Në një dokument të vitit 1959, lexojmë: “(…) Tasi Iloja ose Anastas Iloja (plaku) duhet të ketë vdekur nga viti 1880 dhe se Tashko Ilon e la në bark të sëmës dhe ky u lint pas vdekjes së babajt (…) dhe për këtë shkak djalit që lindi, ja vunë emrin Anastas (emrin e babajt) dhe i thërresin Tashko.”
Emrin e babait të Tashkos, Anastasit, na e përmend prof. Petraq Pepo në një studim të tij më 1981. Bëhet fjalë për vitin 1866, kur qytetarët e Varoshit të Korçës i dërgojnë Dhimigjeondisë së këtij qyteti një Kanonizëm mbi detyrat që anëtarët e saj duhet të respektojnë.
Personalitetin e tij Tashko Ilo e formoi në luftë për mbrojtjen e çështjes amtare, duke bashkëpunuar në rradhë të parë me vëllain e tij, atdhetarin Spiridon Ilo, e më pas me mëmëdhetarë si Hilë Mosi, Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno, vëllezërit Tërpo, Dhimitër Zografin, Asdrenin, etj. Emigroi në Rumani, ku u lidh me rrethet patriotike shqiptare. Fillimisht Tashko anëtarësohet në shoqërinë “Shpresa”. Më pas e shohim si veprimtar të shoqërisë “Dituria”. Këtu lidhet me mjaft patriotë shqiptarë dhe mban letërkëmbim të pasur me ta. Në koloninë shqiptare të Bukureshtit forcon miqësinë me patriotin shkodran Hilë Mosi dhe bashkë me të, Tashko Ilo është i pari që sjell nga Bukureshti në atdhe partiturën e parë të himnit të ardhshëm kombëtar shqiptar dhe fillon ta shpërndajë atë në rrethet muzikure shqiptare. Kjo datohet që në vitin 1908 (“Vepra” Lasgush Poradeci. Tiranë, 1990, faqe 356-373). Mbërritja e tyre në Korçë i dha shtysë krijimit të shoqërisë muzikore “Banda e Lirisë”. Një vit më vonë, më 1909, Tashkon e gjejmë në ballë të punëve me karakter kombëtar në Rumani, nga ku ndihmon me të holla botimet shqipe. Emrin e tij e lexojmë në “Radhoj i emrave ndihmëtarë” në shtyllat e gazetës “Korça”, në botimin e përkthimit të Kosta Jani Trebickës “Genovefa”, më 1908, etj.
Tashko Ilo Korça, me përshëndetje të ngrohta vëllazërore, përcjell lajmin e shpalljes së pavarësisë dhe nga Bukureshti, ku punon si tregëtar, krenohet me vëllain e tij Spiridonin, i cili më 28 nëntor 1912 firmonte lindjen e shtetit të parë shqiptar në Vlorën heroike si delegat i Korçës. “Çdo 28 nëntor, Tashkoja vishej me kustum të ri dhe kravatë të re të kuqe dhe në mëngjez, me dorë në zemër, këndonte himnin kombëtar”- tregon Sanda Ilo, bashkëshortja e tij.
Në korrik 1914, bashkë me Themistokli Gërmenjin, Spiridon Iloja largohet nga Korça për në Vlorë, më pas për në Durrës (ku takon princ Vidin) për të përfunduar në Rumani e për të bujtur te Tashkoja, ku që të dy punojnë papushuar për çështjen shqiptare. Po në vitin 1914, Marigo Posio, kjo grua patriote, kushërirë e parë e vëllezërve Ilo, u shkruan atyre për ndihma financiare në favor të muhaxhirëve të Shqipërisë së jugut, të cilët u detyruan të braktisin vatrat e tyre për shkak të mizorive helene. Ushtritë shoviniste greke kishin vërshuar në tokat shqiptare dhe digjnin me helmin e zemrës dhe me zjarrin e pushkës gjithçka shqiptare që u dilte përpara. Edhe këtë herë Tashkoja e Spiridoni nuk i kursyen ndihmat. Në vitin e parë të Luftës së Parë Botërore ata ndihmuan vëllezërit e tyre në anë ekonomike e morale. Ata, për të kërkuar ndihma, iu drejtuan dhe kolonisë shqiptare të Bukureshtit e në përgjithësi shqiptarëve të Rumanisë. Në këtë kohë të trazuar, Tashkoja ve kurorë me zonjushën e nderuar Aleksandra Petro Ilo, e rritur në daja i saj, patrioti Dhimitër Mole. Aleksandra, ose Sanda e Tashkos siç njihej vite më vonë në Korçë, ishte një intelektuale që zotëronte 6 gjuhë të huaja e që gjithë jetën e saj iu përkushtua organizimit të shoqërive që i shërbenin emancipimit të gruas shqiptare. Ajo ishte nga të parat nxënëse të shkollës shqipe të vashave në Korçë dhe veprimtare e shoqërive patriotike në Rumani.
Në janar 1916 Tashkoja ka qënë nga themeluesit e shoqërisë muzikore e letrare “Lyra”, e përbërë nga shqiptarët e kolonisë së Bukureshtit. Në statutin e kësaj shoqërie lexohet emri i tij si kontrollor i kësaj shoqërie (AQSH. “Statut al Societatei Muzica Literara ‘Lyra’”, fondi 99, dosja 112, faqe 8.)
Tashko Ilo në çdo moment të vështirë ka qënë pranë popullit të tij dhe ka mbrojtur me forcë interesat e kombit. Synimet shoviniste të shteteve fqinje, për copëtimin e vendit, ai i luftoi me po atë zjarr si dhe pushtuesit otomanë dikur. Ai luftoi energjikisht vendimet e padrejta të Konferencës së Paqes së Parisit në vitet 1919-1920, e cila rishkelte paturpësisht interesat e popullit tonë.
Edhe më pas Tashko Ilo nuk e ndërpreu aspak veprimtarinë përparimtare e atdhetare duke mos lënë pas dore punën si tregëtar.
Në gazetën “Koha”, datë 9 korrik 1921, lexojmë: “Arritën në Korçë nga Rumania me anë të Sërbisë z.Tashko Ilo me zonjën e tij.” Pas këtij viti ata vendosen përfundimisht në Korçë.
Nga viti 1921 Ilo ishte anëtar i shoqërisë “Vatra e Shqipërisë” në Korçë dhe si i tillë ka marrë diplomë ndihme në shenjë mirënjohje ndaj ndihmave të tij monetare kundrejt kësaj shoqërie. Gjithashtu shënohet si inisiator i shoqërisë anonime “Maliq”, shoqëri kjo që ka zhvilluar veprimtari patriotike. Anëtarët e saj u interesuan për ngritjen e nivelit të jetës kulturore dhe arsimore, etj.
Në vitet 1935-1936, me bashkëshorten, ndërmerr për here të fundit një udhëtim në Greqi, Rumani, Turqi e Jugosllavi ku takon dhe njëherë bashkatdhetarët, shokët e miqtë e tij, duke u lënë, si gjithmonë, porositë e një patrioti të shquar.
Më 1939, prefekti i Korçës, Agathokli Xhitom e fton patriotin Tashko Ilo të kontribuojë në mensën e nxënësve të varfër, kërkesë e cila mirëpritet nga Tashkoja dhe që sot dokumentohet në dosjen e materialeve të tij.
“Nga dëshira e madhe e Tashkos – tregon bashkëshortja e tij, Sanda – ne shkuam edhe në Vjenë, ku pamë armët e trimit tonë kombëtar, Skënderbeut.”
Pas vitit 1944, çifti Ilo nuk u vështrua me sy të mirë nga pushteti popullor, sepse ata admironin vendosjen e monarkisë në Shqipëri. Atyre iu shtetëzua shtëpia dhe Tashko e Aleksandra Ilo u strehuan mbi 15 vjet në familjen Kotherja.
Tashko Anastas Ilo, veterani i shquar i lëvizjes për çlirim kombëtar dhe ai që solli për herë të parë partiturën e himnit në Shqipëri, vdiq në gjendje të vajtueshme shëndetësore e mendore në vjeshtën e vitit 1964, aspak i respektuar nga regjimi i kohës, duke mbijetuar në harresën e madhe dhe indiferentizmin dashakeq, duke mos përfituar as titullin e veteranit të lëvizjes kombëtare dhe asnjë shënim që të flasë për veprimtarinë e tij patriotike.
Bashkëshortja e tij Sanda, vdiq në shtëpinë e ish-shtetëzuar më 17 dhjetor 1984, shtëpi kjo që është lënë me testament për zhvillimin e qytetit të Korçës dhe emancipimin e gruas. Sot shtëpia është pronë e Bashkisë së Korçës. Shtëpia e ndërtuar në vitin 1928, ka dy fasada: pjesën qytetare dhe atë fshatare. Kjo godinë që ndodhet më poshtë se shtëpia e patriotit Themistokli Gërmenji dhe që ka zbukuruar aq shumë kartolina e fotografi, me krenari mban mbi portën e saj pllakën me gërmat “T. T. I. 1928” që do të thotë “Tashko Tasi Ilo 1928”.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com