Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 18.3 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, ose -5.9 për qind më pak se periudha e një viti më parë dhe me realizim të planit për vitin 2014 në masën 98.23 për qind.

Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave, ecuria e mirë e kësaj takse bazohet në faktin se në këtë zë përfshihen disa taksa, ku më e rëndësishmja dhe më me peshë në totalin e kësaj takse është tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi. Nga 1 janar 2014, tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi u ul për rreth 97 % të totalit të të punësurave në të gjithë vendin, politikë kjo e cila solli një kosto negative në të ardhurat nga kjo taksë, të vlerësuara me minus 1.5 miliardë lekë (tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi).

Përgjatë 8 muajve të parë të vitit 2014 vërehet se pavarësisht nga negativiteti në të ardhura të kësaj takse, në sajë të mirëadministrimit tatimor, të gjithë zërat e tjerë të tatimit mbi të ardhurat personale kanë pasur një trend rritës në krahasim me 8-mujorin 2013, të tilla si, tatimi mbi dividentin dhe aksionet është rritur me 20 %; të ardhurat nga tatimet në burim janë rritur me 14%; të ardhurat nga shitja e pasurisë së paluajtshme janë rritur me 74 %, ndërsa tatimi mbi interesat është ulur me rreth 17 % në krahasim me të dhënat e vitit të kaluar, si rezultat kjo edhe i rënies së normave të interesit./ATSH/