Takimi Zaev-Gashi për mundësinë e përfshirjes së Alternativës në qeveri

Takimi Zaev-Gashi për mundësinë e përfshirjes së Alternativës në qeveri

Kryeministri Zoran Zaev (djathtas) dhe kryetari i Partisë Alternativa, Afrim Gashi (majtas)

Vetëm një javë pas bashkimit me nismën për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, partia Alternativa duket se po ndërron kah dhe pritet t’i bashkohet koalicionit qeveritar. Kryeministri Zoran Zaev bisedoi të premten për disa orë me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashin për të shqyrtuar mundësitë e zgjerimit të shumicës parlamentare dhe të koalicionit qeveritar.

Megjithatë, as Zaev dhe as Gashi nuk folën për oferta apo kushte konkrete. Kryeministri Zaev tha pas takimit se është biseduar për shumë çështje dhe se takime do të ketë edhe javën e ardhshme. "Koalicioni i mundshëm do të jetë mbi bazën e parimeve programore, gjë që është pozitive”, tha drejtuesi social-demokrat dhe njëkohësisht kryeministër, Zoran Zaev.

Ai tha se “vendimet do të shqyrtohen gjatë fundjavës. LSDM është e gatshme për zgjidhje”, u shpreh ai.

Edhe Gashi tha se të martën që vjen kryesia e partisë Alternativa do të mblidhet për të diskutuar aspektet e bisedimeve me kryeministrin.

“Unë jam i bindur se do të marrim vendimin më të mirë të mundshëm për qytetarët. Nëse flasim në mënyrë hipotetike për zgjerimin e shumicës (parlamentare), duhet ta dijmë se cili do të jetë roli i Alternativës. Nuk do të bëhemi pjesë e asnjë qeverie nëse nuk mund të realizohen interesat e përgjithshme të qytetarëve ”, tha Gashi.

Zoran Zaev u shoqërua në takim nga Dimitar Kovaçevski, aktualisht zëvendës-ministër i Financave, për të cilin një pjesë e medias në Shkup ka spekuluar se mund të marrë drejtimin e qeverisë pas largimit të mundshëm të Zaev. Ai vetë u shpreh se të martën do të thirret takimi i Këshillit Qendror të Partisë Lidhja Social Demokrate, ku do të kërkojë që dorëheqja e tij të bëhet efektive.

Partia e Gashit ka katër ligjvënës në parlament. Bashkimi i mundshëm i saj me shumicën do ta rriste numrin në 64 deputetë, duke i shtuar edhe një deputet të Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, i cili po ashtu është shprehur në mbështetje të kabinetit qeveritar Zaev.

Synimet e Alternativës, sipas burimeve brenda partisë, janë që ajo të marrë tre ministri, dy poste zëvendës-ministrash dhe pesëdhjetë drejtori.

Qëndrimi i Alternativës nuk u prit mirë nga VMRO-DPMNE-ja e opozitës dhe nga Aleanca për Shqiptarët, me të cilën janë në koalicion që nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë