Të krijohet banka shtetërore për investimet që të administrojë fondet

Të krijohet banka shtetërore për investimet që të administrojë fondet

Mbi ndihmën...për njerëzit dhe sipërmarrjen
(si vijim i post-it të datës 27 prill)

Ndihmat.... ashtu dhe mbështetja ekonomike për njerëzit dhe biznesin nuk janë as bamirësi e as lëmosh për ta por një detyrë për shtetin d.m.th. qeveritarët që e hartojnë dhe e jetërsojnë. Në këtë fushë mbetet jo vetëm si slogan shëndeti së pari d.m.th. siguria në punë, pastaj ekonomia, sepse lidhen me njëra tjetrën. Por për të folur për gjendjen e ekonomisë shqiptare në këto muaj të pandemisë është e vështirë për shkak të mungesës së transparencës nga ana e qeverisë ashtu dhe masave të pakta mbështetëse që zbatohen. Ndihet qartë se qeveria mendon të harxhoj sa më pak e biznesi që ka ndërprerë punën si dhe punonjësit e familjet e tyre të jetojnë si pas parullës së vjetër “me forcat e juaja” e duke shpresuar që nuk do vij puna te bari.

Shkruajtëm për masat që duheshin e duhen marre për të përballuar sulmin e pabesë të coronavirusit, për të zvogëluar dëmet e epidemisë në njerëz e ato të ekonomisë. Ndërsa lock down-i, pak a shumë i rreptë, edhe dha rezultate në mospërhapjen e sëmundjes e për pasojë kufizoi dëmet, të njëjtën nuk mund ta themi për masat mbrojtëse: mungojnë maskat e mjetet e tjera mbrojtëse, nuk kryhen kontrollet e duhura e testimet me tamponë e për antitrupat në atë masë që rekomandohet e duhet, dhe tashti me hapjen, duhet matja e temperaturës me termo scaner, që të lejohesh të fillosh punën. Tashti që jemi në atë që quhet Faza 2, d.m.th. hapja e shumicës së veprimtarive ekonomike dhe lehtësimi i lëvizjes së njerëzve bëhet të domosdoshme dhe urgjente respektimi tërësor i këtyre rregullave. Kjo do të thotë sipas meje, marrjen e nismës nga ana e qeverisë për të kërkuar ndihma urgjente nga Italia e Gjermania, si dhe blerjen sa më parë të sasisë së nevojshme te mjeteve te detyrueshme mbrojtëse, sot për sot, ashtu dhe për muajt e ardhshëm. Mos kryerja e këtyre veprimeve na rrezikon.
Post Scriptum.
USA-Presidenti urdhëron që çdo muaj të testohet 2,6% e popullsisë.
Itali- Dje u firmos një Kontratë për prodhimin nga 5 fabrika italiane 660 milion maska mbrojtëse me çmimin 0,35 € copa.
Gjermani - Ju bëhet thirrje qytetarëve të jene te durueshëm e të respektojnë me rreptësi distancimin dhe masat mbrojtëse, sepse RO nga 0,7 ka shkuar në 0.96.
Francë – Kryeministri kërkon respektim të rreptë të masave mbrojtëse dhe deklaron se do të merren 100.000 tamponë në ditë.
***
Në ditët e fundi të muajit shkurt e fillim të marsit për vendet mike u bë e qartë se pandemia ishte e pranishme dhe po merrte jetë njerëzish dhe po cenonte veprimtarinë ekonomike. Me kufizimet drastike të lëvizjes dhe mbylljen e detyrueshme të shumicës së bizneseve te cilat me grumbullimin e njerëzve rrezikonin përhapjen e epidemisë, u kuptua nga qeveritë përkatëse se duheshin ndihma për ata që humbnin punën, por edhe për bizneset që nuk do të mund të mbijetonin, përderisa ndërprenë prodhimin e nuk shlyenin detyrimet. Duhej pra ndërhyrje energjike e shtetit për të mënjanuar katastrofën humane dhe atë ekonomike, një krizë që të kujtonte atë të viteve ’30 të shekullit të kaluar.

Shumica e qeverive, edhe nën presionin e individëve, sindikatave, biznesit e shoqatave të tyre, filluan të mendojnë për masat që duhet të merrnin për të shmangur një katastrofë humane e ekonomike. Ato menjëherë aktivizuan mekanizmat e mbrojtjes sociale të punonjësve si asistenca nga ndërprerja e punës për faktin se, punonjësve ju ndalohej të vazhdonin punën dhe nuk ju ishte ndërprerë kontrata e punës. Në Francë e Gjermani ky trajtim quhej “papunësi e pjesshme” që ju jepte njerëzve rreth 70 deri 80% të pagës, ndërsa në rastin e prishjes së kontratës vepronte asistenca e papunësisë.

Franca e mori përsipër këtë detyrim e jo vetëm kaq por, me një pakete prej 45 Mld. € për uljen e kontributeve për sigurimet e punonjësve, shtyrje të detyrimeve, për krijimin e një fondi solidariteti, për artizanët e tregtarët dhe garanci shtetërore për papunësinë dhe uljen e orarit të punës. Ndërsa 300 Mld.€.do të përdoren nga Bpifrance, banka shtetërore për investimet publike do të mbështesë linja kredie 12-18 muaj dhe për financimet zhvillimore 3-7 vite. Po ashtu do ketë mbulime 80-90% të garancive për eksportet, sepse kanë mungesë likuiditeti.
Gjermania ka dhënë nëpërmjet KfW ndihma për kompanitë e mëdha 600 Mld.€.; 50 Mld.€ për punonjësit autonom, profesionistët e lirë, bujqit dhe ndërmarrjet e vogla, krahas rimbursimeve të kontributeve. Po ashtu dhe garanci për eksport-importet.

Holanda ka venë në dispozicion 10 Mld.€ për 90% të pagës të punonjësve në ndërmarrjet që do kenë një zvogëlim të faturimit me më shumë se 20%; shtyrje të pagimit të detyrimeve fiskale me vlerë 150 M.€ për thesarin, por një përfitim për sipërmarrjen 26 Mld. €. Gjithashtu ka dhënë garanci për 75% të kredisë për SME, me një garanci që mbulon 90% të saj. Punonjësit autonom mund të marrin një mbështetje - grante- për 3 muaj që shkon për shtetin në 1,5-2 Mld.€, ndërsa ata që duhet të mbyllin aktivitetin e tyre për shkak të krizës së pandemisë shteti ka vën në dispozicion 465 M.€. Po kështu do ketë mbështetje si garanci për kreditë nën 3 vjet nga 80-90 % të vlerës; po ashtu dhe garanci për eksport import për sipërmarrjet që janë aktive në këtë fushë.
Anglia ka marr masa për pezullimin e detyrimeve fiskale për sipërmarrjet dhe punonjësit autonom si dhe ka krijuar një fond për gjendjen e emergjencës në dispozicion të qeverisjes vendore prej 500 M. £ për financimin e familjeve në gjendje të vështirë ekonomike. Rritet nga 3000 në 10000 £ cash në dorë subvencioni për sipërmarrjet e vogla tregtare e bujqësore. Qeveria gjithashtu merr përsipër të paguaj 80% të pagës për mbajtjen në punë të atyre punonjësve që duhen pushuar. Veç këtyre qeveria ka miratuar një paket fillimisht prej 330 Mld.£ për garanci 80% të kredive të SME-ve dhe për ndërmarrjet e mëdha për investime zhvillimore.

Italia ndërmori një serë masash mbështetëse për punonjësit dhe sipërmarrjen të cilat shkallë shkallë u rritën në vlera sipas nevojave dhe masave shtrënguese dhe ecurisë së epidemisë dhe parashikimeve pesimiste e optimiste për ecurinë në kohë të saj. Veç 25 Mld. € si financime fillestare, gjatë muajit Prill u shtuan dhe 55 Mld. € të tjera, sepse nuk mund të ketë hapje pa ndihmuar sipërmarrjen. Gjithashtu u rritën ndihmat për familjen me 24 Mld.€, krahas bonuseve, dhe deri në 30 shtator nuk do të ketë penalitete fiskale. Ndalohen për dy muaj pushimet e punonjësve dhe një bonus prej 800 € punonjësve autonom. Nuk është lënë jashtë vëmendjes paga e emergjencës për ata pa të ardhura 400 € për individët dhe 800 € kur janë familje.
***

Ne paraqitëm me ilustrime frymën dhe shpirtin e politikave ekonomike si për individët ashtu dhe për sipërmarrjen me synimin e përballimit të krizës së rëndë për njerëzit dhe familjet e tyre si dhe për sipërmarrjen. Këto ishin politikat e përballimit të fazës së parë - të pasojave të pa menduara të epidemisë, që i zuri këto vende të pa përgatitura; zgjerimit të tyre në fazën e dytë - ajo që po përgatit hapjen e punës dhe lëvizjeve, pas stabilizimit dhe fillimit të rënies së kurbës së infektimeve dhe vdekjeve, rezultat i mbylljes, gjurmimit të kontakteve dhe testimeve, dhe marrjes e respektimit të masave mbrojtëse. Kuptohet që do jenë rezultatet e kësaj faze të dytë, ende në zhvillim, në hapje me kujdes, me respektimin e protokolleve mbrojtëse e në përputhje dhe me ecurinë e epidemisë, të cilat do të përcaktojnë e mundësojnë fazën e tretë - asaj të investimeve zhvillimore që do të synojnë rimëkëmbjen ekonomike.
Qeveria duhet të veproj me urgjencë sigurimin e mjeteve mbrojtëse dhe të kryej testet në masën e duhur. Çdo qëndrim tjetër do të shkaktoj dëme të pariparueshme dhe një veprim i tillë nuk mund t’ju falet qeveritareve që nuk u treguan të përgjegjshëm, nuk dëgjuan ekspertët, duke mos vlerësuar situatën.

***

Me stabilizimin e epidemisë në nivele të pranueshme (RO <1), që nuk do të thotë se rreziku kaloj, lufta për mposhtjen e saj duhet të vazhdoj për të shmangur kthimin dhe valë të reja të saj gjatë vjeshtës e dimrit, sepse siç tha Dr. Fauci : “në se nuk do merren masat që lipsen kundër Covid 19 do të kemi vjeshtë të keqe e dimër të keq”.
Ndihmat dhe mbështetja e biznesit duhet të vazhdoj të jepet dhe në këtë fazë që jemi, në mënyrë që puna të mund të rifilloj edhe pse fillimisht, jo si më parë. Që të mund të jetë e suksesshme e të përmbyllet faza e dytë- hapja e rifillimi i punës në shumicën e sipërmarrjeve, është e domosdoshme që qeveria të jetë transparente për ndihmat e premtuara për tërmetin e 26 nëntorit dhe ato për pandeminë.
Së pari, duhet informacion i plotë për donacionet (kredi e grante), d.m.th. cilat premtime do realizohen, si për tërmetin ashtu dhe pandeminë, kur firmosen marrëveshjet dhe afatet e lëvrimit të tyre.
Së dyti, qeveria duhet të ndryshoj politikën e saj të mbështetjes ekonomike të atyre që ndodhen në vështirësi nga Covid 19, si dhe ndihmën për biznesin fillimisht për punonjësit dhe mbijetesën e biznesit dhe për këtë fazë që po fillon edhe për hapjen e biznesit sipas datave të menduara.
Së treti, duhen plane të qarta për zhvillimin ekonomik në fazën e tretë dhe mbështetja për bizneset që do funksionojnë sipas grafikut të hapjes.
Së katërti, janë investimet publike në infrastrukturën ekonomike dhe atë humane, dhe ndihma me kredi dhe grante, për investime ekonomike nga sipërmarrja private në dobi të punësimit, rritjes së prodhimit vendas dhe eksporteve.

Le të shpjegojmë konkretisht mendimet tona për këto katër veprime.
1. Saktësimin e vlerës së financimeve nga donatorët, e sidomos lëvrimi i tyre në kohë që në rastin e granteve dhe kredive në të dy rastet e përmendura më lartë do të jenë në monedhë të huaj, dhe janë një siguri për balancën e pagesave dhe importet. Duke ditur këto ndihma qeveria ka detyrimin të filloj dhe me mjetet që i jep buxheti i shtetit i rishikuar për këtë vit, si rindërtimin post tërmetit ashtu dhe sigurimin me urgjencë të mjeteve mbrojtëse, pajisjeve dhe medikamenteve të nevojshme, për luftën kundër pandemisë, mungesa e të cilave e vonimi në përdorimin e tyre nuk jep siguri për frenimin e epidemisë deri kur të kemi vaksinat.

Këtu duam të bëjmë një parantezë: nuk arrijmë të kuptojmë refuzimin pa shpjegime nga ana e qeverisë, për mosblerje nga stoku i banesave. Kjo besoj të jetë e mundur për Tiranën, Durrësin, Kavajën dhe Shijakun (në zonat e Astirit, Misto Mames, bregdetit, rrethinat e Durrësit e gjetkë, kudo ku ka me koston e përshtatshme). Kjo është një mundësi për të kursyer fonde dhe dhënie fund menjëherë vuajtjeve për një pjesë të familjeve pa shtëpi, dhe që nuk pengon punimet për banesa të reja e meremetimin e të dëmtuarave.

2. E kemi thënë dhe herë tjetër se qeveria ka detyrimin për të ndihmuar individët dhe bizneset që dëmtohen nga mbyllja me urdhër shteti e veprimtarive të ndryshme dhe kufizimi i lëvizjeve. Po kështu ajo duhet deri diku të siguroj e financojë masat mbrojtëse për ata që punojnë dhe ata që janë të detyruar për to, kur dalin jashtë banesave. Do të veçoja dy periudha muajt mars e prill dhe muajt e hapjes, ndër to maji për ato që do hapen, ndërsa për më tej pas vendimeve përkatëse dhe në çdo rast sipas masës së dëmeve që pësojnë punonjësit dhe biznesi.

Duke patur parasysh mënyrën sesi e trajtuan këtë periudhë vendet e tjera, konsideruar që një pjesë e madhe e shqiptarëve janë në varfëri dhe mbahen me pagën e muajit, ashtu si të tjerë nuk kanë as sigurinë e një page minimale e ndihme sociale të mjaftueshme e sidomos pensionet e ulta, të vetëpunësuarit madje dhe ata që nuk përfitojnë asnjërën nga këto, dhe dihet që janë në vështirësi, propozoj që të jepet ajo, që në Francë e Gjermani quhet, “pagesë papunësie e pjesëshme” (d.m.th. të shërbej si asistencë papunësie apo si Kemp) që të jetë nga 30000 L. për pagën minimale e deri 60000 për të tjerat (shifër kjo e fundit për tu diskutuar) llogaritur qysh nga muaji mars deri në rifillimin e rregullt e të lejuar të punës dhe pa mbajtur detyrimet për sigurimet sociale e shëndetësore, faljen e kamatave e detyrimeve të prapambetura prej vitesh nga individët ndaj shtetit, si dhe shtyrjen në kohë të detyrimeve fiskale e të tjera detyrime, subvencionimin e një pjese të qirave.

Një pjesë e këtyre detyrimeve mund të shtyhet në kohë dhe kjo zgjidhet me bonuse e grante atyre që janë në pamundësi e që dëmtohen. Ndihma duhet të konsideroj dhe të vetëpunësuarit ashtu dhe ata që përfshihen në ndihmën sociale dhe pensionet e ulta, madje dhe ata që nuk përfitojnë asnjërën nga këto dhe dihet që janë në vështirësi. E këto detyrime të merren përsipër nga shteti. Ndërsa biznesi duhet ndihmuar për të mos falimentuar duke marre përsipër shteti ti ndihmoj sipas rastit me grante e likuiditet, si dhe kredi për të pasur mundësi të rifillojnë punën apo për të vijuar eksportin apo dhe importin, kredi deri 2 vjeçare e të buta me garanci shtetërore, ndërsa për ecurinë e mëtejshme kredi zhvillimi me afate 5-7 vjet e më shumë sipas rastit, garanci për import-eksportet përndryshe biznesi nuk do mbijetoj, çka do jetë katastrofike dhe për punësimin dhe me pasoja afatgjatë për vendin dhe njerëzit.
Në rast se me masat që do merren do kufizohet e do stabilizohet pandemia të mendohet dhe për kushtet e hapjes së bareve, restoranteve, plazheve dhe të tjerave që duken të arsyeshme, në vartësi të territorit dhe në përputhje me rregullat që do vendosen për mbrojtjen nga infektimi.

Këto masa nuk do të kenë efekt, po qe se nuk do të shoqërohen me masat e rrepta për mbrojtjen gjatë punës e kudo, dhe kontrollet masive të përhapjes së virusit - infektimit dhe imunitetit, të domosdoshme për një politikë të kujdesshme, reale e të mundshme. Vlejnë këtu fjalët e KM të Francës Edouarde Philippe; “ ..me shumë vetëbesim e arrogancë, epidemia ringrihet; me shumë maturi e hezitime vendi rrëzohet”.

3. Deri sa themi që duhet të ketë plane e synime të qarta zhvillimore për vitet e ardhshme, ekonomia shqiptare duhet ti përshtatet kushteve të reja imediate e afatgjatë, shteti nuk mund të rrijë mënjanë nismave individuale të biznesit, por duhet dhe ti orientoj drejt fushave të prodhimit të qëndrueshëm si shfrytëzimi i pasurive kombëtare, eksporti i prodhimeve bujqësore që kanë treg në BE dhe rritja e prodhimit të atyre që importohen, industria agroalimentare, prodhimi i ujit të pijshëm, agroturizmi i cili duhet ndihmuar që ti mbijetoj mbylljes dhe kufizimit të lëvizjeve, pa harruar vështirësitë e turizmit që shpresojmë të jetë lokal fillimisht, duke respektuar masat mbrojtëse si për mjediset e mbyllura ashtu dhe për ato të hapura, dhe së pakut mbarëshqiptar gjatë muajve të beharit dhe këtu nuk mund të hesht për të kërkuar heqjen e menjëhershme të taksës së turpshme për shqiptarët e Kosovës.

Kur flasim për programe zhvillimore të ekonomisë shqiptare nuk duhet të lëmë mënjanë rishqyrtimin e koncesioneve dhe të ashtuquajturat PPP që nuk janë një partneritet real e i dobishëm për vendin e duhen korrigjuar sa më parë; dhe shumica dërmuese e shqiptarëve e kërkon këtë....me përjashtim të “profiterëve”. Koncesionari dhe PPP-isti duhen respektuar e ndihmuar për një investim zhvillimor (të dobishëm e të domosdoshëm) që vetë shteti për shumë kohë nuk do mund ta kryente, por ai(ata) marrin përsipër të ndërtojnë apo të shfrytëzojnë një pasuri kombëtare a të kryejnë një shërbim, për aq kohë sa të nxjerrin investimin (apo shërbimin) dhe fitimin e arsyeshëm e të pranuar nga shteti, duke shlyer dhe detyrimet ligjore të përvitshme, ndërsa shteti kryen mbikëqyrje për këtë veprimtari ekonomiko-financiare. Nuk e miratoj indiferencën e shtetit dhe forcave politike për këtë dëm që i shkaktohet vendit nën cilësimin si politika liberale në ekonomi.
4. E pranoj si të natyrshme pyetjen e kujtdo, që brenda caqeve të dialogut dashamirës dhe etikës, kërkon prej meje të informohet: “ku do të merren apo sigurohen fondet që ju propozoni ???” Për të përmbushur këto detyrime vendet e tjera po investojnë fonde jo të vogla e gjithnjë në rritje, duke rritur deficitin buxhetor, duke shkelur normat e rregullat e BE dhe janë mbi dyshifrore ndaj GDP. Kështu po vepron bota dhe duke deklaruar publikisht që do bëjnë gjithçka që lipset për të shpëtuar njerëzit dhe vendin nga një katastrofë shëndetësore e ekonomike, pra që njerëzit të mos vuajnë dhe sipërmarrja mos të falimentojë.

Shteti shqiptar ka në dispozicion çka ofron buxheti i shtetit i rishikuar e që do rishikohet prapë sipas nevojës e realizimit të të ardhurave (prandaj duhet rifilluar e mbështetur prodhimi sa më parë e rritur punësimi), janë ndihmat e BE dhe vendeve të tjera e institucioneve financiare që duhet ti dimë, përfshirë dhe ato që BE përmendi dje çdo ndihmë tjetër në fushën e shëndetësisë që do kërkojmë e besoj se nuk do na mohohet. Qeveria nëpërmjet rrugëve ligjore që parasheh Ligji mund të përdori, e sipas meje sa më parë, edhe rezervën e shtetit për nevojat e jashtëzakonshme: BOP-Balanci i Pagesave) e cila nga 4 muaj që është e detyrueshme, është për 7,6 muaj d.m.th. kemi së pakut 1,5 miliard € në dispozicion. Kjo shifër duhet të merret me Ligj të posaçëm nga Banka e Shqipërisë me Bono thesari 10-15- deri 20 vjeçare me një përqindje fare të ulët jo më shumë se 1% (Soros propozon 0,5%). Ndërsa biznesi mund të kërkonte kredi për projekte zhvillimore me interesa jo më shumë se 1-2% e afate deri 7 vjet, qoftë dhe me garanci shtetërore të pjesshme kur është e mundur. Mund të kërkohen ndihma e kredi dhe nga BQE sepse jemi tek pragu i hyrjes në BE (jemi premtuar e presim hyrjen). Po kështu do ishte e dobishme dhe e domosdoshme formalizimi sa më parë i ekonomisë.

Përdorimi i këtyre mundësive duhet të orientohet sa më parë dhe për investime publike si: infrastruktura rrugore (rrugët veri - jug dhe ato nga Tirana e Durrësi drejt lindjes) të cilat kanë dhe impakt në rritjen ekonomike, në ndihma për investime industrive që mund të ndihmojnë në rritjen ekonomike, sidomos po të arrijmë edhe në një bashkëpunim më të mirë për një treg mbarëshqiptar. Po kështu duhet të filloj që këtë vit ndërtimi i shkollave dhe institucioneve të nevojshme shëndetësore që duhen parashikuar si dhe investimet për arsimin dhe shëndetësinë.. Sigurisht që do rritet borxhi dhe kjo është e paevitueshme. Borxhi italian nga 130% do shkoj 160-170% dhe ai i SHBA nga 106% në 120)%.

Janë shtetasit (individët dhe sipërmarrjet) me tatimet e taksat për punën e tyre e detyrimet e tjera ndaj shtetit, ata që do ti rimbursojnë me punën e sakrificat e tyre, në aq vite, sa do jetë e mundur ato kredi....bono thesari e zgjidhje të tjera, veç ndihmave të shtetit dhe ato nga miqtë (që i përmendëm dhe më lart). Kështu po vepron bota duke deklaruar publikisht që do bëjnë gjithçka që lipset. Këto janë veprime që po zbatohen në vendet më të zhvilluara të botës, e në radhë të parë SHBA që ka caktuar vetëm për infrastrukturën e qyteteve dhe rrugët e vendit 2000 miliard us $ dhe Kina mbi 1000 miliardë us $. Këto investime, janë veç shpenzimeve qindramiliardëshe pra tejet të mëdha që i trajtuam më lartë; jo vetëm në këto dy vende por dhe në Gjermani Britani, Francë, Itali e gjetkë, për masat në fushën e shëndetësisë dhe ndihmës për sipërmarrjen dhe njerëzit, qe të mos ndodhi një katastrofë ekonomike si ajo e viteve 30 të shek.20.

Për këto kredi për ekonominë e investime publike që të rimëkëmbemi foli dhe ish drejtuesi i BQE Mario Draghi, sipas të cilit jemi përball një lufte, që mund të shkaktoj një recesion të paevitueshëm, për çka shteti duhet të përballoj dhe vështirësitë e privatit, duke mbrojtur kështu dhe qytetarët. Kështu thotë ai, se janë financuar me taksa dhe luftërat, ndërsa ne sot duhet të luftojmë me mjete humane e ekonomike, që të mos dalim në kapacitete prodhuese të ulta. Për ketë arsye duhet të injektojmë likuiditet në sipërmarrjet dhe punonjësit autonom për të përballuar shpenzimet operative gjatë krizës dhe humbjen e vendeve të punës. E sa më shpejt aq më mirë.

Mendoj se është e nevojshme krijimi i një banke shtetërore për investimet publike: “Banka Shqiptare e Investimeve” (Albanian Investiment Bank), me detyrën që të administroj fondet shtetërore dhe fondet e huaja që i jepen Shqipërisë si donacione apo kredi. Lajmi i djeshëm se Bashkimi Europian do të ndihmoj vendet e Ballkanit Perëndimor, që priten të anëtarësohen në të ardhmen në BE, me financime e kredi për investime e luftën kundër pandemisë është inkurajues. I kuptoj dhe i përkrah kushtet që Ursula von Leyen përmendi si reformat ashtu dhe rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të Ligjit. Ka të drejtë...shumë të drejtë. Veçse si një tifoz i futbollit që nga viti 1945 nuk e kuptoj pse nuk u nxjerr kartonin e kuq atyre që pengojnë, zbatimin e realizimin e këtyre kërkesave. Ata nuk janë populli.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 30/04/2020 17:36

    Zoti Meksi ka bere nje analize te shkelqyer social ekonomike te periudges qe po kalojme dhe kur pritet qe ne rang boteror te ndryshojne sistemet ekonomike ekzistuese qe jo vetem nuk po japin zhvillim por po nehen vatra te tensioneve sociale qe rrjedhim nga pabarazia e theksuar sociale . Krijimi i bankes shteterire te investimeve do te sherbente si siguri e financave shteterire dhe atyre personale duke konkuruar dhe bankat e tjera te huaja qe sot kandojne dhe lobojne per te komanduar ekonomine shqiptare.Ahmetaj ka bere krim ne shume privatizime por me i madhi ishte privatizi i insigut duke ja hequr shtetit te drejten per te qene pjestar i ketij tregu fitimprures ku dhe ruante balancen e cmimeve.Nuk ka koncension dhe privatizim ku Rama te pyes ministrat ,ato jane vec firmoses pra zbatues.Kohet do kalojne dhe populli do ti gjykoje rende te tre ush kryemonistrat Banon ,Berishe dhe Ramen te cilet duhet te pergjighen per demet qe i sollen dhe po i sjelln vendit.Keto kujtojne se jane pronar te Shqiperise dhe jo admonistrator kalimtar .Shqiperia e pasur ka nje popull te varfer se u keq menaxhua dhe o grabit nga korrupsioni shteterir 30 vjecar i peridhes "demokratike "

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK