluar nga Tajvani pranë bregut kinez. Megjithatë, ajo nuk njoftoi stërvitje me zjarr të drejtëpërdrejtë.

Por për momentin nuk është komunikuar as data e përfundimit. Roja bregdetare e Kinës ka dërguar gjithashtu flota anijesh për të kryer "inspektime" në maj. Stërvitjet kineze kishin përfshirë për herë të parë anije të rojes bregdetare, por tani përfshirja e tyre duket më e gjerë.

Taipei proteston duke dënuar "sjelljen e paarsyeshme dhe provokuese", duke deklaruar se "ka vendosur forca adekuate për t'iu përgjigjur siç duhet për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, si dhe për të mbrojtur sovranitetin e Tajvanit".

Stërvitja filloi katër ditë pas fjalimit të predsidentit kinez, Lait: një fjalim vendimtar, por në të njëjtën kohë edhe pajtues, edh i moderuar.

“Kina nuk ka të drejtë të përfaqësojë Tajvanin, por ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku me Pekinin për të luftuar sfidat globale. Vendosmëria e Tajvanit për të mbrojtur sovranitetin e saj mbetet e pandryshuar, ashtu si edhe angazhimi i tij për të kërkuar dialog të barabartë dhe dinjitoz me Kinën”, tha  presidenti kinez Lai.

Tashmë në ditët para festës tajvaneze më 10 tetor, Pekini dënoi Lain, duke e akuzuar për rritjen e tensioneve me "qëllime të këqija". Presidenti tajvanez  deklaroi se është “e pamundur” që Republika Popullore e Kinës të bëhet atdheu i Tajvanit, sepse ky i fundit ka rrënjë më të vjetra.

Kina zhvilloi stërvitjet "Joint Sword 2024-A" për dy ditë rreth Tajvanit në maj, menjëherë pasi Lai mori detyrën, duke thënë se ishte "dënim" për përmbajtjen separatiste të fjalimit të tij. Në atë kohë, analistët deklaruan se kinezët po praktikonin bllokadën, me tre objektiva: bllokimin e rrugës së importit, rrugën e shpëtimit për  forcat e pavarësisë dhe ndihmën amerikane.

Shtetet e Bashkuara  e quajtën stërvitjen kineze si "të pajustifikueshme".

“Përgjigja me provokime ushtarake ndaj një fjalimi vjetor është i pajustifikueshëm dhe paraqet rrezik përshkallëzimi”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Matthew Miller.

Departamenti amerikan i shtetit i bëri thirrje Kinës të “veprojë me përmbajtje dhe të shmangë veprimet e mëtejshme që mund të dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe në rajon në përgjithësi”.

Presidenti Lai thirri një "takim të nivelit të lartë të sigurisë". Ministria e Mbrojtjes së ishullit thotë se nuk dëshiron një përshkallëzim, por ka rritur nivelin e alarmit në ishujt periferikë dhe po vëzhgon lëvizjet e forcës raketore kineze./Marrë nga La Repubblica

Xh.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë