Tare: Do të rijetëzojmë kalatë
por pa ndërtuar motele në to

Tare: Do të rijetëzojmë kalatë<br />por pa ndërtuar motele në to
TIRANE- Duhet ndërhyrë urgjentisht në sistemin e Manxhimit të Trashëgimisë kulturore, e cila duhet manaxhuar drejt dhe me vizion, jo më me projekte klienteliste. Deputeti i Partisë Socialiste Auron Tare, dhe njëkohësisht një prej zërave më kritikë viteve të fundit për menaxhimin e gabuar të trashëgimisë, thotë se situata alarmante ka ardhur si pasojë e paaftësisë dhe interesave personale të njerëzve që kanë drejtuar institucionet  përgjegjëse dhe jo domosdoshmërisht e njerëzve keqdashës.

“Pasi dëmet më të rënda në Trashëgimi janë bërë me firmat e Institucioneve që kanë detyrë t'i ruajnë ato”, thotë Tare për 'Shqiptarja.com'. Por si do të dilet nga kjo gjendje dhe cila është platforma e qeverisë së re për mbrotjen e trashëgimisë dhe për nxitjen e turizmit kulturor? Në këtë intervistë Auron Tare shpjegon detaje nga kjo strategji dhe nismat e para që do të ndërmerren.
 
Trashëgimia kulturore në Shqipëri ka qenë gjithnjë në qendrër të kritikave, me denoncime të shumta për shkatërrime, vjedhje dhunime etj….E megjithëkëtë trashëgimia është një nga joshjet e turistëve që vijnë në Shqipëri. A ka Partia Socialiste një strategji për turizmin kulturor?
Përgjatë fushatës së Partisë Socialiste pjesa e Trashëgimisë Kulturore ishte një nga aspektet e theksuara shumë fort dhe në mënyrë të përsëritur. Jo vetëm në Konventat dhe bisedimet me publikun, por nëse ju na keni ndjekur në këtë fushatë kemi pasur disa deklarata publike në zonat më të dëmtuara të trashëgimisë sonë duke premtuar një përmbysje të realitetit në këtë fushë. Zoti Rama shpesh ka sjellë shembuj të prekshëm nga rrënimi i trashëgimisë kulturore kombëtare. E gjitha kjo është mbështetur në një program të krijuar nga njerëz me kontribute në këtë fushë, një program, të cilin në do ta bëjmë realitet menjëherë. Publiku do të jetë dëshmitar i një ndryshimi rrënjësor në fushën e manaxhimit të trashëgimisë kulturore kombëtare. Ky ndryshim do të bëjë që edhe turizmi kulturor të jetë i ngritur në standarte profesionale dhe jo në fjalët boshe të zyrtarëve të Ministrisë së sotme të Kulturës.
 
Butrinti, Gjirokastra, Berati, Kruja, Elbasani,  Shkodra….e shumë  vende të tjera ku gjenden kala e kështjella, shënojnë çdo vit rritje të interest të turistëve për ti vizituar. A do të jetë rivitalizim i tyre një mënyrë për të thithur më tepër turistë  siç është folur deri më sot nga drejtues të MTKRS-së?
Nëse ne do të kërkojmë zhvillimin e turizmit kulturor  sigurisht rivitalizimi i Monumenteve të Kulturës do të jetë një prioritet. Por rivitalizim nuk nënkupton kthimin e tyre në restorante apo motele. Përkundrazi ne do të sjellim një shembull shumë të qartë mbi mënyrën se si këto Monumente do të bëhen më të vizitueshme pa prishur atë që është më thelbesore shpirtin e tyre. Rivitalizim për ne nënkupton një manaxhim me standarte europiane ku monumenti është parësori dhe jo qebaptorja e rradhës ndërtuar në mënyrë klienteliste. Njerëzit e sistemit të Trashëgimisë që kanë firmosur për qebaptore në Monumentet e Kulturës sigurisht nuk mund të jenë pjesë e një Modeli të Ri që ne do të sjellim për publikun. Kemi një sërë projektesh shumë interesante të cilat mendojmë se do ta rrisin shumë cilësinë e turizmit kulturor. 
 
Çfarë do të ndodhë me ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura, me restaaurimet dhe ndërhyrjet e gabuara?  Sa e dëmtojnë këto shkelje mbarëvajtjen e turizmit kulturor në Shqipëri?
Gjatë fushatës Partia Socialiste premtoi se do të ndëshkonte çdo ndërtim pa leje në zonat e mbrojtura, apo monumentet e kulturës. Shqiptarët besuan në këtë premtim  dhe na votuan gjerësisht. Ne kemi detyrë të mbajmë  premtimin e dhënë publikisht se nuk do të ketë më ndërtime pa leje apo në kundërshtim me ligjin në zonat muzeale, sitet arkeologjike apo zonat me status të mbrojtur. Ky premtim do të mbahet.
 
A keni një listë të monumenteve në rrezik ku duhet ndërhyrë me emergjencë dhe sa mund ta përmirësojë kjo gjendjen e turizmit kulturor në vend?
Mendoj se për momentin duhet krijuar një ide e saktë se çfarë ka ndodhur këto 8 vjet me Trashegiminë Kulturore. Duhet parë situata nga afër pasi të gjithë ne që kemi pasur një rol në debatin publik nuk kemi informacion se çfarë ka ndodhur konkretisht me fondet publike apo donacionet e destinuara për Trashëgiminë. Duhet parë roli i Institucioneve të MKRS si dhe të Institutit të Monumenteve. Personalisht mendoj se situata alarmante e Trashegimise ka ardhur si pasoje e pa aftësisë dhe interesave personale të këtyre institucioneve dhe jo domosdoshmërisht e njerëzve keqëdashës. Pasi dëmet më të rënda në Trashëgimi janë bërë me firmat e Institucioneve që kanë detyrë ti ruajnë ato. Drejtoritë Rajonale të Monumenteve janë vende ku vegjetojnë prej vitesh vetëm militantë partiake pa asnjë lidhje me Trashëgiminë Kulturore. Une mendoj se ndërhyrja urgjente duhet të jetë në sistemin e Manxhimit të kësaj Trashegimie. Trashegimia duhet manaxhuar drejt dhe me vision, jo më me projekte klienteliste. Duhen ndaluar urgjentisht gërmimet arkeologjike pershembull që kanë vite pa u konservuar restauruar dhe prezantuar për publikun. Duhet një sistem i ri manaxhimi të trashëgimisë duke krijuar një Institucion të vetëm, i cili manaxhon të gjitha aspektet e trashëgimisë duke përjashtuar fushën studimore që sigurisht ju mbetet shkencëtarëve. Por edhe kërkimet shkencore duhen mbështetur në planifikime afatgjata dhe jo ekspedita punësimi për arkeologet e papunë.
 
Si e mendoni ju funksionimin e  sistemit të Trashëgimisë Kulturore?
Mendoj se na duhet një sistem i ri. Ky që kemi nuk ka funksionuar për një sërë arsyesh por me kryesorja është që sistemi i trashëgimisë është i copëtuar në shumë drejtori dhe institucione paralele. Do të ketë një Institucion të vetem i cili merret me manaxhimin e trashëgimisë kombëtare ku pjesa më e madhe nuk do të jete administrate e kotë por specialistë të fushës që përditë merren me mbarëvajtjen e Monumenteve. Një veçanti e programit tonë të Trashëgimisë do të jetë përfshirja sa më e madhe e komuniteteve pranë zonave historike dhe kulturore pasi mos angazhimi i komunitetit ka bërë që këto komunitete të jenë indiferentë për fatin e tyre.  Sezonin që vjen, publiku do të jetë dëshmitar i ndryshimeve rrënjësore si në fushën e Turizmit Kulturor si në Manaxhimin e Trashëgimisë Kombëtare.
 
Shkrimi u publikua sot në gazetën “Shqiptarja.com”
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj