Lara Colturi do të rikthehet të martën të garojë për kampionatin botëror në Austri, një vend që i ka sjellë shumë fat skiatores së Shqipërisë, me një podium për herë të parë në karrierën e saj në vitin 2024.

19-vjeçarja do të garojë në Flachau në Slalom, që është edhe disiplina e preferuar e Lara Colturit, pasi këtë sezon mban vendin e 3 në renditjen e përgjithshme.

Ndërkohë që do të garojë në kampionatin botëror, mendja e Lara Colturit nuk mund të mos jetë edhe te Lojërat Olimpike Dimërore, që nisin me 6 shkurt në Cortina të Milanos. Për 19-vjeçaren kjo do të jetë hera e parë që merr pjesë në Lojërat Olimpike dhe objektivi nuk është vetëm pjesëmarrja, por edhe fitimi i medaljes.

“Besoj është ëndërr për çdo atlet që të arrijë të jetë në këtë pikë, për t’u përfaqësuar në Lojërat Olimpike. Është hera e parë për mua në qoftë se nuk llogaritet ajo kur isha në barkun e nënës time. Më pëlqen tej mase që do të jem pjesë e historisë së Lojërave Olimpike. Është diçka e jashtëzakonshme,”-u shpreh Lara Colturi, skiatore e Shqipërisë.

Në Cortina Lara Colturi kërkon të përsërisë historinë e mamasë së saj, e cila ndërkohë që ishte shtatzënë me skiatoren e Shqipërisë, arriti të fitonte medalje të artë.

“Lara është duke shkruar historinë e saj. Ndonjëherë ndalem nga disa fëmijë, të cilët të emocionuar më pyesin nëse ‘është e vërtetë që jam mamaja e Lara Colturit.’ Kjo më bën të ndihem e lumtur,”-tha Daniela Ceccarelli, mamaja e Colturit.

Në intervistën për faqen zyrtare të Olimpiadës Lara Colturi u shpreh falenderuese për Federatën Shqiptare të Skive, e cila i ka dhënë jo vetëm mundësinë për t’u përfaqësuar në nivele të larta në moshë shumë të vogël, por edhe për faktin se ka pranuar që skiatorja të stërvitet nga prindërit e saj.