Rritja e taksave është shqetësimi kryesor për drejtuesit e bizneseve në Shqipëri. Sipas anketimit të kryer nga kompania e shërbimeve financiare Pricewaterhouse Coopers, 85% e menaxherëve shqiptarë e shohin këtë si kërcënimin kryesor për perspektivën e rritjes së biznesit të tyre.

Nuk është hera e parë që rritja e taksave rezulton në krye të listës së problemeve, në anketimet me investitorët vendas dhe të huaj. Ndoshta edhe për shkak të mungesës së një kulture historike taksimi dhe një periudhe të gjatë të karakterizuar nga informaliteti i lartë, sipërmarrjet shqiptare janë shumë të ndjeshme sa herë që duhet t’i paguajnë më shumë shtetit.

Po të shohim rezultatet e anketimit të Pricewaterhouse Coopers në nivel global, shqetësimi kryesor i menaxherëve të bizneseve në botë është pasiguria gjeopolitike, e ndjekur nga mbirregullimi dhe nga kërcënimet kibernetike. Ndërsa drejtuesit shqiptarë janë më pak të shqetësuar nga zhvillimet e mëdha globale dhe më shumë për çështjet e brendshme, siç është rritja e ngarkesës fiskale në vitet e fundit. Megjithatë, edhe ata janë të ndjeshëm ndaj çështjeve si e ardhmja e Eurozonës.

Ky renditet i dyti mes kërcënimeve potenciale për rritjen e biznesit të tyre. Në të njëjtin nivel me të ardhmen e Eurozonës, shqetësim serioz nga 82% e të anketuarve perceptohet edhe infrastruktura e pamjaftueshme bazë.