Të paktën 17 ushtarë irakianë u vranë sot gjatë luftimeve të dhunshme kundër xhihadistëve sunitë në jug të Bagdadit, njoftuan disa burime ushtarake dhe mjekësore.

Përplasjet u zhvilluan në Jourf al Sakhr, një qytet i vogël pranë lumit Eufrat ku kalon një rrugë që lidh disa bastione të kryengritësve në perëndim me qytete të shenjta shiite në jug të kryeqytetit irakian.

"Të paktën 17 ushtarë u vranë dhe tre të tjerë janë plagosur në Jourf al Sakhr në përplasje me kryengritësit që zgjatën rreth dy orë sot në mëngjes", deklaroi një përfaqësues i ushtrisë. Këtë bilanc e konfirmoi gjithashtu edhe një mjek ushtarak.

Nga ana tjetër këto dy burime deklaruan se të paktën 23 xhihadistë të grupit ultra radikal të Shtetit Islamik u vranë në këto luftime./ATSH/