Më pak se 48 orë na ndajnë nga seanca e Kuvendit kur do të hidhen në votim propozime i mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën për zgjatjen e afateve të vettingut, SHBA dhe BE përmes një deklarate të përbashkët i bëjnë thirrje deputetëve që të votojnë të gjithëpro këtyre ndryshimeve.
Delegacioni i BE në Shqipëri e ambasada e SHBA nënvizojnë se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe edhe falë saj vendi ka bërë shumë përparim.
“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate”, thuhet në deklaratë.
Sipas përfaqësive diplomatike më të rëndëishme në Tiranë vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi dhe për t'u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për nje periudhë të kufizuar.
"Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike. Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake- ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, thuhet në deklaratën e SHBA dhe BE.
Ishte seanca e kaluar e Kuvendit më 3 shkurt e cila vendosi që ndryshimet Kushtetuese për zgjatjen e afateve të vetingut të votohen në seancën plenare të 10 shkurtit. Kjo u kërkua nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant balla, ndërsa u miratua në Kuvend. Ishte kreu i grupit të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se i gjithë procesi i zhvilluar deri më tani është bërë në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca. Sipas tij, ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të jenë sa më të pakta dhe të harmonizuara mes palëve. Opozita asnjëherë nuk e ka bërë një deklaratë në qartë për votën e saj për këto ndryshime kushtetuese.
Kujtojmë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka ushtruar presion që zgjatja e afateve të vettingut të votohet. Të njëjtin mesazh dha sot paradite edhe ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.
Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt.
Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se mirë do të ishte zgjatja e mandatit pasi kur proces i filluar nga ky komision pra vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të mbyllet nga ky komision.
Ambasada Britanike ka inkurajuar Kuvendin që të votojë zgjatjen e afateve të vetingut. Ambasadori Alastair King-Smith shkruan se procesi i rivlerësimit i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë pasi vetëm në këtë mënyrë do të rritet besimi te drejtësia.
"Zbatimi i reformës në drejtësi është thelbësor për një sistem drejtësie të pavarur dhe efikas si dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ne inkurajojmë Kuvendin e Shqipërisë të mbështesë zgjatjen e propozuar të vetingut. Procesi i rivlerësimit i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Kjo do të ndikojë në konsolidimin e mëtejshëm të reformës dhe në përgjithësi në rritjen e besimit në sistemin e drejtësisë", shkruan Ambasada Britanike.
Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i ka bërë thirrje opozitës që të votojë pro ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e afateve të vettingut në seancën parlamentare të ditës së enjte. Teksa thekson votën pro të mazhorancës, Spiropali i kërkon çdo deputeti në Kuvend që të votojë pro saj pasi Reforma në drejtësi është pa kthim.
"Në seancën plenare të së enjtes votojmë zgjatjen e afatit të organeve të vetingut deri më 31 dhjetor 2024. Ky ndryshim në Kushtetutë garanton përfundimin e procesit të vetingut të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike të procesit. Reforma në drejtësi është pa kthim. Shumica do i votojë ndryshimet. Siç theksojnë partnerët tanë, kjo nuk është çështje partiake, por një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën evropiane të Shqipërisë. I bëjmë thirrje çdo deputeti të votojë pro", shkruan Spiropali.
Këta që përulen, tunden e shkunden për reformën. I vetmi vend në botë me këtë lloj reforme. Çdo gjë me listë. Po nuk je i partisë je i ikur. I mbushën gjykatat me juristët e studiove ligjore të deputetëve të PS-së. Në Rumani dështoi reforma e u kthyen të gjithë të larguarit. Në Maqedoni ishte vetë BE që tha mos e bëni. Në Kosovë vet Ministrja e Dtejtësisë tha nuk e bëjmë. Në Serbi nuk do bëhet. Në Poloni është GJEDNJ që pezulloi procesin. U katandis reforma me mungesa likujditetesh 2-5 milion lekë të vjetra. Turp.
PërgjigjuPikërisht! Populli nuk e kupton këtë, i duket që meqë po shkarkohen shumë do jetë më mirë. Shqipëria është i vetmi vend me këtë lloj reforme (eksperiment) dhe asnjë vend tjetër nuk ka për ta bërë. Zgjatja e mandatit të komisionit është thjesht jo - kushtetuese, dhe sigurisht, ka një arsye pse nuk është e lejuar nga kushtetuta. Po kush pyet për kushtetutë te ne, është bërë leckë…