Gjykata e Posaçme ka vendosur të dënojë 3 të pandehurit Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja, të cilët akuzoheshin se gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, premtuan, ofruan dhe u dhanë para zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votave për Partinë Socialiste.
Gersi Kaçorri u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe u dënua me 1 vit burg, por dënimi u ul në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Vendimi i dënimit me burg u pezullua dhe Kaçorri u vendos në shërbim prove për 1 vit e 6 muaj.
Ndërkohë 2 të pandehurit e tjerë, Besnik Uka dhe Artur Jahja u shpallën fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe u dënuan me nga një vit burg. Dënimi u ul në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, por edhe për ta u vendos pëzullimi i dënimit me burg. Dënimi për këta dy të pandehur u konvertua në shërbim prove për 1 vit e 6 muaj.
Po ashtu GJKKO bën të ditur se shpenzimet proceduriale, të kryera gjatë hetimit paraprak si dhe ato të gjykimit, u ngarkohen të pandehurve.
Njoftimi i GJKKO:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 55 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Rudina Palloj, me vendimin nr. 8, datë 05.02.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gersi Kaçorri, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Gersi Kaçorri, i ulet 1/3 e dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Gersi Kaçorri, për një afat prove prej 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale.
-Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besnik Uka, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1(një) vit burgim.
-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besnik Uka, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Besnik Uka, për një afat prove prej 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale.
-Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Jahja, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1(një) vit burgim.
-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Jahja, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
-Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Artur Jahja, për një afat prove prej 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj gjatë së cilës i pandehuri duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
-Bazuar në nenin 60 paragrafi i parë pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet i pandehuri që brenda periudhës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar për vepra penale.
-Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurit me shërbimin e provës.
4. Në lidhje me provat materiale të bashkuara me fashikullin e gjykimit sipas procesverbalit datë 06.11.2025, gjykata disponon si më poshtë: Aparat telefonik i markës “Samsung Galaxy A12”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, të sekuestruar të pandehurit Besnik Uka; aparat telefonik i markës “iPhone XR”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, sekuestruar të pandehurit Gersi Kaçorri, dhe aparat telefonik i markës “Samsung Galaxy A04S”, me numër imei 1: **** dhe imei 2: **** dhe karta sim e kompanisë ONE me numër serial ****, sekuestruar të pandehurit Artur Jahja, të konfiskohen.
5. Shpenzimet proceduriale, të kryera gjatë hetimit paraprak si dhe ato të gjykimit, sipas procesverbalit të shpenzimeve bashkëngjitur këtij vendimi, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim, brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 05.02.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Komente












