Çdo ditë e më tepër po duket qartë, se sa më shumë që Shqipëria i afrohet përfitimit të statusit zyrtar të Shtetit kandidat për në BE, opozita ndërmerr veprime që pengojnë seriozisht shpejtimin tonë në rrugën e integrimit. Veprime që, ende pa u mbushur një muaj e gjysmë nga konstituimi i legjislaturës së re, kohë të cilën Komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle e përkufizoi si një fillim i shkëlqyer, kultura e vjetër e zënkave politike merr hove të reja me prapavijë të rrezikshme për të ardhmen e vendit. Prandaj edhe Komisioneri Fyle, përmes një postimi në Twitter mëngjesin e së martës që kaloi, e gjykoi të arësyeshme të informojë publikun rreth takimit të tij edhe me Kryetarin aktual të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, ku u fol për opozitën, e cila sipas këtij njoftimi të fundit të funksionarit të lartë evropian “duhet të luajë një rol të rëndësishëm, brenda kuadrit të ofruar nga qeveria për një dialog politik konstruktiv”.

     Por pikërisht gjatë këtyre ditëve, kur jepet ky rekomandim pas zhvillimit në Tiranë të një Konference të Nivelit të Lartë për Luftën kundër Korrupsionit, çka përbën edhe një nga 5 pikat kyçe, plotësimi sa më shpejt i të cilave mundëson çeljen e bisedimeve për anëtarësimin në BE, opozita dhe veçanërisht Partia Demokratike nxjerr përsëri në skenë politikanët – karrikatura, të cilët vazhdojnë të hiqen si liderë politikë, që aspirojnë të marrin përsëri pushtetin dhe të krijojnë publik me vulgarizma, intriga, mashtrime, nënçmime, revolta, duke e “gërryer” gjithnjë e më shumë kulturën politike deri në atë shkallë, saqë me këtë term të lihet të kuptohet çdo gjë dhe këto çdo gjë të konsiderohen normale, të lejueshme. Ndërkohë që është mbështetja te vlerat reale, te respektimi i parimeve, te zhvillimi i procedurave demokratike dhe ndërtimi i shoqërisë civile, të cilat paraqesin bazën e përparimit tonë.

Mirëpo, për fat të keq, gjatë dy dekadave të fundit në kushtet e ”lirisë dhe demokracisë”, fare qartë u tregua se si, shumë njerëz midis nesh, pa dashur dhe të ekzaltuar kanë punuar për llogari të dëmit të tyre dhe janë manipuluar lehtësisht, duke votuar për t’u përfaqësuar në Kuvend nga ata persona që përdorën në vazhdimësi për vete dhe për familjarët apo tarafet e tyre të gjitha mjetet ekzistuese të trashëguara nga socializmi, për të sunduar me atë lehtësi që u bë e padurueshme dhe, njëkohësisht, për ta lënë vendin të mbytur në borxhe dhe shtetin të asfiksuar nën sqetullën e tyre.

Disa herë këta politikanë – karrikatura, që perfeksionuan dinakërinë, duke mashtruar pa ndërprerje masën e bashkëqytetarëve të vet me premtime deri në dimensione iracionale, me vetëdije të plotë kanë bërë pastaj diçka krejtësisht tjetër, duke pohuar, madje duke u mburrur pikërisht me makiavelizmin e tyre. Dhe erdhi një kohë që demagogët nuk mund të bëheshin më asesi të besueshëm, prandaj ishte masa ajo që i manipuloi ata: si papritur dhe papandehur, 23 qershori i nxorri në opozitë dhe hipi në pushtet të majtët e refermuar, me mandate si asnjëherë tjetër më shumë.

     Dhe, megjithatë, Kryetarit rishtar të Partisë Demokratike, të cilit nuk i shohin sytë ndonjë rrugë të re dhe as zhvlerësimin gjithnjë e më në rritje që populli i bën kësaj force politike tashmë minoritare, nuk bën gjë tjetër veçse përpiqet të ndjekë rrugën e vjetër tërë gropa, të cilën e ka lënë ai që e mori hopa drejt saj, duke mos ndjekur as principet elementare të boshtit strategjik ku është pozicionuar tashmë Shqipëria. Shkon ky djalë i përkëdhelur në takimin e Partive Popullore, për t’i siguruar homologët evropianë që forca e tij politike do të bënte gjithçka për të garantuar integrimin e Shqipërisë dhe, kur sapo kthehet nga Brukseli, përfshihet në akte që e bëjnë atë dhe deputetë të djathtë të shpresojnë, se mund ta destabilizojnë vendin. Ishin këta, që së fundmi helmuan opinionin publik me një propagandë të shfrenuar antiamerikanizmi, për të mos u lejuar demontimi këtu i armëve kimike të Asadit, të cilin edhe vetë ata e kanë ndihmuar paligjshmërisht edhe në plan ndërkombëtar me arsenale armësh e municionesh dhe, kur sapo njerëzit i përfshiu paniku, menjëherë shkaktuan një zallamahi apo një revoltë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, për t’ia bllokuar punimet organit më të lartë të pushtetit shtetëror.  

Ndonëse Kryeministri Rama kishte deklaruar më parë, se  vendimin për përfshirjen në operacionin e demontimit qeveritarët shqiptarë do ta ndanin me Kuvendin dhe publikun, dhe se në rastin më të keq lëndët helmuese nga Siria do të asgjësoheshin këtu për t’u varrosur gjetkë, ish – kryeministri Berisha vazhdonte avazin e vet, sipas të cilit, ai vendim ishte marrë dhe qe përfunduar. Më tej, transmetohej direkt nga Brukseli Zëdhënësi i Komisionit Europian, Michael Maan, që u përgjigjej disa gazetarëve, se për çështjen e ndezur në Shqipëri ende nuk ishte marrë vendimi dhe, ndërkohë, këtu Lulëzim Basha, si i ngjizur që është në “epruvetën” politike të prijësit të vet, në një konferencë shtypi përdori të njëjtin fjalor të Berishës ndaj Kryeministrit Rama: frikacak, mashtrues, gënjeshtar etj, etj. Çfarë kërkonin të arrinin?

Të vendosur në rrugën e tyre të destabilizimit të vendit, Berisha dhe Basha shkuan pas mbylljes së seancës plenale drejt e te protesta përpara kryeministrisë. Pikërisht atje, ku ende pa u mbushur tre vjet, me urdhër të këtyre politikanëve – karrikatura u vranë katër qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën plot të tjerë, vetëm se protestuan ndaj mjerimit, pisllëkut dhe borxheve ku zhytej vendi nën qeverisjen autokratike të përmasave diktatoriale, e cila mbetet veç të tjerash përgjegjëse për shpërthimin tragjik të Gërdecit, apo edhe krijimin mes nesh të 31 zonave të rrezikshme si nishane kancerogjene.

Pikërisht atje, ku rinia protestonte pa frikë dhe ndrojtje, sepse e ka ndjerë që me ardhjen e një qeverisjeje të re për herë të parë garantoheshin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Dhe, kështu, në vend që dy nga politikanët - karrikatura të arrrinin ta manipulonin protestën me thirrjen për t’u bashkuar atje të rinjtë nga e gjithë Shqipëria, prej megafonëve përreth u dëgjua një tjetër thirrje me brohorima të zjarrta: “Mos e politizoni protestën! Largojuni atyre politikanëve!”. Po, t’u largoheshin pikërisht atyre, të cilët kutërbonin në erën e re që ka nisur të fryjë prej disa muajsh. Po, pikërisht atyre, të cilët shumë shpejt u  detyruan të përvidheshin me bisht ndër shalë nga rradhët që pandehën se mund t’i dominonin, si dikur.

Mirë, po tani që Kryeministri Rama e bëri dje të njohur me oratori brilante dhe emocionuese për një popull të tërë vendimin e tij, që shqiptarët të çlirohen nga makthi i skenarizuar dhe ta mbajnë ballin lart, a do të mund të heqin dorë përfundimisht Berisha dhe rradhët e tkurrura të pasuesve të tij nga veprimet e mbrapshta, që do të vinin në dyshim integrimin e plotë dhe sa më të shpejtë të Shqipërisë në hapësirat euroatlantike? Në të vërtetë, kjo është më e vështirë për t’u pohuar, se sa nevoja urgjente për reformimin e së djathtës shqiptare, me tipare të reja moderne të elementëve autentikë, të cilët mund të quhen liderë atëherë kur të mund ta çlirojnë forcën e tyre politike nga njollat e murme që i kanë lënë këta të sotmit.

Këta të sotmit, të cilët kur i kanë humbur një herë e mirë shpresat për të rifituar besimin te populli i tyre dhe te aleatët ndërkombëtarë të tij, kur e shohin me sytë e shpirtit se po afrohen ora e ndëshkimit përfundimtar ligjor të tyre, kur në këto kushte s’u ka mbetur veçse të provokojnë revolta dhe trazira që mund t’u prodhojnë alibinë e përndjekjes politike ndaj tyre, tani s’përfillin më as babain e dinakërive të veta - Makiavelin, nga vepra e shkruar e të cilit është nënvizohet edhe një këshillë e tillë: “Kush dëshiron sukses të vazhdueshëm, duhet të ndryshojë sjelljen e tij me kohën”. Mirëpo, shumë shekuj përpara këtij filozofi të Mesjetës, përjetësisht ka mbetur e vyer për tërë njerëzimin nga greqishtja e vjetër një metaforë: “Qimja e derrit nuk bëhet dot mëndafsh!”.