Në vitin 2023 Kolegji Zgjedhor rrëzoi zgjedhjet e 14 majit në Rrogozhinë për shkak se aso kohe Edison Memolla i PS-së fitoi bashkinë me votat e burgut, ndërsa shumica e të dënuarve apo të paraburgosurve nuk ishin nga Rrogozhina.

Kolegji tha se vendqëndrimi, siç mund të cilësohet qenia në burg, nuk mund të konsiderohej vendbanim, i cili është kusht për të drejtën e votës në zgjedhjet vendore, edhe sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2007. Kushtetuesja thoshte në atë kohë se për zgjedhjeve vendore kusht është vendbanimi, i cili konsiderohej vendi ku shtetasi për shkak të punës, shërbimit të përhershëm , ndodhjes së pasurisë dhe interesave të veta qëndron në të shumtën e kohës. Në këtë kuptim, burgu ishte vendqëndrim.

Por një ndryshim i ligjit “Për gjendjen Civile” në vitin 2024, e përcaktonte qartë ne nenin 18 të tij se për personat që ndodhen në burgje apo spitale për një kohë të gjatë vendbanim për qëllime zgjedhor është ai institucion.

Nisur nga këto zhvillime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është përgatitur një projektvendim që përcakton rregullat se si do të votojnë të burgosurit në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Një draft i mbërritur për konsultim tek partitë politike, të cilin Report TV e ka siguruar, sanksionon të drejtën e të burgosurve që të votojnë për Kryetarin e Bashkisë ku ndodhet institucioni, ku ata vuajnë dënimin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i referohet ndryshimit ligjor të 2024-s por edhe vendimit të Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës Administrative, të cilat në plan kanë përplasje me njëra-tjetrën. Por duket sikur kjo çështje do të hapë një debat më shumë juridik sesa politik.

Tanimë është në dorën e partive politike nëse do ta japin dakordësinë për projektvendimin apo do të përplasen sërish në organet e drejtësisë. Ankimuesja e zgjedhjeve të Rrogozhinës në 2023-shin, Partia Demokratike ishte kundër votimit të të burgosurve për pushtetin lokal.

KQZ në projektvendim thotë se ka vendosur kushte të forta për hartimin e listës së zgjedhësve të qendrave të votimit në burgje, duke bashkërenduar 3 institucione, Bashkinë, Drejtorinë e Gjendjes Civile dhe IEVP-në. Lista nuk mund të konfirmohet më vonë se 40 ditë para zgjedhjeve, duke shmangur debatet në lidhje transferimet e fundit.

Kliko këtu për të lexuar relacionin e plotë

Kliko këtu për të lexuar vendimin e plotë