Ata ngjajnë me njëri-tjetrin. Që para se të niste Vettingu i kisha pikasur disa syresh. Për shembull në pamjet e ofruara në media nga Konferencat gjyqësore ku kolegët gazetarë e kameramanë habiteshin me objektet e shtrenjta që mbanin në veshje e nëpër duar. Shumë nga këta njerëz të Drejtësisë kishin një pamje të deformuar, nga këndvështrimi im, asgjë gjenetike, asgjë nga ushqimi, asgjë nga ndonjë sëmundje. Deformimi i tyre i përgjithshëm, mendoj, se vinte nga përpjekjet e shumta për të fshehur, transformuar, devijuar pasuri të pafundme të grumbulluar nga procese gjyqësore të manipuluara.

E duhet të jetë një hall i madh i disa shqiptarëve post tranzicion ky: Ku të fshehim thasët ma para? Mirë një shtëpi, mirë dy, mirë dhurata nga vjehrri, vjehrra, kunati, kunata (më të pasurit u kanë qëlluar njerëzve të drejtësisë), po nuk mjaftojnë. E këtu nis sikleti që mbahet në shpirt. E nis të deformohet një buzë, pastaj një dorë, e pastaj këmbët, e pastaj fytyra. Ndaj ato ora e bizhuteri të shtrenjta, ato çanta e kostume firmato, ato taka 13 në konferenca profesionale, dukeshin si të varura në më të shëmtuarat pemë të shtrembëruara nga presione të tmerrshme atmosferike.

Njerëzit e korruptuar të drejtësisë ngjajnë me njëri-tjetrin. Duket shumë qartë në pamjet e tyre, barra e jashtëzakonshme e padrejtësive që kanë firmosur me koshiencë në kurriz të njerëzve që nuk i kanë paguar.

Ka një metamorfozë, një ndryshim i dukshëm viziv te njerëzit e korruptuar të drejtësisë. Disa prej tyre, që pa u ulur në skanerin e Vettingut, seç “bërtisnin” me pamjen: Kemi bërë shumë, shumë padrejtësi. E kemi të shkruar në ekzistencën tonë, aspak harmonike.