Zbardhet rendi i ditës së Asamblesë së PS e cila do të mblidhet ditën e enjte. Takimi pritet të nisë me fjalën e kryeministrit Edi Rama, për t’u pasuar më pas me zgjedhjen e kryesisë së re, drejtuesve politikë në qarqe dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë.

Mbledhja e Asamblesë do të nisë të enjten në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve. Ndërkohë pritet që  Rama të konfirmojë edhe emrat e kabinetit qeveritar të mandatit të tretë. Deri tani ai ka konfirmuar se pjesë e kabinetit do të jetë Elisa Spiropali, ndërsa ka thënë Ministria e Turizmit dhe ajo e Arsimit, nuk kanë plotëuar pritshmëritë duke vënë në pikëpyetje fatin e ministrave përkatës në qeveri. Për shkak të rezultateve të  mira elektorale, pritet të rikonfirmohen ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku. Rama në takimin me deputetët e rinj dhe të vjetër  rikonfirmoi si kryetar të grupit të PS edhe Taulant Ballën.

Rendi i ditës:

Mbështetur në Statutin e Partisë dhe në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Neni 4, Sekretari i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me këtë rend dite:

I. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës.

II. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi RAMA.

III. Zgjedhja e Kryesisë së re, drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë.