Qindra ish të burgosur politikë që kanë vuajtur dënimin në Spaç, Qafë Bari, a kampe të tjera me punë të detyruar në miniera gjatë kohës së komunizmit, prej shumë kohësh po përballen me një padrejtësi të re. Ata nuk mund të përfitojnë pensionin e minatorit, edhe pse gjithë jetën e tyre kanë punuar me detyrim nga regjimi komunist në miniera.   

Fadil Daja, Ali Leka dhe Kujtim Kaziu, kanë nisur një betejë të re. Çdo ditë rendin zyrave të administratës shqiptare për të bindur burokratët se ata e meritojnë të trajtohen si gjithë ish punonjësit e tjerë të nëntokës me pension minatori. Gjatë viteve të regjimit komunist ata kanë kaluar me qindra herë bri dyerve të ferrit dhe më e pakta që duhet t’u ofrojë sot shteti shqiptar është trajtimi i tyre i barabartë me ish punonjësit e lirë të nëntokës. Por ligjit aktual për pensionet e minatorëve nuk ua njeh këtë të drejtë.

Sipas ligjit në fuqi të vitit 2014, ai nuk e përfshin kategorinë e ish të burgosurve, që kanë punuar në minierë në kohën e regjimit komunist. Ligji përfshin vetëm punonjësit e lirë. Kjo ka qenë edhe përgjigjia zyrtare që kanë marrë ish të dënuarit politikë që kanë punuar nëpër miniera në kohën e regjimit komunist nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në përgjigjen ndaj Fadil Dajës Drejtoria Rajonale ISSH për Tiranë i është përgjigjur se: “Periudha si i përndjekur politik nuk njihet si periudhë pune nëntokë, për efekt përfitimi sipas ligjit Nr. 150/2014, datë 06.11.2014.

Një ditë e ish të burgosurve në Spaç
Në Spaç, Qaf Bari, a gjetkë, ku mijëra të burgosurit politik u shrytëzuan për punë rraskapitëse në miniera, nga regjimi komunist për dhjetra e dhjetra vite, jeta ishte një ferr i vërtetë.

Të burgosurit zgjoheshin nga çanga në orën 5 të mëngjesit. Bëheshin gati për rreshtore, pastaj hanin një mëngjes të varfër: bukë dhe fasule ku më shumë kishte ujë. Në orën 7 të shoqëruar me policë dhe me qen, në kushte të rrepta sigurie të burgosurit shoqëroheshin drejt galerive të minierës afro 30 minuta në këmbë nga kampi. Brenda në minierë kushte e punës ishin të tmerrshme. Askush nuk shqetësohej për sigurimin teknik. Nëse ndodhnin aksidente dhe dikush vdiste, për regjimin ishte thejsht një “armik” më pak.

Të burgosurit punonin nga mëngjesi deri vonë pasdite. Të gjithë duhet të plotësonin normën dhe norma ishte e paimagjinueshme. Me krahët e tij çdo i burgosur duhet të ngarkonte çdo ditë 8 ton mineral. Kjo ishte norma ditore: katër vagona mineral në ditë, ku çdo vagon kishte brenda 2 ton mineral. E ngarkuar me krahë. Mendoni ushqimin e mëngjesit: 400 gram bukë dhe pak fasule.

Mendoni edhe temperaturat e tmerrshme që përjetonin në zemër të dimrit: deri në 60 gradë celsius brenda në galeri e kur dilnin mbi tokë deri në -20 gradë celsius.

Djemtë e rinj e të fuqishëm falënderonin zotin për fizikun e tyre dhe që arrinin ta plotësonin normën. Të tjerët që nuk arrinin normën, kur dilnin nga galeritë e nëntokës, atje mbi tokë, në kamp, i priste biruca. Një tjetër ferr. Si ndëshkim për normën e parealizuar i burgosuri futej në qeli, këmbëzbathur në mes të dimrit në çimento. 30 ditë me rradhë i mbyllur, në të ftohtë. Vetëm një batanije i ofrohej të burgosurit në izolim. Ia jepnin batanijen në 12 të natës dhe ja merrnin në 5 të mëngjesit. Kështu deri sa të thyhej e të mos guxonte më ta linte normën pa plotësuar. “O planin o xhanin” i kërcënonin policët...

Revolta e Fadilit, Aliut dhe Kujtimit
I takojmë të tre pas një takimi që kanë pasur në Ministrinë e Drejtësisë. E gjithë kjo panoramë e rrëfyer nga tre ish të burgosurit politik të regjimit komunist, do të mjaftonte për të ndërgjegjësuar cilindo pushtetar për ti dëgjuar e për tu dhënë të drejtën që u takon. Por burokracitë që i kanë penguar që prej 2014 ende janë si barrierë para tyre.

“Në dhjetor të 2014-ës, kur ministër i Përkrahjes Sociale, ishte Erion Veliaj u bë një draft i ligjit për pensionin e minatorit. Sipas këtij ligji të gjithë ata persona që mbushin moshën 55 vjeç, dhe kanë punuar 11 vjet e 6 muaj nën tokë, dhe 30 vjet punë gjithsej, përfitojnë pensionin e minatorit. Por ai ligj nuk e përfshin kategorinë e ish të burgosurve, që kanë punuar në minierë në kohën e regjimit komunist. Ligji përfshin vetëm punonjësit e lirë”, thotë Fadil Daja, i cili ka kaluar 15 vjet burgim dhe punë të detyruar në minierë.  

“Ne kërkojmë nga shteti dhe nga kryeministri që në këtë draft të përfshihet edhe kategoria e të përndjekurve politikë. Kemi 4 vjet që po na sorollatin. Drejtori i Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado na thotë që duhet një VKM e qeverisë që ata të na fusin automatikisht te kategoria e minatorëve siç e thotë ligji i 2014-ës”, thotë Fadil Daja.

Ai thotë se edhe pse kanë punuar gjithë ato vite në miniera, nuk gjejnë dot dokumente për të vërtetuar se kur ishin të burgosur ata punonin në minierë. “Kemi kërkuar në të gjitha arkivat, në atë të Ministrisë së Brendshme, të Drejtësisë dhe në Arkivin e Burgjeve dhe nuk ekziston asnjë dokument që zoti Fadil Daja ka punuar në minierë kur qenë në burgun e Spaçit. Janë eliminuar në vitin 1992, në kohën e Berishës, vetëm dokumentet e të përndjekurve politikë. Kontaktuam me ish-Kryetarin e SHISH-it, Fatos Klosin dhe ai na ka thënë shprehimisht: “Zotëri, dosjet e të përndjekurve politikë për agjitacion e propagandë dhe tradhti ndaj atdheut janë asgjësuar.

“Deklarata Universale për të drejtat e Njeriut e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e vitit 1948, ia ndalonte shtetit shqiptar shfrytëzimin për punë të të burgosurve. 

“Për këtë arsye shteti e asgjësoi gjithë këtë dokumentacion, duke i paraprirë rrezikut  të mijëra gjyqeve ndërkombëtare që mund të hapnim të gjithë ne ish të burgosurit” thotë Fadil Daja.

Por edhe dy bashkëvuajtësit e tij Kujtim kaziu i cili ka vuajtur burgun e spaçit nga 1980-1990 dhe Ali Leka, i cili  ka punuar në minierë plot 19 vjet, 9 vjet gjatë kohës së burgimit dhe 10 vjet të tjera pasi ishte i lirë, thonë se është absurde ta përjashtosh nga ligji i pensionit të minatorit këtë kategori të përvuajtur gjatë gjithë viteve të regjimit komunist.

Ali Leka, thotë se “nga Sigurimet Shoqërorë  ish të përndjekurve politikë u kërkohet një dokument i Drejtorisë së Burgjeve ose Ministrisë së Drejtësisë që gjatë vuajtjes së dënimit kemi punuar minatorë. Dokumentet nuk janë sepse janë asgjësuar  masivisht”.
 

Ali Leka: Jetuam ferrin në minierat burg, të na japin pensionin
Si ishte një ditë pune e juaja në Spaç?
Puna jonë në Spaç ka qenë: çoheshim në orën 5, hanim mëngjesin fasule dhe 400 gramë bukë. Shkonim në punë në orën 7 të shoqëruar me policë dhe me një qen. Nga kampi deri në minierë ishte rreth gjysmë ore rrugë. Punonim 8 orë. Norma ishte 4 vagonë, 1 vagon ishte 2 tonë mineral, d.m.th. 8 tonë mineral në ditë për person. Ngarkonim me krahë.

A ndodhte që ju lodheshit dhe s’mund ta bënit normën?
Ndodhte që kishte ditë që s’punonim dhe na fusnin në birucë. Biruca ishte me çimento, zbathur, na jepnin një batanije në orën 12 të natës dhe na e merrnin në orën 5 të mëngjesit. Gjithë ditën e kalonim në birucë, me përmasa 1 x 1, në çimento. Edhe në dimër zbathur në çimento.

Sa ditë ju mbanin në birucë?
30 ditë. Për shkelje të rregullave, në qoftë se nuk realizonim normën. Na vinte polici e na thoshte: “O planin, o xhanin”, d.m.th. shpirtin. Disave që kundërshtonin, i lidhnin në birucë në temperaturën -30oC, i lidhnin me tela me gjemba, që unë, edhe sot pas 30 e ca viteve shoh në ëndërr akoma sikur vjen polici për të më lidhur. Tmerr. Nuk ka më makabër. Unë kam bërë burg edhe në Jugosllavi, 3 muaj kur u arratisa. Por këtë s’e ka bërë as gjermani, këtë që na ka bërë neve Partia e Punës. Dhe tani unë mos të marr një pension që më takon me ligj sipas dokumenteve?

Çfarë ju thanë te Ministria e Drejtësisë?
Na thanë që sot po e merrnin vesh çështjen tonë. Por me sa na duket neve, kjo është lojë me top me pasa. Unë i bëj thirrje Kryeministrit Edi Rama që është një drejtor i Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, dhe ai duhet ta heqë automatikisht për arsyen se ai e ka luajtur gjithë këtë film. Kemi 4 vjet që merremi me këtë. Na gënjen. Sot dolën broçkulla të tjera te Ministria e Drejtësisë.

Sigurimet Shoqërore dhe Ministria e Mirëqenies Sociale mbajnë dokumentet dhe nuk ia çojnë Ministrisë së Drejtësisë për miratim, qoftë negativisht qoftë pozitivisht. Ne këtë kërkojmë. I bëjmë thirrje Kryeministrit që ta thërrasë e ta heqë atë drejtor, mos të luajë me të përndjekurit politikë. Ne e kërkojmë pensionin jo se duam neve, por se na takon sipas hapësirave ligjore që ka statusi i minatorit, meqë kemi punuar. Jo të gjithë mund ta përfitojnë këtë, por ata persona që i plotësojnë kriteret, të dalin në pension.

Ky është realiteti. Për sa ju deklarova mbaj përgjegjësi ligjore dhe penale. Përgjigjem para ligjit. Kaq kam.

d.b/shqiptarja.com