Tanush Frashëri, autor i disa librave historikë dhe i kërkimeve shumëvjeçare nëpër arkivat e bibliotekave të vendeve të ndryshme të Europës, është përpjekur të hedhë dritë mbi jetën e Ali Këlcyrës, njërit prej protagonistëve të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.
Në një intervistë, ekskluzivisht për Report TV, Tanush Frashëri deklaron se “Ali Këlcyra është lënë në terrin e mosnjohjes për dekada me radhë.”
Ajo që e shqetëson historianin është “shikimi i kësaj figure në optikën e historiografisë së diktaturës komuniste”, ku protagonizmi i Ali Këlcyrës në trazirat e Luftës së Dytë Botërore keqinterpretohet.
Frashëri dëshmon se kërkimet e tij përmbysin disa teza të historianëve.
Ndërsa ka botuar dy libra studimorë, që i kushtohen Ali Këlcyrës, gjatë intervistës për Report TV, Tanush Frashëri e quan gënjeshtër marrëveshjen e shumëpërfolur “Dalmacio-Këlcyra”, për të cilën jo pak historianë deklarojnë se përmes saj italianët janë garantuar se nuk do të pengoheshin për të shtypur ushtarakisht forcat partizane dhe luftën e tyre Nacional-Çlirimtare.
I ashtuquajturi “Protokolli Dalmacio-Këlcyra” që mendohet të jetë nënshkruar në mars të vitit 1943, ndërmjet Komandantit të Forcave pushtuese italiane në Shqipëri, Dalmacios, dhe përfaqësuesit të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyrës, sipas Tanush Frashërit nuk ekziston, madje as në arkivat e SIM-it.
Frashëri këmbëngul se “vetëm kërkimet arkivore do ta ndriçojnë me të vërtetën historike Ali Këlcyrën, si figurë interesante e me peshë për historinë e Shqipërisë, duke hedhur dritë në rrethanat, periudhën dhe bashkëkohësit e tij.”
“Parimi im kryesor ishte që të them të vërtetën. Dhe e përdora këtë ide timen që kur kisha mundësi të suvenconoja kërkimet e mira arkivore me paratë e mia, pasi shita dy apartamente që kisha në Shqipëri, që të mos më thoshte njeri se ne nuk kemi mundësi të paguaj kaq shumë. Kështu që duke ardhur në kontakt me dokumentacionin, e kuptova se duhet të mbështesë të vërtetën me dokumentet që gjej, që të mos fsheh, se mjaft janë fshehur deri më sot”, -thotë Tanush Frashëri.
I prekur nga disa të pavërteta të shkuara në Historinë e Shqipërisë, Tanush Frashëri rrëfen rrugëtimin e tij në kërkimet arkivore:
“Shkova në Arkivin e shtetit ushtarak, duke i bërë kërkesë ministres Suzana Anjeli. Kur shkova tek arkivat dhe më pyetën ku do të hysh. Unë u thashë në arkivat e SIM-it. “Oh, -më thanë -pse dashke drejt e ne thela.” Unë u thashë se “dua të shoh atje, sepse kam në grykë një kockë e më ngel aty nëse nuk kam për të mësuar të vërtetën.” Kur hapa arkivat, atje pashë që nuk kishte një protokoll “Këlcyra-Dalmacio”, dhe kjo është revoltuese, sepse ne kemi folur për një protokoll që nuk ekziston. Në të vërtetë delegatët e Ballit Kombëtar nuk shkuan me kokën e vet, por Ali Këlcyra dhe Nuredin Vlora kërkuan të bisedonin me Dalmacion si fillim dhe pastaj çuan specialistë për marrëveshjet që të mos dëmtoheshin njerëz dhe të mos humbiste pasuria kombëtare, por nuk u bë gjë për shkak të krimeve që bëri Mehmet Shehu. Krime që dihen.”
Tanush Frashëri megjithatë nuk e mohon se nga familjet e mëdha shqiptare kanë bashkëpunuar me pushtuesin.
“Familjet e mëdha, fatkeqësisht pas luftës së Dytë Botërore, për mendimin tim dolën siç qenë në të vërtetë. Shumë pak prej tyre nuk u pëzjenë me kolaboracionizmin. Sepse disa prej tyre vrapuan të bashkëpunonin për afinitet ideologjik, ndërsa Shefqet Vërlaci, kur pa se nuk e linin italianët të bënte atë që donte, ai dha dorëheqjen dhe erdhën të tjerët në vendin e tij.”, tha Frashëri.
I pyetur se si kane qenë marrëdhëniet në dy periudha të ndryshme të politikës italiane, Tanush Frashëri rrëfen se lufta, paqja dhe miqësia kanë qenë komplekse me luhatje të mëdha, duke kaluar nga periudha liberale në atë fashiste të Italisë. Tanush Frashëri rrëfen se “lufta kundër italianëve ka nisur në Tepelenë, ku bënë të kapitullonte një batalion italian, e ndërkohë në Vlorë u acarua gjithçka, sepse u bë qëndresa më e ashpër, ku në Kot u vra dhe gjeneral Gotti me djalin kolonel Kavalon që ra rob, dhe pas 24 ushtarëve të vdekur në Llogara, italianët e rrethuan Vlorën me tela me gjemba, derisa u bë lufta e ashpër dhe pasoi me kapitullimin e italianëve. Ndërsa në etapën e Musolinit, mendohej që Shqipëria të ishte e pavarur dhe me kufijtë e pacaktuar si në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ndërsa penetrimi i Italisë nisi në atë kohë kur u pa se situata e vendit ishte fare përtokë”, -tha Frashëri.
Tanush Frashëri, pasi bënë një panoramë të Tiranës së mjeruar në vitin 1925, shpjegon edhe marrëdhëniet politike e diplomatike me Italinë dhe rolin e saj herë si mbështetëse, herë si kundërshtare.
Tanush Frashëri rrëfen edhe marrëdhëniet e Ahmet Zogut me Italinë, i cili sipas tij “më shpesh ka kërkuar ndihma prej saj për të ringritur vendin, sesa ka dhënë.”
Sipas Frashërit Zogu nuk e ka vjedhur Bankën e Shqipërisë...
“Dihet që Banka kishte dy drejtorë, njëri ishte shqiptar, Mitrush Kuteli dhe tjetri italian, si do t’i thoshte Zogu italianit, hajde pak këtu ti, se unë do të vjedh thesarin e shtetit. Por e vërteta është se italianët në ’43-shin kapitulluan dhe nuk morën dot asgjë. Erdhën gjermanët dhe me gjithë përpjekjet e drejtorit të atëhershëm Mitrush Kutelit, arritën ta marrin thesarin. Ndërsa Zogu ka marrë të ardhurat e veta që kishte nga tokat, nga pyjet etj.”, deklaron Frashëri.
Historiani Tanush Frashëri flet edhe për sekuestrimin e arkivave të trashëgimisë nga gjermanët, siç kanë qenë edhe dorëshkrimet albanologjike të Joklit.
“Dhe e keqja është se ku është tani biblioteka e Joklit, që ka qenë një nga më të pasurat. Edhe vete Çabej që ishte një nga nxënësit më të përkëdhelur të tij, nuk e dinte ku është.”, thotë Frashëri.
Duke hedhur dritë mbi qëndrimin e Ali Këlcyrës në çështjen kombëtare, Tanush Frashëri flet edhe për marrëdhëniet me Ahmet Zogun.
“Ali Këlcyra kishte një gojëtar shigjetues dhe e kritikonte Zogun. I thoshte mos të fuste frymën politike në ushtri. Dhe çfarë ndodhi, oficerët e Zogut e futën vet politikën në ushtri. Në emigrim, Zogu e tregoi veten që ishte burrë shteti, sepse e ndihmoi megjithatë Ali Këlcyrën, kur Italia do ta fuste në burg, sepse i thoshin që ju na keni luftuar, mos qëndroni këtu. Ali Këlcyra është një figurë e shquar me pikëpamje social-demokratike socialiste. Në Itali u lidh me figura të shquara të social-demokracsisë socialiste.”, tha Frashëri.
I pyetur se çfarë duhet të korrigjojë më tej Historia e Shqipërisë, Tanush Frashëri shprehet se “duhet të çlirohet nga ideologjizimi dhe të mos bëhen citime të falsifikuara , të prera për qëllime të caktuara përgjysmë. Madje tani kanë nxjerrë edhe një protokoll “Zogu-Pashiç”, por edhe një të tillë në arkivat italiane nuk ka”, -deklaron Frashëri.
I pyetur më tej se si ka qenë jeta e tij private në kohën e diktaturës, Tanush Frahsëri rrëfen se ngaqë ishte fejuar me fjalë goje, por ende jo zyrtarisht, me mbesën e Vlorajve, të Eqerem Vlorës, pati jo pak telashe.
“Gruaja ime më priti 13 vjet me premtimin e fejesës, dhe kur erdha në Tiranë në shtator e fillova punë në gjimnazin “Ismail Qemali”, pas gjashtë muaj u dërgova në Spaç, edhe pse punoja shumë, bëja aktivitete, teatër me nxënësit, etj. Njëherë një drejtor shkolle më tha: “Mos harro kush je ti, por ne të mbajmë se na duhesh”. Unë kisha shoqe shkolle vajzën e drejtorit të sigurimit, dhe ajo ishte e përkëdhelura e babait dhe ishte ajo që i tha të atit ç’më patën thënë. Pas kësaj, drejtori më kërkoi falje, por kjo nuk më vlejti. Unë megjithatë shkova të nxirrja pirit në minierë, por gruaja ime më abonoi tek studimet filologjike, dhe tek gazeta “Drita”. Unë nuk mund të botoja, por nuk u shkëputa nga kontakti me shkencën historike, pavarësisht se e mbyllja gojën. Se nuk mund të ulërije atëherë, se të pritej koka”, shprehet gjatë intervistës për Report TV Tanush Frashëri.
Tanush Frashëri i lindur në Tiranë në vitin 1936 është diplomuar për histori në Universitetin e Tiranës më 1960. Ndërsa ushtronte detyrën e mësuesit të historisë në shkollat e mesme të Vlorës dhe të Tiranës deri në vitin 1972, atë e arrestojnë dhe e burgosin me akuzën famëkeqe “për agjitacion e propagandë”. E lanë të lirë në vitin 1977, por që të punonte si punëtor krahu, duke i hequr të drejtën e mësimdhënies dhe botimeve.
Ky dënim zgjati deri në vitin 1990, kur emigroi në Austri, ku jeton edhe sot. Tanush Frashëri pas kësaj është autor i disa librave: "Të dhëna arkeologjike nga lugina e Vjosës", autor i monografisë "Vllehët në krahinën e Vlorës", autor i dy librave librave kushtuar Ali Këlcyrës, që janë “Ali Këlcyra patrioti kuq e zi” dhe libri me hulumtime arkivore “Ali Këlcyra, shkrime për historinë e Shqipërisë”, e më gjerë.